Fjalimi i Ministrit Bushati - Konferenca e Ambasadorëve

I dashur Paolo,
Të nderuar kolegë ministra,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike të Shqipërisë,
Të nderuar sipërmarrës dhe akademikë,
Zonja e zotërinj,

Mirësevini në Ministrinë e Jashtme!
 
Sot ndryshe nga herët e tjera, dua ta nis fjalimin me një histori nga viti i largët 1997. Mbase pak e dinë, por MPJ kishte në zotërim një ndërtesë, që gjendet në Gramsh, ku mbahej një pjesë e konsiderueshme e arkivës unike të shtetit shqiptar. Ndërtesa Ypsilon, kështu quhej, në ’97, u sulmua duke vënë në rrezik të gjithë arkivën dhe për pasojë memorjen e këtij institucioni dhe vetë shtetit.
Drejtoresha e atëhershme e Arkivës, duke shfrytëzyar ato pak struktura shteti që kishin mbetur në këmbë, e shoqëruar nga disa forca ushtarake, arriti që brenda një nate ta transferonte të gjithë arkivën unike, nga ndërtesa Ypsilon në MPJ. Shpëtimi i arkivit nuk mjaftoi, duhet të dinim ta mirëmbanim atë në kushtet që meriton një pasuri kombëtare shekullore.
 
Vite më vonë, kur vendi ynë do të negocionte disa marrëveshje ndërkombëtare, do të binte në sy vështirësia e shfrytëzimit të dokumentëve historikë nga arkiva. Pasojat e rënda për politikën tonë të jashtme dhe sigurinë kombëtare janë të kuptueshme.
 
Me këtë dua të tregoj se çfarë mund t’i ndodhë një shteti kur i shuhet memoria institucionale. Shteti shuhet. Prandaj dhe para pak kohe, ne arritëm të kryenim me sukses një investim serioz në arkivën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke bërë që kjo ministri tashmë të rifitojë kujtesën dhe të mos vuajë më nga amnezia institucionale.
Duke përmirësuar rrënjësisht kushtet e mirëmbajtjes dhe aksesit të arkivës e kemi shndërruar atë:
Në piktakim të studiuesve dhe politikbërësve.
Në një pasqyrë ku shohim gabimet, respektojmë eksperiencën dhe traditën, dhe projektojmë rrugëzgjidhjet e të ardhmes. 
Për shoqërinë tonë, që përpiqet të vijojë në rrugën e shtet-konsolidimit demokratik, ruajtja e kujtesës institucionale nuk është luks, por detyrim.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Konferenca e sivjetshme e Ambasadorëve, vjen në një kohë kur situata globale vijon të jetë e paqëndrueshme dhe arkitektura e sigurisë europiane përballet me sfida në krahun lindor e jugor.
Gjashtëdhjetë e gjashtë (66) vite prej krijmit, Bashkimi Europian në jo pak raste ngjan si njësi menaxhimi krizash:
 
Kriza më e fundit është BREXIT-i, ku vumë re, sic do thoshte Jurgen Habermas se “populizmi identitar fitoi mbi kapitalizmin liberal”
 
Me e përhapur është Kriza demokratike që i ka rrënjët tek populizmi dhe teknokracia, tek epërsia e metodës ndërqeveritare përkundrejt asaj komunitare, duke rritur kësisoj jo vetëm hendekun mes perëndimit e lindjes por edhe veriut e jugut të Europës, e ka kthyer modelin e shtetit social në histori të së kaluarës.
 
Kriza financiare e eurozonës, diferencat dhe raporti i papërcaktuar me Rusinë përsa i përket rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të qarta lojë, ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, vala migratore më e madhe që prej Luftës së Dytë Botërore, e cila po shoqërohet me politikën e frikës e panikut dhe refleksin e mbylljes. Të gjitha këto po sfidojnë kapacitetet integruese, dialoguese dhe gjeneruese të Bashkimit Europian.
 
Sot mbi BE-në varet hija e dyshimit nëse ndasitë e brendshme janë krisje sipërfaqësore apo të çara tektonike, të shkaktuara jo vetëm nga ‘lodhja prej zgjerimit’ por edhe nga ‘lodhja prej krizave të stërzgjatura’.
 
Nëse kriza financiare nxorri në pah ndasitë veri-jug, të mishëruara nëpërmjet dikotomisë “shtrëngim financiar” apo “stimul ekonomik”, vala migratore nxorri në sipërfaqe kontrastin midis diveristetit të shoqërive të Europës perëndimore dhe homogjenitetit të shoqërive lindore.
 
Strategjia Globale për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, e prezantuar së fundmi nga Përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini, duket se ka ardhur në momentin e duhur.
Së pari, ajo njeh kufijtë e fuqisë së butë të BE-së dhe skicon një qasje më muskuloze me përfshrijen e instrumenteve të mbrojtjes dhe sigurisë. Së dyti, përkufizon nevojën e një bashkëpunimi të përforcuar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për sigurimin  e rendit rajonal. E theksoj këtë sepse është e rëndësishme që Ballkani të mos kthehet në një tjetër akt të ‘dramës europiane’.
 
Samiti i fundit i NATO-s në Varshavë ishte një samit i suksesshëm për Shqipërinë teksa konfirmoi edhe një herë rëndësinë e rajonit tonë për arkitekturën e sigurisë europiane. 
 
Ky është padyshim një konfirmim i faktit që pesha specifike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, vijon të përbëjë një histori suksesi në kontekstin euro-atlantik, qoftë nga pikëpamja e konsolidimit të shtetit të së drejtës ashtu edhe nga pikëpamja e sigurisë.
 
Një shembull domethënës është edhe mundësia e re që parashihet për Kosovën, si një vend që meriton të jetë partner i Alenacës, marrëdhëniet me të cilën duhen institucionalizuar. 
 
Zonja dhe zotërinj,
 
E bëra këtë panoramë të shkurtër për të hedhur dritë mbi larmishmërinë e tematikave që mbart sot fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pasojat e tyre në këtë kënd të Europës.
 
Kjo mori problemesh kërkon një shërbim të jashtëm që i tejkalon kufijtë tradicionalë të politikëbërjes.
 
Shtyllat klasike të hartimit të politikave të jashtme, konceptim, formulim dhe zbatim, nuk mjaftojnë për një shërbim të jashtëm bashkëkohor.
 
Ndaj dhe për t’iu përballur sfidave të kohës, unë besoj se nevojitet:
një MPJ në qendër të mirëqeverisjes,
një MPJ që të shërbejë si qendër ekselence për politikën e jashtme, duke shfrytëzuar teknologjitë më moderne të komunikimit,
një MPJ e cila ofron shërbim bashkëkohor për qytetarët në kohë reale. 
Misioni ynë është ndërlikuar dyfish:
nga njëra anë politika e jashtme kërkon konsensus brenda vendit, i cili komplikohet nga prania e shumë aktorëve të cilët e influencojnë atë.
nga ana tjetër lipset arritja e një konsensusi jashtë vendit, për perspektivën e vendit dhe rajonit, çka është e vështirë për shkak të largimit të vëmendjes ndaj procesit të zgjerimit. 
Sakaq edhe përgjegjësitë e MPJ-së sa vijnë e shtohen. 1/3 e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit.
 
Kjo nuk nënkupton thjesht përgjegjshmëri për të ofruar shërbimeve konsullore që rrezatojnë cilësi e transparencë por edhe jetësim të politikave që e përfshijnë diasporën, këtë aset të pashfrytëzuar plotësisht, në proceset zhvillimore të vendit.
 
Në një botë të digjitalizuar, qytetarët presin shërbime më cilësore nga ne. Kjo kërkesë e kohës, nuk është dëshirë, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese për ofrimin e shërbimeve për shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen.
 
Përgjigja jonë ndaj abuzimeve dhe apatisë  është investimi në teknologjinë e lartë, më konkretisht digjitalizimi i shërbimeve konsullore dhe krijimi i aplikacioneve mbështetëse sic është dhe Aplikacioni konsullor që do të lançojmë së shpejti.
 
Teksa hartimi i politikave të jashtme ka qenë dhe mbetet thelbi i misionit tonë, elementi konsullor ka fituar dimensione të reja, sidomos në kontekstin e një bote të digjitalizuar dhe të ndërlidhur. Aksioni ynë në sektorin konsullor është përqendruar në disa drejtime:
në përmirësimin e infrastrukturës;
të efikasitetit dhe
në shtimin e gamës së shërbimeve konsullore. 
Shërbimi konsullor i MPJ gjatë këtyre viteve është përballur me një fluks pune, gjithnjë në rritje. Po ju jap disa shifra, për të kuptuar gamën e veprimeve:
Cdo vit bëhen rreth gjysmë milioni legalizime (430.000) dhe kjo shifër është në rritje;
Po ashtu, në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, numri i veprimeve konsullore është dyfishuar; 
Përgjigjja jonë ndaj rritjes së kërkesave dhe fluksit të veprimeve konsullore ka qenë e menjëhershmë. Kemi zgjeruar numrin e shërbimeve konsullore duke prezantuar në Itali, mundësinë e marrjes së çertifikatave. Praktika e suksesshme e Italisë, do të zbatohet edhe me vendet e tjera ku ka përqendrim të madh të shqiptarëve.
 
Me të njëjtin personel kemi arritur të ofrojmë shërbime shtesë të gjendes civile, duke zgjeruar gamën e shërbimeve dhe duke rritur efikasitetin në punë. Kemi ulur ose kemi zeruar tarifat për një sërë shërbimesh konsullore esenciale për qytetarët tanë.
*              *              *
Kur mora këtë detyrë:
 Në këtë ndërtese kishte më shumë vend për parkim makinash se sa për libra dhe dokumenta historike apo për mijëra dokumentat që ky shërbim prodhon çdo muaj, 
Gjeta një institucion të tkurrur në guackën e vet, ku shpesh memo-t dhe kabllogramet përdoreshin si mjete për të promovuar interesat partiake të çastit, 
Gjeta një shërbim të jashtëm që ishte një kështjellë prej rëre, me ambasada të hapura në letër por inekzistente në praktikë. 
Ndaj dhe lipsej një ndryshim për së pari në mentalitet, që konsiston nga njëra anë në racionalizimin e sherbimit të jashtëm dhe nga ana tjetër në hapjen e institucionit për të përfshirë numrin gjithnjë e më të madh të aktorëve që kontribuojnë në politikën e jashtme.
 
I inciuar në vitin 2014 falë ekspertizës së çmuar gjermane, procesi i racionalizimit filloi me fazën e vlerësimit të burimeve tona, çka na jep tanimë mundësinë të bëjmë një rishpërndarje racionale të burimeve njerëzore dhe financiare në funksion të prioriteteve dhe interesave kombëtare.
Njëkohësisht, krijimi i Qendrës së Ekselencës si një njësi organike në MPJ është treguesi më i mirë i hapjes së institucionit tonë dhe fuqizimit të kapaciteteve të diplomatëve tanë. Vetëm brenda një viti e gjysëm kemi përfshirë ekspertizën më të spikatur ndërkombëtare në mbi 60 aktivitete trajnuese që nga shërbimet konsullore e deri tek metodat më efikase të diplomacisë publike.
 
Kryeministri Rama ka investuar besimin e tij të plotë në këtë proces reformues. Falë mbështetjes së tij të pakursyer, investimet në MPJ në infrastrukturë, teknologji dhe burime njerëzore janë katërfishuar vetëm brenda një viti.
 
Këto investime kanë ecur krah për krah me rritjen e transparencës të përfaqësive shqiptare në botë duke i “çbunkerizuar” ato dhe duke i pozicionuar në qendër të veprimtarive të komuniteteve shqiptare.
 
 
Të nderuar miq,
 
Shpesh kujtojmë se diplomatët janë një shtresë e privilegjuar që jetojnë në rehatinë e ambasadave duke punuar me orare të shkurtuara.
 
Diplomatët janë në fakt një grup i devotshëm njerëzish që punojnë pas kuintave, dhe janë të vetmit që gëzohen kur puna e tyre nuk përbën lajm në shtyp. Këtu e kam fjalën sigurisht për menaxhimin e krizave.
 
Pak kush e di për shpëtimin e një familjeje shqiptare nga Jemeni, apo riatdhesimin e shtetasve tanë nga vatra të nxehta nga Pakistani dhe Siria. Por natyrisht na kujtohet rasti i tragetit Norman Atlantic, ku shërbimi i jashtëm luajti një rol vendimtar për zgjidhjen me sukses të kësaj krize, duke i ardhur madje në ndihmë disa shërbimeve të tjera të vendeve aleate dhe partnere.
Në botën e sotme, sado të ndërlidhur, sado të digjitalizuar, asgjë nuk mund ta zëvendësojë diplomatin profesionist dhe të përkushtuar. Në këtë profesion, makina nuk e zëvendëson dot njeriun.
 
Në këtë kontekst, paketa e re ligjore ka nisur të adresojë pikërisht ato sifda me të cilat përballen punonjësit e shërbimit të jashtëm:
për t’i dhënë fund sistemit të piramidës së përmbysur të gradave diplomatike 
për të rikthyer në qendër të politikës së burimeve njerëzore profesionalizmin, 
për të vendosur meritokracinë në themel të shërbimit nëpërmjet një konkursi pranimi dhe testeve të promovimit në gradat e larta, 
për ta hapur pozicionin e Ambasadorit për njerëz të talentuar duke u ndarë përgjithëmonë nga praktika e kuotave partiake. 
Kjo qasje na ka dhënë mundësinë të punësojmë diplomatë me aftësi dhe kapacitete të veçanta, që zotërojnë gjuhë të rralla dhe janë ekspertë të kulturave të ndryshme. 
 
Falë Qendrës së Ekselencës kemi mundësuar një program dinamik për praktikantë në MPJ. Rreth 250 të rinj e të reja që kanë përfituar nga përvoja e punës në MPJ duke dëshmuar se profesioni i diplomatit mbetet tërheqës përtej vështirësive. Jam i inkurajuar nga aftësia e tyre mbresëlënëse për të analizuar dhe kuptuar cështje delikate të politikës së jashtme.
Zonja dhe zotërinj, 
Nuk dua të zgjatem më tek ato gjera që jane realizuar. Sepse në thelb mbeten ende pak përpara sfidave që na presin. Të qenurit një insitucion i hapur nuk mjafton!
Një devizë e njohur e diplomacisë thotë se: “një komb që është thjesht reaktiv në politikën e tij të jashtme, është një komb në rënie të lirë”.
 
Synimi ynë strategjik mbetet ai i një Shqipërie anëtare e Bashkimit Europian, me një ekonomi dinamike në hapësirën e Europës Adriatike dhe aleate e besuar brenda kornizës euro-atlantike.
 
Por ndërsa arritja e këtij objektivi duket se është bërë një maratonë me pengesa, shpesh herë për fat të keq të brendshme, nuk duhet harruar se Shërbimi i Jashtëm është pikërisht instrumenti kryesor për kapërcimin e këtyre pengesave.
 
Nga ne priten:
zgjidhje për problemet e të trashëguara me fqinjët, 
zgjidhje për hallet e shqiptarëve në botë,
përmirësim të imazhit në një botë të drejtuar gjithnjë e më shumë nga perceptimet. 
Të gjitha këto, duke përmbushur objektivat afatgjatë të politikës së jashtme:  
Të jemi faktorë stabiliteti dhe faktor paqtues në këtë kënd të Europës, 
Duke mbrojtur dhe promovuar të drejtat e të gjithë shqiptarëve në rajon, 
Duke konsideruar diasporën si një partnere të pazëvëndësueshme, jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendit por edhe në rrezatimin e denjë të vlerave shqiptare në botë. 
Të nderuar miq,
Shqipëria i ka mbështetur dhe mirëpritur aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit sepse besojmë se kështu zgjerohet hapësira e sigurisë në rajon dhe zvogëlohen edhe më tej "zonat gri" të sigurisë përreth nesh.
 
Sigurisht, në rajonin tonë ka dhe aktorë të tretë që dëshirojnë të implementojnë interesat e tyre – e për këtë kjo konferencë do të ketë një panel të posacëm. Shqipëria nuk e sheh rolin e tyre si kërcënim por komplementar me aksionin e SHBA-ve dhe BE-së, për aq kohë sa orientimi i rajonit mbetet projekti europian dhe aleanca transatlantike.
 
 Të gjitha luhatjet në barometrin e gjeopolitikës gjejnë jehonë edhe në rajonin tonë. Gjeografikisht i denjë për t’u thirrur rajon, Europa Adriatike, ende nuk përbën rajon në termat politikë, ekonomikë, zhvillimorë dhe të sigurisë.  
 
Është e kuptueshme frika e rajonit pas referendumit britanik:
frika e lënies mënjanë,
frika e konceptimit të zgjerimit si një cështje dytësore,
frika se referendume të tjera do të kufizojnë edhe më shumë kapacitetin e BE-së për të vepruar si union.Krizat e shtetit të së drejtës dhe proceset e ngrira demokratike në rajonin tonë janë shembuj të qartë se çfarë mund të ndodhë kur perspektiva europiane dhe euroatlantike nuk është e prekshme.
 
Procesi i Berlinit i inicuar nga Kancelarja Merkel në vitin 2014, e nxorri mbarë-rajonin nga zona e konfortit.
 
Nëpërmjet këtij procesi kaluam nga faza e paktit të stabilitetit, në fazën e paktit të ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjitike, ku vendet bashkëpunojnë e konkurrojnë për më shumë projekte dhe fonde.
 
Shqipëria ka qenë pararendëse në këtë proces, duke përfituar jo vetëm miratimin dhe financimin e projekteve infrasturkurore po edhe nëpërmjet dy nismave më te fundit rajonale që do të kenë selinë e tyre në Tiranë : Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor. 
 
Samiti i fundit në Paris, tregoi se është në dorën tonë të krijojmë rrethanat dhe instrumentet e suksesit tonë si rajon. Një instrument i tillë është edhe “Tirana Initiative” – Iniciativa e Tiranës, që po shpallim sot në vazhdën e tre samiteve Berlin – Vjenë – Paris dhë në përgatitje të Samitit të rradhës në Romë vitin e ardhshëm.
 
Kjo iniciativë do të shërbejë si platformë:
për të monitoruar vijimësinë e Procesit të Berlinit, si përshpejtues të procesit të integrimit, 
për ta pasuruar axhendën e bashkëpunimit rajonal duke përfshirë sigurinë dhe çështjet e sundimit të së drejtës, 
për të lehtësuar bashkërendimin me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe bashkësinë akademike, 
për të mundësuar që ndërvarësia aktuale e Europës Adriatike me BE-në të shndërohet në një proces ku përfundohet me sukses demokratizimi dhe ku BE-ja mund të kapitalizojë investimin e saj afatgjatë në rajon.Uroj që me ndihmën tuaj, i dashur Paolo, kjo inciativë të shndërohet në një qendër të konsensusit të brendshëm dhe të jashtëm për cështjet madhore të rajonit tonë.
 
Falemnderit dhe punime të mbara!

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin