Flaka: Kur më pëlqen diçka
shumë...nuk e kontrolloj veten!

Flaka: Kur më pëlqen diçka<br />shumë...nuk e kontrolloj veten!
Karakterizuar nga dëshira për të folur dhe treguar rreth muzikës, veçanërisht mbi produksionin e saj më të fundit, pse jo për jetën dhe karrierën. Modeste, e qeshur, krijuese, e drejtpërdrejtë në përgjigje, e pasionuar së tepërmi pas muzikës cilësore. Kjo është këngëtarja Flaka Krelani, e cila ka nxjerrë në treg këngën e saj më të fundit të titulluar “Am I Good Man”, shkruar duke marrë shkas nga realiteti. Në këtë intervistë ne zbulojmë shumë rreth këtij titulli të veçantë.

Pse titullohet “Am I Good Man” kënga juaj e re?
Për këtë produksion jam inspiruar nga tipi i mashkullit që pyet vetveten: A jam njeri? A jam burrë përnjëmend? A e meritoj unë si mashkull këtë përcaktim? Po kështu, ky mashkull, në këtë fabul kënge ka dyshime për vetveten, duke bërë analizën se sa i denjë është ai. Ky mashkull e ka parasysh që me vepra nuk i afrohet as edhe një pikë një njeriu që dallohet dhe mbahet për vepra të mira.

Si lindi ideja e një produksioni të tillë?
Producenti im është vëllai im, Qendrim Krelani, dhe ne tashmë jemi duke realizuar albumin së bashku. Të dyve na lindi ideja që, pas projektit, të realizonim një këngë. Na shqetësonte e njëjta pyetje: A ka kuptim që kjo ide të marrë jetë në një këngë? Menduam që po. Tekstet e këngëve që unë mendoj se janë të bukura, duhen realizuar me klip, aq më tepër duke iu referuar një teme si kjo. Këtë ndjesi ka pasur edhe stafi, prandaj arritëm deri te realizimi i idesë së projektit.

Cila është fabula e këngës?
Fabula shfaq dukshëm një histori të një çifti që herë pas here përballet me probleme. Janë gjera të paevitueshme në jetën tonë problemet dhe secili, femra ose mashkulli, në një kohë të pacaktuar, krejt papritur zhgënjehet. E gjithë ajo ndjenja kur beson se gjithçka është e bukur në një lidhje vjen e shuhet, për fajin e pazhvilluar të përgjegjësisë dhe ndërgjegjësisë brenda vetes. Kjo sjell deri te veprimet që lëndojnë tjetrin. Jam përpjekur të sjell diçka reale dhe të tanishme të jetëve tona.

Sa lidhje ka kjo fabul me jetën tuaj personale? 
Nuk ka lidhje me jetën time personale. Kur e kam shkruar tekstin, jam inspiruar duke dëgjuar këngën “Beat-in” që ma sugjeroi vëllai, një ditë krejt rastësisht, kur punonim në studio. “Beat-in” më ka prekur në shpirt, sapo e dëgjova për herë të parë dhe si sot e mbaj në mendje reagimin tim, që, kur më pëlqen diçka shumë, nuk e kontrolloj veten. Kjo këngë akoma e panisur dhe e papërfunduar ishte një ndër gjërat që thellë në zemër më dha atë ndjesinë e lumturisë, por në të njëjtën kohë edhe të dhembshurisë. E gjithë kjo më ndihmoi në realizimin e tekstit dhe të vijës melodike.

Çfarë mesazhi do të përcjellë kënga?
Gjithmonë mundohem të jap mesazhe me projektet e mia. Unë jam e lumtur që sot dëshiroj dhe mundem që nëpërmjet këngëve dhe klipeve të përcjell sa më shumë fabul, regji. Kam pasur synim të sjell një klip që paraqet pak a shumë anën vizuale të tekstit dhe këngës. Mesazhi është shumë i thjeshtë: Ta duam veten pikësëpari, mirëpo deri në një masë, ku nuk lëndon njeri tjetër. Ta ruajmë forcën e ndërgjegjes e të mos lejojmë që të na udhëheqin ndjenjat dhe veprimet e gabuara. Të jemi të fortë, të vendosur dhe ta ruajmë mirë atë se çfarë kemi në dorë, sepse jo gjithmonë kemi luksin të mbajmë atë se çfarë na ofrohet, sepse jo shpesh ua dimë rëndësinë. Kënga u dedikohet të gjithë atyre që kanë kaluar nëpër të njëjtën histori.

Në klipin e këngës po shohim një Flakë shumë të egër, me veshje ushtarake. Çfarë mund të na thoni ?
Misioni im në këtë klip është pikësëpari ta luaj unë vetë rolin e personazhit dhe në anën tjetër ta paraqes karakterin e fortë të femrës dhe vendosmërinë e saj. Sa i përket dukjes, ka qenë vendimi im dhe i kreatores të mirënjohur Dona Matoshi që në një tip të tillë klipi të dukem e atillë. Po kështu, unë e kam problem të dal nga vetja dhe stili im (qesh).

Kush ju mbështet më shumë në karrierën tuaj muzikore?
Bashkëpunëtori im më i ngushtë është im vëlla, që është producenti, Qendrim Krelani. Po kështu, bashkëpunojmë dhe me mikun tonë të ngushtë të familjes FloËrent, i cili bën kontrollimin e këngëve në studion “J2L Record”. Sa i përket anës vizuale, krijimit, dizenjimit të veshjeve të mia, gjithmonë e kam përkrahjen maksimale që unë shpesh e quaj " Ëngjulli Mbrojtës", kreatoren Dona Matoshi. Për sa i përket “make-up”-it, është artisti Arbnor Aliu, i cili ka punuar me mua jo vetëm në një video-klip, por edhe në paraqitje të mia të ndryshme. Po ashtu, më mbështet dhe komplet stafi i përbërë nga: Nora Matoshi, Bujar Gjonaj dhe Venera Pacolli. Qysh nga fillimi i karrierës sime, që nga mosha 14-vjeçare, krahu im i djathtë ka qenë gjithmonë familja ime, duke filluar nga motra ime, Qeqa. Ajo është gazetare dhe e ka parë botën artistike shumë afër, baticat dhe zbaticat e çdo artisti, kështu, ka pasur në shënjestër dhe pikësynim që motra e saj e vogël të marrë drejtim kah zhvillimit të një karriere të ngadaltë e të sigurt. Në fund, jo pa shkak, lashë nënën, arsyeja pse jetoj, krijoj e veproj. Është ajo që më përkrah gjithmonë për gjithçka. I falënderohem që shpirti i saj buron gjithmonë dashuri.

Sa vlerësohen artistët sot, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri?
Artistët sot vlerësohen, aq sa dhe japin. Për mendimin tim, aq sa dhe si jep dhe paraqitesh, aq respekt dhe vlerësim merr. Mirëpo, duke e parë nga pamja artistike, nuk vlerësohen dhe nuk kanë edhe aq shume hapësirë artistët që janë artistë me plot kuptimin e fjalës. Por po jetojmë në një fazë tranzicioni, sa i përket muzikës dhe të gjitha formave jetësore. Sot kanë mundësi të gjithë të këndojnë, e kohë më parë ata që duheshin, nuk kishin, është pak e dhimbshme.

Muzika për ju është një pasion. Po burim të ardhurash? 
Pasion mbi të gjitha, por bashkë me të është edhe profesion. Normale që mund të jetë burim të ardhurash. Mirëpo e mira e gjithë kësaj është se nuk e bëj që të jetë së pari burim të ardhurash, sepse po u bë kështu, dihet pastaj se ku dhe me çfarë rryme muzikore përfundoj.

Përveç muzikës, çfarë praktikoni në përditshmërinë tuaj?
Jam tip i thjeshtë, si çdo njeri tjetër. Kam dëshirë të gatuaj, të jem me familjen dhe me të afërmit e mi, bashkë, në çdo kohë që mundemi. Preferoj të merrem me sport, sa më shumë të jetë e mundur, sepse sporti është shumë i rëndësishëm për fizikun dhe po ashtu edhe për mendjen tonë.

Sa kujdesni për pamjen tuaj? 
Kujdesem shumë për pamjen time, të gjithë femrat e bëjnë këtë gjë. Normalisht që duhet të kujdesemi, sepse, mbi të gjitha, është respekt ndaj vetes. Po kështu, është e rëndësishme edhe se si ne shfaqemi kundrejt të tjerëve. Edhe pamja e jashtme e njeriut ka rëndësinë e vet.

Për sa i përket kësaj vere, sa e ngjeshur është axhenda juaj dhe ku do t’i kaloni pushimet?
Të shohim njëherë sa do të kenë sukses projektet e mia të radhës dhe pastaj, nëse pëlqehen. Deri tani është e ngjeshur aq sa duhet, jo jashtë normave, gjithsesi, nuk e di çfarë mund të më dalë rrugës (qesh). Për pushime nuk e kam vendosur akoma, të them të drejtën.

*Marre nga gazeta Shekulli

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kërkesa e grupit të PD për Këshillin e Mandateve para arrestimit të Ervin Salianjit, burime nga Kuvendi: Nuk do të mblidhet, do ketë vetëm njoftim në seancën e të hënës!

Kërkesa e grupit të PD për Këshillin e Mandateve para arrestimit të Ervin Salianjit, burime nga Kuvendi: Nuk do të mblidhet, do ketë vetëm njoftim në seancën e të hënës!