Flekenshtajn: Parregullsitë në
zgjedhje bllokojnë negociatat

Flekenshtajn: Parregullsitë në<br />zgjedhje bllokojnë negociatat
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn, ka deklaruar për herë të parë se parregullsitë në zgjedhjet e 18 Qershorit do të ndikojnë në vendimin e Brukselit për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke komentuar rezolutën e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Knut Flekenshtajn tha se nëse zgjedhjet do të jenë një katrahurë negociatat nuk do të hapen. “Në terma realiste, negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

Sigurisht, nëse zgjedhjet do jenë një katrahurë, asnjë nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë. Kjo është e qartë. Duhet të insistojmë për këtë. Unë mendoj, se ka shanse që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, jo me shitblerje të votave por duke respektuar vullnetin e votuesve”, tha ai.

Korrupsioni
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn, u shpreh më tej se duhen bërë hapa të tjera sa i takon luftës kundër korrupsionit. “Ne ishim dakord, që janë bërë hapat e para të reformës dhe kjo është për t’u përshëndetur.

Por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë dhe besoj që kjo është e qartë edhe për qeverinë shqiptare. Hapat që janë ndërmarrë deri tani nuk shënojnë fundin e procesit. Lufta kundër korrupsionit është një pjesë e rëndësishme edhe në këtë kuadër. Janë bërë hapa të rëndësishëm dhe presim që të bëhen të tjerë në të ardhmen.

Le të flasim hapur, një reformë të drejtësisë si atë të aprovuar në Shqipëri, vendet e tjera e bëjnë gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit, kështu që Shqipëria është goxha e avancuar në këtë drejtim, por s’ka përfunduar ende procesin”, tha ai. Flekenshtajn shtoi se çdo qeveri do të gjykohet mbi mënyrën se si sfidon luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Është e qartë se lufta kundër krimit të organizuar së bashku me luftën kundër korrupsionit janë dy kritere për të cilat qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri të lartë dhe jo z. Juncker apo raportuesi për Shqipërinë këtu. Çdo qeveri shqiptare do të gjykohet mbi mënyrën se si sfidon luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha ai.

Ndëshkimet
Flekenshtajn ka kërkuar ndëshkime në nivele të larta. “Nuk mjaftojnë vetëm hetimet e policisë, por duhet ndëshkim edhe në nivelet e larta që të këputen lidhjet e politikës me rrjetet kriminale. Reforma në drejtësi të gjithë e dimë që është një proces afatgjatë, ndaj unë bëj thirrje që ky proces të vazhdojë.

Në këtë mekanizëm të ri që do të ngrihet, Vetingu është një prej aspekteve thelbësore. Rezultati i luftës kundër krimit është qartësisht i dukshëm, e megjithatë, nuk është aq mjaftueshëm sa duhet.

Presim implementim të plotë të reformës në sistemin gjyqësor. Kjo reformë nuk duhet parë si një arritje personale, por si një vendosmëri afatgjatë që ka për synim një fitore kundrejt krimit të organizuar. Kur them këtë kam parasysh luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë si dhe shkatërrimin e rrjeteve kriminale”, tha ai.

Droga
Knut Flekenshtajn ka theksuar se palët paraqesin panorama të ndryshme për çështjen e drogës. Ne duhet të kemi një tablo të qartë mbi situatën e drogës. Ka vështrime të ndryshme mbi situatën dhe opozita na kujton gjithmonë se situata është shumë më keq nga çfarë thotë qeveria. Prandaj, duhet t’i hedhim një sy, të paktën e të flasim me miqtë tanë italianë që po merren me këtë çështje. Së dyti, nëse zgjedhjet shkojnë mbarë, atëherë mendoj se, pavarësisht se e di se ka një listë detyrash, jemi në rrugën e duhur”, ka pohuar ai.  


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Borrell propozon sanksionimin e zyrtarëve izraelitë për shkak të dhunës së kolonëve

Borrell propozon sanksionimin e zyrtarëve izraelitë për shkak të dhunës së kolonëve