VLORË- Kukësi fiton bindshëm në Vlorë përballë Flamurarit. Verilindorët kanë arritur të kalojnë edhe testin e dytë të vështirë në kampionat pasi mposhtën Partizanin në javën e parë.

Të besuarit e Shpëtim Duros arritën ta vulosnin ndeshjen në një 0-3 të pastër si në lojë dhe rezultat me dy golat e bomberit Vasil Shkurtaj dhe një autogol amatoresk të Olsi Gocajt. Vlen për t'u theksuar se në këtë ndeshje debutoi transferimi i bujshëm i Kukësit, Kristal Abazaj. Edhe pse 23- vjeçari u inkuadrua në fushë në pjesën e dytë kur Kukësi po fitonte 0-2, dikusht tjetër nuk e priti mirë.

Enis Gavazaj ishte ai i cili u sakrifikua për debutimin e Abazajt dhe këtë kosovari nuk u prit aspak mirë edhe pse Duro qetësoi situatën. Gjithsesi kuksianët dolën fitimtarë nga ky takim dhe marrin kryesimin e tabelës pasi kanë golavarazh më të mirë se Skënderbeu, ekipi me të cilin këtë javë ndajnë kreun. Ndërsa për vlonjatët ky ishte starti më i keq i mundshëm pas dy humbjeve të njëpasnjëshme ndaj dy skuadrave rivale. 

Por deri tani Flamurtari nuk është skuadra e vetme që ende s'ka marrë pikën e parë. Laçi dhe Luftëtari janë dy skuadra të tjera të cilat kanë humbur dy ndeshjet e para në Superligë.