Edi Rama, ju tha tha deputetëve socialistë në mbledhjen me dyer të mbyllura se jemi si një ekip basketbolli, e në këtë lojë bëhen shumë ndërrime.
Megjithatë, kjo që ndodh prej nëntorit, më shumë se basketboll është një lojë luftash. Ose më mirë të thuash një luftë reale, ku armët e përdorura, nuk janë ato konvencionalet dhe municioni nuk është me bazë barutin, por bombat e hedhura që kanë shkaktuar një dëm real, jo në godina por në mendjet e njerëzve, e mbi të gjitha në infrastrukturën e qeverisjes.
Edi Rama, megjithatë e ceku këtë luftë në fjalën që mbajti përpara grupit, kur e cilësoi municionin e bombardimit të tij si “bomba artizanale”. Gjasat janë që një pjesë e këtij municioni të rezultojë industrial, madje i prodhuar nga mendje dhe lapse mjeshtrash të intrigës.
Me një blitzkrieg të ngjashëm me bombardimet masive në një sulm të tillë rrufe, u hodhën brenda dy javësh një sasi aq e madhe bombash, ku objektivi vetëm në dukje ishte Belinda Balluku.
Objektivi i sulmit ishte shumë më shumë, e që thuhej hapur në skenarët e dalë nga studio, që ngjanin me horoskop fallxhoresh. Të tipit: Më datë 25 dhjetor bie qeveria, pastaj doli Ramaduro, më pas ikja në Amerikë.
Ndërkohë, e gjithë situatat pas zgjedhjeve të 11 majit, kishte vetëm një synim: ndalimin apo stopimin e mandatit të katërt të Edi Ramës, i cili sipas të gjitha gjasave e priste.
Duket se këtu nuk kemi të bëjmë me një manovër të thjeshtë, as të përbërë vetëm nga opozita e Sali Berishës, apo edhe Agron Shehajt e Adriatik Lapajt. Ata ishin vetëm “këmbësoria” e blitzkrigut, ndërsa “aviacioni” e “artileria” ishte gjetkë.
Në adresimin e këtyre qarqeve, Edi Rama përdori një gjuhë të koduar në fjalimin e mbajtur në hapje të mbledhes së djeshme të grupit parlamentar.
Rama, në fillim e konsideroi këtë situatë një ngërç ku jo vetëm mazhoranca por dhe vendi ndodhet në udhëkryq.
“Udhëkryqi ku ne ndodhemi sot, paraqet sipas meje, disa rreziqe, të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë dhe kur them nga ana jonë, kam parasysh në radhë të parë ne këtu, deputetë, deputete, ministre, ministra sepse përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëjë në vendnumëro”, deklaroi Rama në fjalën e tij.
Ndërkaq, pjesa ku kuptohej një dialog në distancë, apo mesazh i koduar në një farë mënyre, dukej paragrafi ku Edi Rama solli në retrospektivë aksionin politik të PS-së për ta lindur Reformën në Drejtësi. Ku nëpër rreshta mund të lexohet një adresim i asaj që ndodhi këto tre muajt e fundit.
“Patjetër që, aleati dhe kundërshtarët e tjerë të reformës u rreshtuan nën trysninë e asaj që quhet Rruga e Elbasanit dhe këtë e dimë. Por për sa na takonte neve, ne ishim ata që e projektuam dhe e diktuam rreshtin pa na a diktuar dhe pa na trysnuar askush se nëse s’do kishte një kalë që të tërhiqte karrocën, ata n’daç të rrugës së Elbasanit dhe n’daç të rrugës Durrës-Bari-Brindisi nuk kishin nga ta shpiknin kalin se këtu ishin që nga viti 1991”, tha Rama.
Natyrisht ishte “Brindisi” që e ka dalë thuajse ballazi në këtë betejë të fortë, madje që në shkurtin e vitit të shkuar, kur ndodhi dhe bombardimi më i madh para 11 majit, “Bari”, duket e ka mbështetur dhe përkrahur, me qasjet e tij dhe lidhjet që i ka të rëndësishme.
Duket se objektivi ishte bllokimi apo shkatërrimi i mandatit të katërt të Edi Ramës me një sulm të gjithanshëm, me anë të hetimeve penale.
Dhe të prodhohej prej hetimeve, një proces politik deus ex machina, që si pasojë do të kishte një panoramë që të ndërpriste një proces për t’i hapur rrugën një tjetri, jashtë shinave normale.
Nga ana tjetër, Edi Rama, jo thjesht fitoi kohë, por tentoi ta fusë procesin në shinat normale institucionale. Që e bëri me aktivizimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila me rastin “qeveria kundër Veliajt” tregoi një anë të panjohur më parë dhe që u mirëprit në publik.
Kushtetuesja, në këtë rast nuk dha vendimin që priste qeveria, megjithatë vetë gjykimi, hapi një rrugë, e cila barazlargoi sipas detyrave që kanë si SPAK si qeveria dhe Parlamenti.
Këtu hyri në lojë Edi Rama, i cili përpara se të shpallte një ndryshim drastik në qeverinë e tij, ndryshim i cili rezultoi dhe do të rezultojë traumatik brenda mazhorancës, deklaroi se nuk do të ketë më hyrje në territorin e tjetrit.
Dhe këtë jo vetëm e deklaroi, por paralajmëroi nismat ligjore që mazhoranca do të ndërmarrë në Kuvend. Duke përdorur 83 votat e marra më 11 maj, për të cilin tha se nuk do të lejojë që të rrëzohet përveç se me zgjedhje.
A do t’ja arrijë? Në një vend që pretendon BE-në është standarde që ndryshimet të vijnë nga proceset e jo jashtë tij. Por procese politike nuk janë vetëm zgjedhjet apo stabiliteti natyrisht. Gjasat janë që edhe pse blitzkriegu i dhjetorit u venit, lufta nuk duket se do të pushojë…/ TemA
Komente










