Fjala e Tahirit në Konferencën Kombëtare kundër Trafikimit të Personave
 

Ndoshta realisht nuk është e udhës të falënderosh publikisht një bashkëpunëtor të ngushtë por dua sinqerisht të falënderoj Koordinatorin Kombëtar të Zyrës Antitrafik, zv/ministren Gjebrea dhe ekipin e saj që kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë këtyre dy viteve për të rikthyer në prioritet maksimal të Qeverisë dhe jo vetëm, por të shoqërisë, çështjen e luftës kundër trafikimit të personave. Sepse ne realisht konsiderojmë që në qoftë se skllavëria moderne ka një emër, është padyshim trafikimi i personave.

Dhe kjo është një sfidë sa e Shqipërisë, sa e rajonit, por është një sfidë akoma më e gjerë, një sfidë globale.
E kush mendon që një person i identifikuar si një viktimë e mundshme e trafikimit është një dramë apo tragjedi personale, sapo ka bërë gabimin në mënyrë indirekte të favorizimit potencial të vuajtjeve të vazhdueshme të kësaj makinerie kriminale siç është trafikimi i personave.

Është më shumë sesa kaq, është një viktimizim kolektiv i shoqërisë. Është një dramë sociale, është një tragjedi shoqërore dhe si e tillë, vetëm vetëdija për ta konsideruar një çështje të të gjithëve, mund të në bëjë që të kontribuojmë të gjithë bashkë, për të adresuar sa dhe si duhet, çështjen e trafikimit të personave.
Skllavëria moderne e çdo personi që trafikohet ose identifikohet si viktimë e mundshme e trafikimit, është skllavëri e shoqërisë në tërësi. Por do të duhet shumë energji dhe përpjekje që shkojnë përtej vullnetit institucional, për të bërë të mundur që Shqipëria të klasifikohet aty e meriton aspirata jonë dhe e shqiptarëve, pra në listën e vendeve që nuk kanë probleme të mëdha me trafikimin.

Kur morëm detyrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kur Qeveria mori detyrën, Shqipëria ishte renditur në klasifikimin e turpshëm të listës së vendeve në vëzhgim, që nënkuptonte institucione në tërësi, përfshirë këtu edhe sistemin e drejtësisë që nuk shfaqnin shenja vullneti të dukshëm, për të luftuar çështjen e trafikimit të personave.
Vjet Shqipëria u klasifikua nga DASH, ose më saktë, doli nga “lista e vendeve në vëzhgim”.
Kjo është sigurisht një arritje inkurajuese, por e pamjaftueshme.

Është një arritje që dëshmon vullnetin tonë, institucional dhe të shoqërisë civile, të sistemit gjyqësor dhe të gjithë partnerëve për të hedhur të gjithë hapat e domosdoshëm për ta nxjerrë Shqipërinë njëherë e mirë nga lista e vendeve me probleme në çështjen e trafikimit të personave.
Unë nuk dua të zgjatem shumë në hapat konkretë që janë ndërmarrë, por e sigurtë është që sot Policia e Shtetit është, nga pikëpamja e burimeve njerëzore, kapaciteteve profesionale, e trajnimeve është shumë më e përgatitur për identifikimin paraprak të viktimave të mundshme të trafikimit, ashtu siç është e sigurt dhe nuk dua të përsëris këtu kolegun Klosi, që është rritur kapaciteti institucional për identifikimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit.

Një çështje shumë sensitive si rehabilitimi po adresohet në një rrugë që premton shumë për sukses definitiv në këtë çështje duke filluar me qendrat sociale, me shërbimin shëndetësor falas, me integrimin e fëmijëve duke përfshirë dhe sistemin arsimor falas dhe librat shkollorë po ashtu falas, me buxhetimin e qendrave, me buxhetimin për herë të parë të vetë Zyrës Antitrafik dhe me shumë hapa të tjerë të cilat përfshihen në një plan strategjik të veprimit institucional për reintegrimin social dhe ekonomik të grave dhe vajzave, viktima ose viktima të mundshme të trafikimit për vitet 2015-2017.

Një çështje që na prek të gjithëve dhe kjo jo në mënyrë aq indirekte, ka të bëjë me fëmijët në situatë rruge. Besoj jemi të gjithë të vetëdijshëm për dhembshurinë prindërore, njerëzore, kur shohim fëmijë në kryqëzime që kërkojnë lëmoshë.
Fëmijët në situatë rruge, të identifikuar sipas një plani veprimi, sot për sot janë 340, por janë shumë më larg sesa shifrat reale të këtij fenomeni. Janë viktimat më të pafajshme të një sistemi familjar, shoqëror, institucional që e ka toleruar deri më sot këtë lloj trafikimi nën hundën e të gjithëve.

Dhe unë besoj që kemi hedhur një hap deciziv në trajtimin  e këtij fenomeni ashtu siç i takon. Çdo fëmijë që kërkon lëmoshë, është viktimë e, më së pari, familjes së tij.
Ndaj Policia e Shtetit, por të gjitha hallkat institucionale, do fillojnë menjëherë të kërkojnë aplikimin rigoroz të të gjithë legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe legjislacionin penal, ku parashikohet dënim deri në 10 vjet heqje lirie, për të gjithë prindërit që identifikohen në kushtet e braktisjes së fëmijës.

Dhe nxjerrja, shfrytëzimi i fëmijës më së pari nga prindërit, për të kërkuar lëmoshë në kryqëzim, është sigurisht kusht i nevojshëm për të lejuar pasojat kriminale të braktisjes së fëmijës dhe të shfrytëzimit. Por edhe dhënia lëmoshë nga secili prej nesh është një gabim po kaq i rëndë sepse ushqen këtë sistem të paligjshëm kriminal të trafikimit të fëmijëve.
Ndaj sado e dhimbshme dhe sado njerëzore të duket dhënia e ca parave një fëmije që të del në kryqëzimin e një rruge apo të del përpara për të kërkuar lëmoshë, është akti thuajse kriminal që bën secili prej nesh për të mbajtur në këmbë një sistem të padukshëm të shfrytëzimit të fëmijëve. Dhe në qoftë se një orë e më parë heqim të gjithë dorë nga ky akt, kemi krijuar kushtet e nevojshme për institucionet, për shoqërinë civile dhe për shoqërinë në tërësi që përfundimisht, të nxjerrë fëmijët nga kjo makineri e shfrytëzimit të prindërve apo të çdo lloj shfrytëzuesi tjetër.

Unë besoj kemi bërë shumë hapa përpara për ndërgjegjësimin publik lidhur me parandalimin e trafikimit të personave dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit dhe referimin e të gjitha çështjeve në gjykatë.

Është kjo arsyeja pse janë rritur në mënyrë drastike procedimet penale dhe dënimet, dhe është kjo arsyeja pse kërkojmë ende më shumë t’i shkojmë pas parasë të paligjshme kriminale që krijon aktiviteti kriminal i shfrytëzimit të viktimave të trafikimit.

Mënyra e vetme për të penalizuar siç duhet dhe sa duhet skllavopronarët modernë të personave dhe të fëmijëve, është jo vetëm të paguajnë llogaritë e tyre para drejtësisë, por dhe t’i shkojmë pas parasë kriminale dhe aseteve kriminale që krijohen si pasojë e këtij aktiviteti.

Unë dua të falënderoj sigurisht partnerët, veçanërisht Ambasadën amerikane, Ambasadorin sigurisht, delegacionin e BE-së dhe të gjithë partnerët që na kanë ndihmuar në rrugën tonë për të krijuar një platformë solide rezultatesh pozitive, në kuadër të luftës tonë kundër trafikimit të personave. Mbetet shumë për të bërë përpara dhe gjithçka kemi arritur deri më sot është shumë më pak, sesa duhet të arrijmë në vijim.

Ky është një prioritet madhor i Qeverisë shqiptare por duhet të kthehet sa më shpejt në një prioritet madhor të shoqërisë.

Vetëm dje, kaloi si lajm i dytë apo i tretë, arrestimi i një pronari të një lokali, që detyronte punonjësen e tij të prostituojë. Trafikimi i brendshëm është një prioritet maksimal sepse situata të tilla janë më shumë se frekuente. Abuzimet me gratë dhe vajzat, apo dhe me fëmijët në emër të detyrës, në emër të fitimeve, në emër të punës, të punësimit e kështu me radhë.

Rastet e tilla duhet të jenë në vëmendjen tonë maksimale. Ndaj është momenti për të forcuar mekanizmat tonë paraprakë të identifikimit dhe të alarmit publik që duhet të ngremë në çdo rast kur kërcënohet potencialisht mundësia për trafikimin e një gruaje, e një vajze, nënës dhe motrës, fëmijëve nga cilido që mendon se kjo është rruga për të bërë para dhe pasuri të shpejtë.

Puna jonë vijon maksimalisht për këtë prioritet, ndaj unë do të doja ta mbyllja, duke falënderuar edhe njëherë Koordinatoren Kombëtare, duke falënderuar rrjetin e shoqërisë civile që kontribuon në këtë çështje madhore, dhe duke falënderuar të gjithë ata në shoqëri që konsiderojnë luftën tonë kundër skllavërimit modern, një prioritet absolut të shtetit, të institucioneve, të sistemit gjyqësor dhe të shoqërisë në tërësi si prioritet madhor.

Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit