“I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të qeverisë,
Të nderuar deputetë,
Përfaqësues të bashkësive fetare,
Të nderuar ish-presidentë, ish-kryetarë të Kuvendit, ish-kryeministra,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Artistë, shkrimtarë, akademikë, të pranishëm në këtë mbrëmje.
Të dashur bashkatdhetarë,
Zonja e zotërinj!

Është kënaqësi e  madhe, privilegj i sërës së lartë për mua që në cilësinë e Presidentit të Republikës t’u uroj bashkëkombasve të mi 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit, Festën tonë përbashkuese të rezistencës  kombëtare.
Gëzuar  102-vjetorin e Pavarësisë! Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Dita e Flamurit, 28 Nëntori është  data-festë, që emocionon  dhe bashkon shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër! Kjo ditë është thagma jonë,  na bën një, pa ndoshta e sikur, pa dallime politike, krahinore e fetare, sepse jemi të vetëdijshëm se aty janë rrënjët e projektit kombëtar, plazmimi i shtetit shqiptar  në Ballkan, në Evropë, në kohë dhe histori.

Atë ditë, kur një nga krerët e elitës kombëtare, personaliteti më i spikatur i modernitetit politik  shqiptar Ismail Qemali ngrinte flamurin e Kastriotëve në qytetin e Vlorës, Shqipëria i kthehej vetvetes, dhe kontinentit mëmë – Evropës, pas një ndarjeje të kobshme gati pesëshekullore. Akti ishte dyfish historik: ndahej me pushtimin dhe bashkohej me qytetërimin e tij të natyrshëm.
Shqiptarët dhe Shqipëria në simbiozë mistike pas një rrugëtimi të gjatë e vetmitar ndanë shekujve me shenjat e plagëve historike, të mungesave, të vështirësive, rrethuar me paragjykime e armiqësi, rishfaqen përsëri si arbër, si shqiptarë, si  evropianë e ndonëse si alternativë patën asimilimin, tretjen, thyerjen, copëtimin dhe shpërbërjen.

Po, të dashur miq, ne kemi ecur mes Shilës dhe Karibdës, por e kemi gjetur Itakën tonë më 28 Nëntor 1912.
Sot kam zhvilluar në qytetin e Krujës një kuvendim me personalitete politike e kulturore të kombit shqiptar mbi historinë dhe të ardhmen,  sepse jam thellësisht i bindur se ato kushtëzojnë njëra-tjetrën ndaj mendoj se deklarata e Pavarësisë e shumë kohë para saj, vetë kombi u kompaktësua dhe formësoi një ndërgjegje unitare, një memorie kolektive  pikërisht në kryeqytetin arbëror, në kështjellën e Kryezotit Skënderbej, aty ky furia otomane ndalej, aty ku arbërit bashkoheshin, aty ku temperohej testamenti evropian i shqiptarëve si dalëzotësa të lirisë së tyre, por edhe të civilizimit perëndimor me aksion ndalues e vonues përgjatë 25 viteve rezistence të lavdishme.
Nuk është tepri, por vetëdije që në një ditë si kjo të gjithë shqiptarët kudo që janë të bashkohen në përshpirtje për Heroin e tyre Kombëtar, për Gjergj Kastriotin, i cili mbetet shqiptari dhe evropiani  më i gjallë i të gjitha kohërave.
Po kaq nderim dhe dashuri duhet të kemi për gjuhën shqipe të cilën e ruajtëm dhe na ruajti! Përpjekjet për ta shkruar dhe kultivuar atë ishin koraca dhe fati ynë mbrojtës, udha për të mbërritur tek Rilindja jonë Kombëtare, një nga më heroiket për nga rrethanat në të cilat u shfaq, për misionin që kreu dhe për produktin që na la.

Po, unë u bashkohem atyre zërave që mendojnë se rilindasit, poetët dhe shkrimtarët përvijuan Shqipërinë si ide, si lëndë shpirtërore, si identitet, si diell që lind nga perëndon, ata shenjuan objektivin për  kryengritjet dhe kryengritësit,  luftërat dhe dëshmorët e panumërt, të cilët realizuan Shqipërinë si materie, me malet, fushat, detet, liqenet dhe kufijtë  territorialë, pra  Shqipërinë e prekshme me shtetin e saj.
Etërit e Pavarësisë janë disa, por Ismail Qemali, ky shqiptar vizionar është  emblemë e të gjithëve, përmbyllës i projektit të Rilindjes Kombëtare.
Ai dhe ata janë modeli se si në altarin e atdheut për interesat e tij sublime mund të sakrifikohet çdo ambicie personale e politike për të bërë shtet duke lënë  pushtet, çdo ndarje krahinore, çdo dallim fetar e kulturor të vetëdijshëm që Shqipëria jonë e dashur është një, por ashtu  siç u bë, vetëm me kontributin e të gjithëve, po ashtu  mund të prosperojë sot dhe në të ardhmen.

Të dashur bashkëkombas,
Me nderim dhe mirënjohje i bashkojmë kujtimit të Ismail Qemalit të gjithë ata personalitete dhe shtetarë, të cilët dekadë pas dekade kontribuuan në konsolidimin e shtetit dhe të  Pavarësisë shqiptare.
Për arsye ideologjike jashtë kësaj kujtese është lënë padrejtësisht  periudha e Princ Vidit, i cili mund të akuzohet siç thotë Noli, se nuk mundi të bënte mrekulli, si dhe periudha mbi një dekadë e gjysmë themeluese, e Mbretërisë dhe Mbreti  Zog, një burrë shteti, për të cilin shkenca e historisë duhet ta thotë fjalën e vet, pa propagandë, pa zjarrmi ideologjike, me argumente dhe dokumente historike, të cilat gati gjithmonë janë lexuar ose fshehur njëanshëm.
Ne gjithashtu si shoqëri ndihemi të bashkuar e krenarë për qëndresën antifashiste, për rëndësinë që ka 70-vjetori i Çlirimit, për faktin se në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët u ngritën në lartësinë e dinjitetit të tyre duke kundërshtuar me armë në dorë në një rezistencë simbolike, qysh më 7 prill 1939 me Abaz Kupin, Mujo Ulqinakun e të tjerë, trupat e pushtimit.

Ne duhet kujtojmë dhe nderojmë me respekt të thellë dëshmorët e Luftës Antifashiste, ato bija e bijë idealistë të majtë, të djathtë, liberal, nacionalistë, konservatorë, thjeshtë patriotë që luftuan për një Shqipëri të lirë e demokratike, ëndërr kjo, e cila u bë realitet veç 46 vjet pas përfundimit të kësaj lufte.
Ata dëshmuan me sakrificën e tyre se shqiptarët i thonë jo flirtit me robërinë. Përfaqësues të këtij brezi tentuan në Mukje të realizonin formulën e bashkëjetesës politike, me parim pluralist të kundërshtarit politik të bashkuar në një front kundër okupatorit, parim i cili u braktis njëanshëm dhe u zëvendësua me parimin e armikut me rezultate katastrofike për historinë tonë bashkëkohore që çuan në totalitarizëm.
Do të ishte e pandershme, e pamoralshme po e po, një fyerje për gjakun e derdhur nëse nuk e shqiptojmë të vërtetën, sepse vetëm ajo na bën të lirë, vetë faktin tragjik, atë që ëndrra dhe sakrifica e tyre u tradhtua, u manipulua dhe rezultati i saj u vodh prej klikës së prirë nga tirani Enver Hoxha,  portretet e të cilit po shfaqen në tubime përkujtimore, duke shkelur ligjet e Republikës sonë, duke fyer kujtesën tonë kombëtare dhe një popull të tërë, i cili nuk do të pranojë asnjë formë okulte apo të hapur rehabilitimi për këtë demon të së keqes.

Të nderuar ambasadorë, miq të vendit tim,
Në këtë Festë Kombëtare të të gjithë shqiptarëve, konstatoj se ëndrra e etërve themelues ka shkuar drejt konturimit të saj. Kosova prej vitesh ka fituar pavarësinë e saj dhe jeton si shtet sovran duke i shërbyer paqes dhe stabilitetit në rajon. Shtet, në të cilin konstatoj me sy dashamirës përpjekjet serioze për   konsolidimin e demokracisë, sfidat dhe provat me të cilat përballet shoqëria dhe klasa politike, i bindur që vëllezërit tanë, por edhe minoritetet që jetojnë në Kosovë, kanë resurse, energji dhe aftësi për të bashkëjetuar, dialoguar për të ndërtuar institucione në interes të qytetarëve të tyre dhe vizionit integrues, një shoqëri më evropiane në Kosovë si model shërbimi ndaj të gjithëve.
Shqiptarët, gjithnjë e më tepër janë shndërruar në faktor stabiliteti dhe vendimmarrjeje në Maqedoni e Mal të Zi dhe po ashtu po shtojnë përpjekjet për një të ardhme më demokratike e përfaqësuese në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe unë sonte ndaj me ta emocione dhe ndjesi të përbashkëta, duke i konsideruar ata një urë e madhe lidhëse me shtetet dhe popujt që na rrethojnë, duke i siguruar gjithashtu se ne nuk do t’i reshtim përpjekjet për të mbrojtur interesat e tyre në çdo moment të udhëhequr nga standardet evropiane të komunikimit nga parimi i fqinjësisë së mirë.

Zonja dhe zotërinj,
Gjithashtu nga kjo darkë solemne u uroj suksese dhe u dërgoj me zemër urimet më të ngrohta për Festën e Pavarësisë të gjithë bashkatdhetarëve tanë që Ditën e Flamurit e festojnë në shtete të ndryshme në misione paqeje, në vendet ku punojnë, jetojnë apo studiojnë duke u realizuar si qytetarë të lirë me kulturë demokratike, por edhe duke u shndërruar në ambasadorët më të mirë të imazhit të vendit amë me kontributin e tyre të përditshëm atje ku sfidat e përbashkëta na afrojnë edhe më shumë me popujt miq si partnerë dhe aleatë.
Një porosi e kam: Mësojuni fëmijëve tuaj kudo e kurdo gjuhën shqipe dhe historinë kombëtare!

Të nderuar politikanë,
Nga 28 Nëntori i vitit 1912 kanë kaluar 102 vjet mbushur me ngjarje, me zhgënjime, shpresa, me ndalesa dhe arritje ku natyrshëm Shqipëria e ka bërë evolucionin e saj të jashtëzakonshëm në epokën e lirisë, por sfidat dhe përgjegjësitë mbeten ende të mëdha e krejt të përbashkëta.
Shqipëria, ne të gjithë, duhet të ngrihemi në lartësinë e gjërave më të mira që kemi realizuar së bashku e ato nuk janë pak e në kësi momentesh meritojnë të përmenden, gjë që e kemi bërë në raste të ngjashme!
Sonte dëshiroj të theksoj rëndësinë që ka për ne marrja e statusit të vendit kandidat, të cilin e gjykoj si akt vlerësimi dhe besimi të Evropës politike, ekonomike dhe kulturore ndaj nesh.

Kjo është një ngjarje kulmore në historinë e shtetit shqiptar, e cila do të bëhet edhe më e prekshme me anëtarësim e plotë në këtë bashkësi, që për ta arritur duhen përpjekje dhe reforma të vërteta, të thella e të përbashkëta, sundim i ligjit dhe përparim ekonomik.
Të bësh reforma do të thotë të racionalizosh historinë nëpër të cilën kemi kaluar, si përvojë që nuk duhet përsëritur apo që duhet marrë në konsideratë si dhe të paracaktosh standardin që do të aplikosh, cakun ku do të mbërrish në raport me bashkëkohësinë dhe të nesërmen.
Reformat që duhet të bëjmë duhet të jenë të tilla që të mos cenojnë në asnjë segment liritë dhe standardet demokratike që kemi arritur, por t’i thellojnë ato, të mos cenojnë mirëqenien e njerëzve, por të kenë si qëllim përmirësimin e saj.
Jam gjithashtu në krahun e qytetarëve ndaj perceptimit që ata kanë për korrupsionin dhe deformimet që kanë shoqëruar sistemin dhe shumë vendime të tij në këto dekada pluralizëm por  për ta realizuar një reformë që do të shënojë kthesë, klasa  politike duhet të angazhohet më shumë në komunikimin ndër-institucional duke marrë në konsideratë nevojën për vetëshqyrtim. Duhet tejkaluar logjika e llogoreve dhe e përvetësimit të së drejtës si pronë e një pale.

Qytetarë të vendit tim,
Ne jemi tashmë një  demokraci 24-vjeçare, vite gjatë të cilave kemi kaluar edhe momente të vështira, por kemi ditur kur është dashur, në respekt të Kushtetutës, të bëjmë marrëveshje, të gjejmë zgjidhje për çështje delikate, ndaj ato duhet të konsiderohen përvojë, forcë dhe jo dobësi! Forcë e tolerancës demokratike dhe të vullnetit të mirë për të marrë përgjegjësitë që na takojnë sipas roleve institucionale ndaj vendit tonë.
Shkalla e emancipimit shoqëror kërkon që realizmi, nevoja për bashkëpunim dhe jo retorika luftarake duhet të jenë momenti i politikës. Logjika e përfshirjes duhet të dominojë mbi atë të përjashtimit.

Në jetën parlamentare që është mishërim i vetë demokracisë do të uroja që sa Qeveria, aq edhe Opozita, nëpërmjet debatit dhe kundërvënies së opsioneve duhet të gjejnë vullnetin për të miratuar ligje në interes të qytetarëve të vendit, të ekzigjencave të tyre të përditshme, si dhe të perspektivës evropiane si kryefjalë e aksionit tonë të përbashkët politik, ngadalësimi i të cilit nuk pranon asnjë justifikim.

Për mua, për çdo bashkëkombas sot është një ditë feste, por gjithashtu është edhe ditë e kujtesës për të gjithë ata burra të fisëm që i çuan shqiptarët drejt ditës së madhe: 28 Nëntorit 1912 e në të njëjtën kohë, një moment reflektimi për dëshirat dhe perspektivën tonë kombëtare.
Me urimet e mia më të ngrohta, me dëshirën konstante për një Shqipëri të suksesshme, për një të ardhme të begatë për të gjithë shqiptarët, dinjitozë e të merituar në Evropë, atdheun tonë të përbashkët, ju uroj të gjithëve:

Gëzuar Festën tonë kombëtare!
Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët!
Rroftë Flamuri Kombëtar!”