DURRES - Arrestohet në afërsi të Shën Pjetrit në Durrës, autori i vrasjes së biznesmenit Arben Hasa. Miran Tila, 43 vjeç nga fshati Manëz u kap nga policia e Durrësit në fshatin Rreth të Manzës në një zonë të pyllëzuar, ku dyshohet se ishte fshehur. Po ashtu uniformat blu kanë gjetur dhe i kanë bllokuar atij edhe armën e krimit “Kallshnikov”.
 
Burime për Shqiptarja.com thanë se vendndodhja e autorit u zbulua pasi kishte celularin ndezur dhe kishte pasur komunikime me familjarët e tij. Kanë qenë të afërm të tij të cilët ndihmuan me negociatat për arrestimin e Tilës. Ky i fundit ka pranuar autoresine e krimit.

Sipas burimeve të policisë ai dyshohet se ishte fshehur në një banesë të braktisur në këtë zonë, fakt për të cilin pronari i saj nuk kishte dijeni. Tila, mësohet se është ndaluar në momentin kur kishte shkuar për të takuar një mik të tij në këtë zonë, i cili mund ta ndihmonte për t’u arratisur. Pronari i banesës ku mendohet se ishte strehuar Tila, po ashtu u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë vendore në Durrës, ku ka dhënë sqarime përkatëse për hetuesit. 

mirian tila

Vrasja e biznesmenit Arben Hasa ndodhi mbrëmjen e së 3 dhjetorit në afërsi të fshatit Manëz në Durrës. 43-vjeçari Tila mësohet se mbrëmjen kur ka ndodhur vrasja, i ka kërkuar shokut të tij ta shoqëronte deri në banesë me automjet. Autori i krimit me vete kishte marrë dhe armën e zjarrit kallashnikov. Sipas policisë kur viktima është afruar pranë zonës ku jetonte Miran Tila, ky i fundit e ka qëlluar dy herë brenda automjetit me armë zjarri duke e lënë fillimisht të plagosur. I dëmtuari, Arben Hasa mësohet se ka dalë nga makina në tentativë për të shpëtuar, por që është ndjekur për rreth 100 metra nga autori, i cili e qëlloi edhe tre herë të tjera duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë u zbulua mëngjesin e së enjtes, ku Arben Hasa, u gjet i vrarë në fshatin Manëz të Vjetër.
 
Gjithçka sipas policisë ndodhi pas sherrit që Hasa kish pasur me shokun e tij Miran Tila në lokal. Grindja mes tyre ishte shuar, por mesa duket jo mbyllur.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)