A mund të na tregoni diçka për pronat tuaja?
Unë jam Fatmir Topi, djali i Ali Topit. Gjyshin tim, e kanë quajtur Dalip Ibrahim Topi dhe ka vdekur më 1935. Ka lënë tre djem: babain tim, Aliun, Rizain, babain e Flamur Topit si dhe Ibrahim topin, i cili ka vdekur më 1947 dhe ka lënë tre djem si dhe gruan që vdiq më 1955. Gjyshi im ka trashëguar shumë prona që në kohën e Zogut, e madje që në vitin 1860.
A keni ju dokumente për këto prona?
Për të gjitha këto ne kemi dokumente, kemi 46 dynym me tapi ku vërtetohet se gjyshi im i ka blerë këto toka.
Kujt ia ka blerë këto toka dhe ku ndodheshin ata?
Këto toka ia ka blerë Selim Topit, një kushëririt tonë dhe ndodhen në fshatin Linzë. Plus që i ka blerë edhe Ismail Topit, nga Ndroqi, 24 dynym tokë. Plus që në 1945, xhaxhai im që ishte tregtar ka deklaruar pasurinë që ishte 120 dynym tokë në fshatin Linzë, një shtëpi si dhe 15 mijë napolona franga ari dhe për këtë ne kemi edhe dokumentin që e vërteton. Në atë shtëpi ka jetuar, babai im, Ali Topi, por që u dogj nga gjermanët gjatë luftës pasi ndihmonin partizanët. Dhe babai im u internua në Beograd dhe pas 6 muajsh erdhi në shtëpi. Kjo është historia, deri në këtë periudhë, pasi pas përfundimit të luftës tokat u morën nga shteti dhe nuk kishte më prona private. Këtë tokë ne e kemi me dokumente të sakta që ndodhen në arkivin e shtetit, dokumentacion të cilin ne e disponojmë plotësisht, për këtë flas me përgjegjësi, por sërish ne nuk mund ta përfitonim këtë pronësi pa bërë një gjyq. Kështu më 1996 bëmë një gjyq, ku shteti shqiptar, me një vendim të formës së prerë na dha 103 mijë metra tokë, që ndodhen në fshatin Linzë. Tashi këtë tokë e trashëgonte gjyshi im përpara lufte, e kishte blerë. Ne banomin në Tiranë, por tokën e kishim në periferi. Kështu e kishin të gjithë tiransit se Tirana ka qenë e vogël atëherë.
Kur erdhën komunistët, këto toka i mori shteti. Ne që jemi me emrin e Dalip Topit, Ibrahim Topit na ka kap reforma agrare, nuk ka kap reforma agrarere Ismail Topin, në Ndroq. Por na ka kap ne të Dalip Topit, toka të cilat i mori shteti shqiptar, një pjesë i bëri ferma, një pjesë kooperativa. Bëmë gjyqin, fituam me vendim të formës së prerë sipërfaqen e tokës, nga kjo sipërfaqe kemi marrë rreth 80 dynym me certifikatë dhe me tapi, dhe pjesën tjetër ua ka dhënë shteti fshatarëve me ligjin 7501.
Sa tokë keni pa marrë ende?
Ne me letra kemi 203 mijë dynymë tokë, kemi marrë vetëm 80 mijë dynym, ndërkohë që 123 mijë u është shpërndarë fshtarëve.
Ju e kërkoni këtë tokë që kanë marrë fshatarët?
Me këtë ligjin 7501 ne nuk e kërkojmë dot, sepse këtu zvarriten gjërat. Nuk ia vlen të hapësh gjyqe me secilin prej tyre, sepse janë shpenzimet e gjyqit. Ne për hir të së vërtetës ne jemi të kënaqur, pasi të paktën kemi marrë diçka nga prona jonë, ka të tjerë që nuk kanë marrë asgjë.
Po çfarë konflikti keni me Ismail Topin nga Ndroqi?
Ismail Topi nuk ka pronë fare në fshatin Linëz. Gjyshi i tij, i shiti pronat e veta dhe hyri kollovar në Ndroq. Nuk ka dokument pronësie gjyshi i vet, i shiti të gjitha. 24 dynym që kishte pronësi ia shiti gjyshit tonë, për të cilin ne kemi edhe dokumentin përkatës.
Këto 24 dynym ishin tokë bujqësore?
Po, flasim gjithmonë vetëm për tokë bujqësore. Dhe këtë dokument ku vërtetohet akti i shitjes së pronës nga gjyshi i Ismail Topit te gjyshi jonë, Dalip Topi, e ka Flamur Topi. Madje ne kemi prona edhe në Vaqarr, kemi edhe te rruga e Elbasanit, që nuk u kemi rënë mbrapa. Sepse pronat duan këmbë dhe mund për t'i marrë.
A jeni sqaruar ju me Ismail Topin se si qëndron e vërteta?
E vërteta qëndron kështu: Ismail Topi erdhi nga zonat e thella, nga kalaja e Ndoqit, me mbiemrin Topi, hyri e zaptoi repartin ushtarak në Linzë që është pronë e jona, në kundërshtim me çdo vendim dhe ligj. Ndërsa ne nuk e bëmë këtë gjë, pasi pritnim që ky objekt të nxirrej për privatizim nga Ministria e Mbrojtjes. Ai hyri, pagoi pare, madje arriti të nxirrte edhe dokumente pronësie.
Sa tokë është te reparti ushtarak?
Janë 29 mijë metra katrorë tokë.
Po si arriti të nxirrte dokumente, kur kjo pronë ju përket juve?
Ai hyri te reparti ushtarak, në vitin 1996. Ne e takuam dhe i thamë: Çfarë bën ti këtu se kjo është pronë e jona. Por ai na tha se unë vetëm po qëndroj këtu, nuk po u bëj ndonjë gjë. Dhe ne e lamë. Më pas morëm vesh se ai ka arritur të shesë tokë me letra dore, pa marrë tapi. Ndërsa në vitin 1997, bën një gjyq, pa ditur gjë ne fare dhe merret një vendim sipas të cilit Ismail Topit i njihen 10300 metra tokë, kur në të vërtetë trashëgimtari i atyre trashëgonte një dynim tokë. Gjyqtari që bëri gjyqin, nga 1.000 metra i shtoi një zero dhe e bëri 10 mijë metra, madje shtoi edhe 300 metra të tjera që t'i merrte vetë.
Gjatë ditëve të fundit po përflitet se Bamir Topi i ka vjedhur pronat Ismail Topit, a është e vërtetë kjo?
Në të vërtetë unë jam pak i pakënaqur nga Bamiri, pasi ai nuk na ka ndihmuar fare për të marrë pronat. Ai madje nuk është përzier fare me këtë çështje dhe i ka nënshkruar nj prokurë, të vëllait, Flamur Topit, që të merrej me çështjen e pronave. Duke pas një funksion shteti, Bamiri ka preferuar të qëndrojë i tërhequr. Më çështjen e pronave jemi marrë unë, Flamur Topi, djali i xhajës që ka marrë emrin e gjyshit Dalip Topi, dhe nje tjetër djalë xhaxhai që ka vdekur. Bëmë gjyqin, u bë ekspertiza, me dokumente dhe ne fituam pronat tona. Kjo është e vërteta.
Po kur bëtë gjyqin që iu njohën pronat a ju kërkoi pjesë Ismail Topi?
Shiko tani, kur ne bëmë gjyqin, me tapinë tonë ku thuhet: Dalip Topi i blen Ismail Topit 24 dynymë tokë, dokument të cilin e ka Flamuri. Pra këtë pronë ai ia shiti gjyshit tim dhe u zhvesh pa pronë fare, pasi pjesën tjetër që kishte Ismail Topi, e kishte në përdorim, jo pronë të tijën. Ai kishte ¼ që ishte pronë shtetërore, ndërsa ¾ ia bleu gjyshi im. Ky me këtë tapi tani, ku thuhet se gjyshi im i blen Ismail Topit 24 dynymë, arrin të marri 60 dynymë tokë.
Ku ndodheshin këto toka?
Ata nuk ishin brenda perimetrit të tokës sonë, por ishin andej nga kodra e hotelit të arabëve. Ishin pyll. Ky i mori dhe i shiti. Në një kohë që atëherë pretendonte edhe te reparti ushtarak në '96. Dhe na tha neve: unë tërhiqem nga reparti ushtarak, por më një kusht që të mos më nxirrni pengesa për tokën që do të marr, për 60 dynymëshin. Dhe për këtë na lëshoi një deklaratë, të cilën e ka Flamur Topi. Ne pasi e menduam ramë dakord se ishte më mirë kështu se sa të endeshim në gjyqe, pasi në fund të fundit ajo tokë që donte të merrte ai nuk ishte e jona, po ia dha shteti le t'ia japë.
Pra nuk është e vërtetë që Bamir Topi i ka marrë pronat Ismail Topit?
Absulotisht jo! Po qe se ia ka marrë Bamir Topi, ia kam marrë unë, Fatmir Topi, pasi Bamiri nuk është marrë fare me këtë punë. Bamirin e sulmojnë se tani është kryetar shteti dhe kanë probleme politike.
Ju a e keni të afërm Ismail Topin që iu kërkon pjesë?
Ka dy versione. Versioni i parë është real, që gjyshi i tij, Ismaili ka ardh në vitin 1860 nga Sopoti i Dibrës, nga Zerqani, ka vrarë atje dhe ka ardhur këtu. Pala atje që ka humb njeriun e ka marrë vesh që ai është fshehur në Tiranë, ka ardhur në Tiranë dhe ka ble këto 24 dynymë tokë që ne nuk e dimë se kujt ia ka blerë. Vdiq ai dhe la djalin e vet Ismail Topin. Këta thonë tani që ne e kemi të afërt atë. Kurse pala ime, të paktën deri kur ka vdekur Ramazani, djali i xhajës tim, pak vite më parë, thonë ne nuk i kemi gjë, ne jemi trung krejt tjetër. Unë se kam jetuar atë kohë dhe bëhet fjalë për rreth 200 vjet më parë. Megjithatë kjo nuk ka të bëjë shumë. Këtu bëhet fjalë për dokumente. Nëse ne i kemi marrë pronat këtij zotërisë, le të na hedhë në gjyq dhe të na marri pronën, siç e kam hedh në gjyq unë atë që t'i marr repartin ushtarak që është i joni.
Ju e keni hedh në gjyq për repartin ushtarak?
Po, kemi bërë padi për të. Para tre muajsh madje kemi vajtur në prokurori dhe kemi denoncuar pasi një pjesë të tokës sonë e ka shitur dhe një pjesë tjetër e ka dhënë për shesh ndërtimi, madje ishte hap edhe gropa, por tani janë pezulluar punimet. Tani ia kemi bllokuar edhe në hipotekë, pasi e kishte marrë letra, i ka falsifikuar sigurisht, ia kemi bllokuar edhe në komunë. Këtu ka hyrë leku, se ndryshe s'ka se ta ketë marrë letrat në hipotekë. Dhe unë flas me përgjegjësi, se jemi nëpër gjyqe që prej 15-16 vjetësh dhe nuk po marrim dot pronat tona. Dhe nuk ka ndërhyrë as Bamir Topi, për të cilin ne madje kemi vërejtje, pasi nuk ka ndihmuar. Por sot mendoj që ndoshta ka bërë më mirë që nuk na ka ndihmuar po ia përmendin emrin kot, jo po të kishte bërë gjë.
Po pavarësisht se ai nuk ka ndërhyrë direkt, mund t'iu ketë ndihmuar edhe fakti që ai është president, politikan...?
Nuk është se i kemi marrë nën hijen e atij, por ne kemi dokumente. Kush akuzon duhet të mbajë edhe përgjegjësi.
Berisha ka thënë se ju i keni marrë tokat si kooperativistë...
Ne nuk kemi pretenduar e as kemi deklaruar se kemi qenë kooperativistë, se po të deklaronim ne atëherë kemi mashtruar shtetin. Është mentalitet komunist, fatkeqësi të mendosh se kush ka qenë kooperativist të marrë pronë. Ne kërkojmë atë që e kemi me dokumente. Nëse Berisha mendon se tokat duhet t'i marrë vetëm kooperativisti, atëherë ky është fundi, dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë tjetër veçse t'i drejtohemi gjykatës së Strasburgut.
(sg/shqiptarja.com)