Që prej zjarrit të parë që shënoi pikënisjen e betejave për këtë vit e deri në ditët e fundit kur flakë të fuqishme pushtuan Krujën e Mallakastrën, zjarrfikësit nuk e kanë ndalur asnjë moment punën e tyre. Përballja me zjarrin në Krujë, një ndërhyrje që zgjati orë të tëra, ishte një nga më të vështirat në detyrën e tyre, por edhe një nga më të suksesshmet.

Agustin Pepkola, drejtues i Trajnimeve në Drejtorinë për Mbrojtjen e Zjarreve, thotë për Report Tv se çelësi i shuarjes së zjarrit ishte reagimi në kohë.

“Jemi më mirë falë ndërhyrjes dhe reagimit në kohë, strukturat janë në terren për të bërë të mundur fikjen e vatrave të zjarrit. Nëse do të kishim pasur reagim të vonuar, do të kishim pasur vatra shumë të mëdha që më vonë do të na fusnin në vështirësi me vënien në kontroll. Kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm midis gjithë organeve, policisë dhe komunitetit”, shprehet ai.

Mes temperaturave të larta, flakëve që i shumëfishojnë, terreneve sfiduese, lodhjes fizike dhe dëshirës së paepur për të mos lejuar që asnjë jetë të cenohet, Pepkola përmbledh me pak fjalë si kanë qenë këto ditë për ta.

“Na shtyn pasioni dhe puna për të bërë më të mirën. Të jesh zjarrfikës, të shpëtosh një jetë quhesh hero, të shpëtosh shumë jetë quhesh zjarrfikës. Zjarrfikësi është nga ata që ka vendosur jetën e tij për të tjerët. Shërbimi zjarrfikës ofrohet 24 orë pa ndërprerje dhe pastaj ka një moment pushimi. Ky ka qenë 24 orësh në punë ku kemi rrezikuar jetën tonë për të mbrojtur qytetarët”, vijon ai.

Kapacitetet logjistike janë përmirësuar dhe për zjarrfikësit është parashikuar mbështetje më e madhe financiare. Ajo që mungon në këtë paketë, thotë Pepkola, është mbështetja ushqimore, por shpreh besim se së shpejti do të ndodhë.

“Shpresojmë që të kenë normën e ushqimit në këtë strukturë, që akoma nuk është bërë. Sipas asaj që është bërë, kjo do të ndodhë. E dimë që ka vështirësi por do ta bëjmë të mundur që të gjitha të ndodhin”, thotë Pepkola.

Pas lajmit se një piroman kishte shkaktuar qëllimisht 2 vatra zjarri në Tiranë, Pepkola ka një mesazh: ndërgjegjësimin.

“Ndërgjegjësimi i gjithë popullatës. Edhe ajo që bëjmë ne, mediat, takimet ndëërgjegjësuese do të bëjnë të mundur që popullata të ndërgjegjësohet. Besoj se arrihet përmes ndërgjegjësimit dhe pastaj ndëshkimit. Ndërgjegjësimi dhe masat parandaluese do të bëjnë që këto dëme të minimizohen”, përfundon ai.