Trafik eksplozivi nga Kosova në Shqipëri, Report Tv siguron fotot e dy të të kërkuarve! Dyshohet se kanë lidhje me bandat kriminale në Shkodër

Tirane- Dritero Azemi dhe Flaka Abdullahu janë dy shqiptarët e Kosovës të shpallur në kërkim, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal që u godit dhe u sekuestruan 46 kg tritol. Azemi figuron i shpallur në kërkim edhe në vitin 2022, për plagosjen e Shpëtim Metaliajt, ngjarje e ndodhur në një lokal nate në Tiranë.

Së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë, gjithashtu nga Kosova, dyshohet se kishin lidhje me bandat kriminale në Shkodër. Hetuesit kanë nisur të hetojnë disa ngjarje të rënda si në Shkodër dhe në Tiranë, ngjarje të hershme me shpërthime tritoli, pasi ka dyshime se ky grup është i përfshirë, informon Report TV.

Më 5 shkurt 2023 Policia e Tiranës ndërmori një operacion të koduar "The Same" duke goditur grupin kriminal që trafikonte eksploziv nga Kosova dhe arrestuar 3 persona. Të arrestuarit Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira 25 vjeç, dhe Shkëlqim  Halabaku të tre banues në Gjilan të Kosovës po lëviznin me makinë kur dhe u arrestuan në flagrancë ndërsa u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg. 

Të arrestuar si pjesë e grupit kriminal më 5 shkurt ishin
Rigon Maliqi, 20 vjec
Lion Pira 25 vjeç
Shkëlqim  Halabaku të tre banues në Gjilan të Kosovës
Në kërkim
Dritero Azemi
Flaka Abdullahu

Lajmi ne perditesim ... 

1707307758_driteroazemiflakaabdullahu.jpg

 

Dritëro Azemi e Flaka Abdullahu

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:29
'Flakë' për 'Flakë' ngatërresa e policisë që çoi trupën e aktorëve të Kosovës 10 orë në komisariat

Ngatërresa që i ka bërë policia shqiptare emrit të një gruaje që po priste ta arrestonte, ka bërë që trupa e aktorëve të Kosovës të kalonte jo pak, por 10 orë mes komisariateve të Kukësit dhe Tiranës në natën e 4 shkurtit 2024. Trupa e Kosovës kishte lënë aeroportin e Rinasit, pasi ishte kthyer nga Firence dhe po udhëtonte drejt kufirit të Morinës për të shkuar në Prishtinë.

Në vendin ku paguhet tarifa 5 euro e përdorimit të rrugës Durrës-Kukës, ndodheshin disa patrulla policie që kishin informacion se aty do të kalonin një grup i trafikimit të armëve nga Kosova, ku mes tyre ishte edhe një grua me emrin Flaka.

Fati i keq i trupës kosovare ishte fakti që mes tyre ndodhej gjithashtu një vajzë me emrin Flaka, por pa asnjë të përbashkët me Flakën që po kërkonte policia shqiptare. Pikërisht më 5 shkurt dramaturgu nga Kosova Jeton Neziraj denoncoi policinë shqiptare për dhunë ndaj artistëve nga Kosova

Siç rrëfen Neziraj, artistët u lanë të lirë mëngjesin e sotëm 5 shkurt, pasi u sqarua se ishin arrestuar e mbajtur gabimisht. Neziraj tregon se gjatë dhjetë orëve artistët nga Kosova kanë qenë pre e një terrori sistematik, ndërsa thekson se janë sulmuar fizikisht e psiqikisht nga “vagabondë të veshur në uniforma policore”.

Statusi i dramaturgut Jeton Neziraj

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.
U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

“Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar”, shkruan dramaturgu në Facebook.

Në përfundim të postimit Jeton Neziraj falenderon miqtë, kolegët dhe përfaqësuesit e institucionee në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë ata që janë shqetësuar dhe kanë bërë telefonata per të kthyer ekipin e artistëve në Kosovë sa më parë.

Ora 14:14
'Flaka' vuri flakën! Policia kërkonte makinat e trafikantëve të tritolit, ndalon makinat me aktorë nga Kosova, ngatërresa me shoqërimin dhe reagimin e ministrit Balla

1707128101_tritol.jpg

Dy ditë më parë, 5 shkurt,  policia goditi një grup të trafikut të armëve dhe tritolit nga Kosova në Shqipëri dhe vuri në pranga 3 të rinj nga Gjilani me dyshimin se e shisnin lëndën eksplozive dhe armatimet te grupet kriminale të Shkodrës. 

Lion Pira, Shkëlqim Halabaku dhe Rigon Maliqi tashmë janë në pranga pasi u kapën me 46 kg tritol, por Report Tv mëson se dy të tjerë, gjithashtu shqiptarë të Kosovës, u shpallën në kërkim. Ata janë Dritero Azemi dhe Flaka Abdullahu

Por çfarë ndodhi ditën e aksionit kur u sekuestrua sasia e konsiderueshme e tritolit?

Pas 4 muajve hetime, policia arrestoi në afërsi të Urës së Gjolës në Fushë Krujë, Rigon Maliqin, brenda makinës të së cilit u gjetën 203 kallëpe me tritol fshehur në valixhe në kutitë me lëngje frutash. Pranë tij policia arriti të pikasë edhe dy automjete të dyshuara me targa të Kosovës, të cilat nuk i ndaloi dot pasi mundën të largohet duke përfituar nga errësira. 

I marrë në pyetje nga hetuesit, i arrestuari Maliqi ka treguar njërin prej bashkëpunëtorëve, Lion Pirës dhe vetëm emrin e një vajze, e cila quhej Flaka. 

Në këto kushte, Policia e Tiranës njoftoi drejtoritë dhe pikat e kalimit kufitar të ishin vigjilente për të ndaluar 2 makinat e dyshuara me shpresën për të gjetur trafikantët. 

Në pikën e pagesës së takës së Rrugës së Kombit, Policia e Kukësit ndaloi 2 makina me targa të Kosovës që lëviznin njëra-pas tjetrës, dhe shoqëroi për verifikim fillimisht në policinë e Kukësit e më tej në drejtorinë e Tiranës të gjithë personat që ndodheshin në to.

Në njërën nga makinat, “BMV” u arrestuan Lion Pira dhe Shkëlqim Halabaku, që tashmë janë nën akuzë për trafikimin e lëndës eksplozive, ndërsa në makinën tjetër “Skoda”, gjendeshin disa artistë të Kosovës që ktheheshin nga Firence pas 2 shfaqjesh atje. Siç hetimet treguan më tej, grupi i artistëve nuk kishte lidhje me trafikantët, por në mesin e tyre, për rastësi, ishte një grua me emrin Flaka, por që më tej, nga ballafaqimi në polici, Rigon Maliqi deklaroi se nuk bëhej fjalë për të njëjtën grua.

Shoqërimi për disa orë në Kukës e Tiranë solli reagimin e artistëve të cilët pretenduan se janë fyer dhe denigruar nga policia. Situatë që nxiti reagimin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili sqaron se artistët nuk mund të liroheshin pa u bërë të gjitha verifikimet, e shton se për pretendimet mbi sjelljet e policëve ka nisur një hetim i thelluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Reagimi i Ministrit Balla
Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj: 

“Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.

Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”. 

Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë