Me shfaqjet çdo gjë qe në rregull. Nuk kishte në to devijime apo gabime ideologjike. Por pas shfaqjeve, artistët tek dilnin në qytet tërhiqnin vëmendjen me veshjet e tyre moderne “të degjeneruara” dhe tualetin e tepruar.
Menjëherë pas kësaj fletrrufeje dhe konfliktit që u shkaktua për shkak të saj, sekretari i I-rë i Komitetit të Partisë Korçë Mihallaq Ziçishti i shkruan Komitetit Qëndror të PPSH. Ai informon se pas kritikave, që dy qytetarët korçarë bënë ndaj trupës së Tetarit të Operas dhe Baletit, artistët e kësaj trupe u përgjigjën për akuzat, por sipas Ziçishtit përgjigja e tyre nuk qe një reagim i drejtë e me frymë partishmërie.
Pikërisht kjo çoi në një tjetër kundërpërgjigje nga dy autorët e fletërrufesë, duke nënvizuar se artistët nuk ishin thelluar në autokritikë dhe se çështjet që ata kishin kritikuar konsistonin pikërisht tek: “mbajtja e kapuçit në kokë, mënyra e lidhjes së shamisë, shoshonet me taka shumë të larta, mbajtja e flokëve kalipso dhe vëthët sa një 50 qindarkëshe në vesh, mbajtja e dy deri tre unazave në dorë, sjelljet jo të mira në rrugë...”.
Në letrën e tij për Komitetin Qëndror, Ziçishti thotë se pas kësaj, përplasja degjeneroi deri në skandal rrahjeje dhe se janë takuar e kanë biseduar për këtë çështje me drejtorin e TOB Koço Vasili dhe drejtuesit Xhemil Simitxhiu e Rifat Teqja, duke shpresuar të merren masa sa më parë.
Edhe kjo histori është thjeshtë një pjesëz e një bote absurde në këndvështrimin e sotëm, por që në kontekstin e epokës së kuqe, kërkonte shpagim të rëndë.
Dokumentet vijnë të plota për lexuesit tanë, zbardhur sipas origjinalit dhe ruhen në fondin 14 në AQSH.
Letra e Ziçishtit
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË RRETHIT
K O R Ç Ë
Nr. 037
Ekz. Nr. 3
Korçë, më 23/II/1967
KOMITETIT TË PARTISË QYTETIT E RRETHIT
TIRANË
Prej datës 16 deri 20 shkurt 1967 një pjesë e trupës së Teatrit të Operës e Baletit dhe për punonjësit e qytetit dha dy shfaqje në ditë: “Koncert me këngë shqiptare dhe Petja e Ujku” (për fëmijët) dhe Baletin “Halili e Hajria”. Shfaqjet u ndoqën me interesim nga punonjësit tanë dhe kolektivi i artistëve bëri të gjitha përpjekjet për t’i paraqitur ato me dinjitet.
Repertori, aktualisht, mund të ishte më i studiuar, por, nuk është ky shkaku që po ju shkruajmë. Ai është një problem i veçantë që edhe ne e dimë se ju preokupon.
Me këtë rast deshëm t’ju njoftonim se, gjatë qëndrimit të trupës së teatrit të Operës e Baletit në qytetin tonë, dy qytetarë shprehën, me anë të një fletërrufeje, vërejtjet e tyre për veshjet dhe tualetin e shokëve të kësaj trupe. Kolektivi i artistëve dhe komunistët u mblodhën, shqyrtuan përmbajtjen e saj dhe nxorën “përgjigjen” e tyre, kurse po ata qytetarë një “kundërpërgjigje”. Për t’u njohur me përmbajtjen e tyre, po ju dërgojmë kopjet përkatëse.
Nga leximi i tyre mund të nxirren konkluzionet, por na duket se shokët komunistë dhe kolektivi i Teatrit nuk ka reaguar drejt e me frymë partishmërie në kritikën e bërë ndaj tyre. Më e keqja është se, pas daljes së “kundërpërgjigjes”, çështja u acarua reciprokisht dhe përfundoi në skandal rrahjeje nga komunisti i trupës së Teatrit, Aleks Daka. Ky shok, në fjalë e sipër, e qëlloi para godinës së Teatrit tonë oficerin Pandi Zguro që është edhe autor i fletërrufesë. Skandali u likuidua menjëherë me ndërhyrjen e popullit dhe të policisë.
Ne u vumë në dijeni për këto ngjarje dhe e pamë të nevojshme të bisedojmë për të gjitha me shokët Koço Vasili komunist dhe drejtor i Teatrit e komunistë të tjerë drejtues, Xhemil Simitxhiu e Rifat Teqja. Shokët e sipërpërmendur përgjithësisht e kuptuar drejt çështjen dhe reaguan mirë. Ata u zotuan se do ta shqyrtojnë shpejt këtë ndodhi, do të marrin masa për të gjitha të metat edhe për sjelljen e pahijshme të komunistit Aleks Daka dhe se do të na njoftonin përfundimin.
Kemi besim se shokët do ta shpien deri në fund këtë çështje, por ne e quajtëm të nevojshme t’ju vinim në dijeni edhe juve.
SEKRETARI I-RË I KOMITETIT TË PARTISË
(Mihallaq Ziçishti)
Për njoftim:
KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH.
(Shokut Sadik Bocaj)
T I R A N Ë
Fletërrufeja
TEATRIT TË OPERËS DHE BALETIT
Shfaqja e baletit Halili dhe Hajrija tregon traditat e mira të popullit shqiptar.
Kjo u interpretua bukur nga artistët e baletit, për këtë falënderojmë dhe urojmë suksese të mëtejshme.
Duke u nisur nga fakti se teatri i Baletit është institucion kulturor dhe edukues për masat e popullit, ne shohim diçka jo të hijshme në artistët e këtij teatri.
Raporti i shokut Enver e ka ngritur me të madhe edukimin e popullit me traditat më të mira të vendit. Si këta shokë të Teatrit i përgjigjen raportit kur jashtë punës paraqiten me veshje të degjeneruar mode dhe llangosur me të gjitha llojet e tualeteve, të na përgjigjen nga i kanë marrë dhe a janë të vendit të gjitha këto.
Nga Petrika Milo shofer N.T.A. Korçë
dhe ushtarak Pandi Zguri Rep. 1555 Korçë
Përgjigje fletërrufesë
PËRGJIGJE
KRITIKËS SË SHOKUT PETRIKA MILO N.T.A. KORÇË DHE
USHT. PANDI ZGURO REPARTI USHTARAK NR. 1555 KORÇË
Në mbledhjen që bëri pjesa e kolektivit të Teatrit të Operës dhe Baletit që ka ardhur në Korçë për turne, për të analizuar kritikën tuaj konkludoi:
- Se ne nuk jemi dakord me përcaktimin që ju i bënit kolektivit tonë si një kolektiv i degjeneruar, demode dhe i llangosur, kolektivi i jonë i udhëhequr nga organizata e partisë ka bërë një punë shumë të madhe për vënien në jetë të direktivave të Partisë dhe mësimeve të Sh. Enver Hoxha për revolucionarizimin e skenës dhe jetës së artistëve në teatrin tonë.
Organizata e partisë dhe Drejtoria e Teatrit duke vënë në jetë mësimet e Partisë ka qëndruar afër njerëzve, ka punuar me ta dhe si rezultat ka arritur suksese shumë të mëdha në flakjen prej mendjes së artistëve tanë të mentaliteteve të vjetra, lidhur me rolin e artit dhe artistit në shoqërinë tonë.
Për këtë flasin faktet që artistët e Teatrit tonë kanë filluar me një vrull të madh të japin koncerte dhe shfaqje edhe në qendrat e punës dhe qytetet e tjera, për këtë besojmë se dëshmon edhe fakti që duke plotësuar kërkesën e popullit të qytetit tuaj, ne dhamë tre shfaqje në ditë, gjë që është e jashtëzakonshme për natyrën e punës tonë.
Kjo dëshmon për frymën revolucionare që ekziston në kolektivin tonë.
Për sa i përket veshjes ne mendojmë që degjenerim nuk ka, por për sa i përket tualetit ne pranojmë se ka pasur disa raste kur ai mund të ishte më i thjeshtë, megjithëse edhe në këtë rast kolektivi mendon se ato nuk janë tipike dhe të tepruara në atë masë sa mendoni ju.
Kolektivi i Teatrit të Operës dhe Baletit
KUNDËRPËRGJIGJE
KOLEKTIVIT TË TEATRIT TË OPERËS DHE BALETIT
Mbasi lexuam përgjigjen tuaj, u prekëm thellë se nga ky kolektiv nuk u kuptua drejt kritika jonë. Ju bëjmë edhe një herë thirrje që të thelloheni në autokritikë, mbasi kjo nuk ju ul por ju zbukuron. Organizata e partisë nuk punon si duhet e në mënyrë revolucionare për të zhdukur këto shfaqje të huaja të disa elementëve të kolektivit tuaj.
Ku konsiston kritika jonë:
- Mbajtja e kapuçit në kokë.
- Mënyra e lidhjes së shamisë.
- Shoshonet me taka shumë të larta.
- Mbajtja e flokëve kalipso dhe vëthët sa një 50 qindarkëshe në vesh.
- Mbajtja e dy deri tre unazave në dorë.
- Sjellje jo e mirë në rrugë.
A janë të modës shqiptare këto?
A janë në vijën e Partisë?
Ju të artit jeni edukues të masës prandaj duhet të jepni shembullin personal. Ju veproni tamam si prifti: “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, ndryshe në skenë ndryshe në jetë.
Nga Petrika Milo shofer N.T.A.SH. Korçë
Pandi Zguro reparti ushtarak 1555 Korçë
Shkrimi u publikua sot (27.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)