Fjala e plotë e zv.ministres Elona Gjebrea

Sikurse është njoftuar, ne sot prezantojmë planin e veprimit për riintegrimin e viktimave të trafikimit, grave dhe vajzave. Është në fakt një nismë, e cila është detyrim i strategjisë kombëtare kundër trafikimit të personave, të cilën Qeveria Shqiptare e ka miratuar në dhjetor të vitit 2014.
 
Kam nderin që të kem të ftuar Zv.ambasadorin e Komisionit Europian z. Jan Rudolph, faleminderit për prezencën tuaj. Zëvendësministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë znj. Bardhylka Kospiri, ju faleminderit dhe juve. Z. David Sonder që është përfaqësuesi i UN Ëomen, në Shqipëri, ju faleminderit. Dhe znj. Alma Jani që është përfaqësuesja dhe Drejtorja e zyrës së IOM-it, për migracionin në Shqipëri. Ju faleminderit!
 
Sikurse e theksova ky plan veprimi është një vazhdimësi e detyrim i strategjisë kombëtare kundër trafikimit të personave. Plani i veprimit është përgatitur në emër të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me partnerët tanë të nderuar kombëtarë dhe ndërkombëtarë. 
 
Zyra e Koordinatorit Kombëtar kundër Trafikimit të Personave, me mbështetjen e IOM në mënyrë të veçantë (të cilën do të doja ta falënderoja) ashtu sikurse dhe UN Women, si pjesë e një projekti që ne kemi patur gjatë këtyre dy viteve.
 
Zyra e Koordinatorit Kombëtar në bashkëpunim me organizatën IOM për disa muaj kanë zhvilluar takime konsultative me partnerët dhe ka qenë një proces i gjatë, duke reflektuar sugjerimet e të gjithë partnerëve, e gjithë ministrive.
 
18 kanë qenë institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilët kanë marrë pjesë në këtë draftim të këtij plani veprimi.
 
Dhe çfarë ka si synim plani i veprimit? Ka qëllim ofrimin e ndihmës, asistencës për riintegrimin e grave dhe vajzave, viktima të mundshme të trafikimit, nëpërmjet hartimit dhe implementimit të politikave ndërsektoriale, duke përfshirë arsimin, punësimin, përfshirjen sociale, mbrojtjen sociale, qëllimin dhe integrimin gjinor, mbrojtjen nga dhuna në familje dhe mbrojtjen e fëmijëve.
 
Dëshiroj të theksoj që riintegrimi i viktimave të trafikimit është një nga shtyllat kryesore të strategjisë kundër trafikimit të personave, përveç mbrojtjes, dënimit, hetimit penal. Riintegrimi është një shtyllë shumë e rëndësishme, e cila do të ketë dhe vëmendjen e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjithë partnerëve, me plane e nisma konkrete në dy vitet e ardhshme që përfshijnë fushën e arsimit, të mbrojtjes sociale dhe riintegrimit (apo integrimit gjinor).
 
Riintegrimi është një proces. Si i tillë përfshin procesin e rekuperimit, të përfshirjes sociale dhe ekonomike. Dhe është shumë e rëndësishme që vajzat dhe gratë viktima të trafikimit të futen në një mjedis të sigurt e të qëndrueshëm, e në këtë rast kërkohet dhe një akses drejt një standardi jetese të arsyeshme (një mirëqenie sociale dhe mendore, mundësi për zhvillim ekonomiko-social dhe mbështetje në të tjera aspekte).
 
Një aspekt qendror i riintegrimit të suksesshëm është ai i fuqizimit (mbështetjes së viktimave për të zhvilluar aftësitë drejt pavarësisë dhe vetëmjaftueshmërisë, për t’u përfshirë në mënyrë aktive në proces).
 
Sigurisht gjatë këtyre dy viteve kemi pasur edhe histori suksesi (ku, e kemi theksuar, rreth 65-70% të vajzave apo grave viktima të trafikimit kanë arritur të rekuperohen).
 
Por gjatë kësaj periudhe riintegrimi (që mund të shkojë deri në një periudhë 2 vjeçare) janë parë dhe disa mangësi që kërkonin politika më specifike, ndërhyrje ligjore nëpërmjet disa rregullave më të përcaktuara, të cilat bëhen shumë të qarta në këtë plan veprimi.
 
Mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut nuk është përgjegjësi vetëm e shtetit por e gjithë shoqërisë në përgjithësi.
 
Vetëm me një përgjigje mbarëshoqërore të të gjithë aktorëve ne mund të minimizojmë sa më shumë shkeljen e të drejtave të njeriut, sikurse është trafikimi i personave, në veçanti i vajzave, grave dhe fëmijëve.
 
Dhe pikërisht ky plan veprimi synon të identifikojë dhe të trajtojë praktikat diskriminuese dhe shpërndarjen e padrejtë të kompetencave, që nuk ndëshkojnë trafikantët dhe u mohojnë drejtësinë viktimave.
 
Viktimat e trafikimit kanë të drejtë për një mbrojtje të veçantë të parashikuar me ligj nëpërmjet një programi asistence dhe riintegrimi social.
 
Në këtë plan veprimi i cili është i detajuar, përcaktohen në mënyrë specifike sikur e thashë, se si do të jenë skemat, mbështetja financiare e bizneseve që do të pranojnë të kenë në stafin e tyre viktima të trafikimit, me detaje se si punëdhënësit mund të kompensohen për marrjen në punë të viktimave të trafikimit, ashtu si dhe pjesa që ka të bëjë me arsimimin.
 
Është parë që shumica e viktimave të trafikimit janë me një formim arsimor të munguar dhe është konsideruar e rëndësishme që të ketë një angazhim konkret në këtë fushë.
 
Ashtu siç është raportuar qoftë nga strehëzat dhe OJF-të por edhe nga Qendra Kombëtare për Trafikimin, raportohen raste të grave dhe vajzave analfabete.
 
Prandaj në këtë  plan veprimi ka detyrime për mbështetjen e tyre ashtu si dhe rishikim të legjislacionit për të siguruar futjen përsëri në sistemin arsimor.
 
Ka edhe një detyrim që të ofrohet mbështetja edhe në universitete nëse do të ketë mundësi duke u rikompensuar pagesa e FI-së, që është një detyrim në sistemin arsimor të lartë.
 
Udhëheqja akademike është thelbësore për riintegrimin e efektshëm të vajzës së trafikuar dhe ato mund të vuajnë nga boshllëqet për një kohë të gjatë në arsimimin e tyre dhe kjo, e theksoj edhe për arsye se ato kanë qenë të trafikuara. Kjo udhëheqje do t’i ndihmojë të rifitojnë vitet e humbura të shkollës dhe pikërisht sikur edhe e theksova nëpërmjet një dokumenti politikash do të kemi mundësi që t’i ofrohet një sistem arsimor më i plotë dhe duke mos i detyruar ato që të paguajnë.
 
Riintegrimi i suksesshëm i viktimave të trafikimit varet nga një gamë e gjerë faktorësh dhe situatash përfshirë edhe profilin individual të personit, mjedisit ku ai do të riintegrohet, mekanizmat e ndryshëm mbështetës për integrim, rolin e shtetit dhe shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore.
 
Elementët apo kriteret që tregojnë që një individ është integruar me sukses në shoqëri dhe ekonomikisht, janë ato elemente që përbëjnë edhe shtyllat kryesore të këtij plan veprimi që do ta përmbledhja dhe një herë shkurtimisht: strehim ose akomodim i sigurt dhe i përballueshëm, status ligjor, mundësi profesionale punësimi, mundësi arsimimi dhe trajnimi, siguri dhe një mjedis i shëndetshëm social, mirëqenie sociale dhe qëndrueshmëri ekonomike.
 
Dëshiroj të falenderoj edhe njëherë partnerët që kanë bërë të mundur këtë plan veprimi. Falenderoj në mënyrë të veçantë Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimin Social pasi janë institucionet kryesore që kanë peshën në këtë plan veprimi.
 
Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Hajdutët akrobatë grabisin të paktën 1 mln euro në shtëpinë e ish-gazetarit parlamentar të RAI-t në Romë