'Flaka' vuri flakën! Policia kërkonte makinat e trafikantëve të tritolit, ndalon makinat me aktorë nga Kosova, ngatërresa me shoqërimin dhe reagimin e ministrit Balla

'Flaka' vuri flakën! Policia kërkonte makinat e trafikantëve të tritolit, ndalon makinat me aktorë nga Kosova, ngatërresa me shoqërimin dhe reagimin e ministrit Balla

1707128101_tritol.jpg

Dy ditë më parë, 5 shkurt,  policia goditi një grup të trafikut të armëve dhe tritolit nga Kosova në Shqipëri dhe vuri në pranga 3 të rinj nga Gjilani me dyshimin se e shisnin lëndën eksplozive dhe armatimet te grupet kriminale të Shkodrës. 

Lion Pira, Shkëlqim Halabaku dhe Rigon Maliqi tashmë janë në pranga pasi u kapën me 46 kg tritol, por Report Tv mëson se dy të tjerë, gjithashtu shqiptarë të Kosovës, u shpallën në kërkim. Ata janë Dritero Azemi dhe Flaka Abdullahu

Por çfarë ndodhi ditën e aksionit kur u sekuestrua sasia e konsiderueshme e tritolit?

Pas 4 muajve hetime, policia arrestoi në afërsi të Urës së Gjolës në Fushë Krujë, Rigon Maliqin, brenda makinës të së cilit u gjetën 203 kallëpe me tritol fshehur në valixhe në kutitë me lëngje frutash. Pranë tij policia arriti të pikasë edhe dy automjete të dyshuara me targa të Kosovës, të cilat nuk i ndaloi dot pasi mundën të largohet duke përfituar nga errësira. 

I marrë në pyetje nga hetuesit, i arrestuari Maliqi ka treguar njërin prej bashkëpunëtorëve, Lion Pirës dhe vetëm emrin e një vajze, e cila quhej Flaka. 

Në këto kushte, Policia e Tiranës njoftoi drejtoritë dhe pikat e kalimit kufitar të ishin vigjilente për të ndaluar 2 makinat e dyshuara me shpresën për të gjetur trafikantët. 

Në pikën e pagesës së takës së Rrugës së Kombit, Policia e Kukësit ndaloi 2 makina me targa të Kosovës që lëviznin njëra-pas tjetrës, dhe shoqëroi për verifikim fillimisht në policinë e Kukësit e më tej në drejtorinë e Tiranës të gjithë personat që ndodheshin në to.

Në njërën nga makinat, “BMV” u arrestuan Lion Pira dhe Shkëlqim Halabaku, që tashmë janë nën akuzë për trafikimin e lëndës eksplozive, ndërsa në makinën tjetër “Skoda”, gjendeshin disa artistë të Kosovës që ktheheshin nga Firence pas 2 shfaqjesh atje. Siç hetimet treguan më tej, grupi i artistëve nuk kishte lidhje me trafikantët, por në mesin e tyre, për rastësi, ishte një grua me emrin Flaka, por që më tej, nga ballafaqimi në polici, Rigon Maliqi deklaroi se nuk bëhej fjalë për të njëjtën grua.

Shoqërimi për disa orë në Kukës e Tiranë solli reagimin e artistëve të cilët pretenduan se janë fyer dhe denigruar nga policia. Situatë që nxiti reagimin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili sqaron se artistët nuk mund të liroheshin pa u bërë të gjitha verifikimet, e shton se për pretendimet mbi sjelljet e policëve ka nisur një hetim i thelluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Reagimi i Ministrit Balla
Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj: 

“Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.

Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”. 

Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë.


Lajmi kryesor:

Trafik eksplozivi nga Kosova në Shqipëri, Report Tv siguron fotot e dy të të kërkuarve! Dyshohet se kanë lidhje me bandat kriminale në Shkodër


S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut