Flet vajza e Feim Ibrahimit:
Veprat e panjohura të babait tim

Flet vajza e Feim Ibrahimit:<br />Veprat e panjohura të babait tim
Etrita Ibrahimi është vajza e kompozitorit të shquar Feim Ibrahimi. Ajo jeton dhe punon në Itali. Kujtimet me të atin e lidhin që kur vuri duart për herë të parë në piano, në moshën 4-vjeçare.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com” ajo rrëfen për sekretet e një kompozimi të paluajtur më parë të babait të saj, të zbuluar vetëm pas 28 vjetësh. Bëhet fjalë për një vepër për formacionin klasik të kuartetit të harqeve, dy violina, violë dhe violonçel. Kompozimi nuk ka një titull të veçantë, por është një vepër e plotë ciklike me tri kohë: Allegro moderato – Andante sostenuto – Allegro giocoso, që u kompozua në vitin 1989 dhe që deri më sot nuk është luajtur akoma, sepse deri vonë ka qenë pjesë e dorëshkrimeve të tij, rrëfen e bija e kompozitorit.

Lajmin për ekzistencën e kësaj vepre e ka bërë publik violinisti i njohur Florian Vlashi, i cili e konsideron këtë si një vepër “sekrete”, për arsye se është në dorëshkrim dhe pa një titull të caktuar. Vlashi ka pohuar gjithashtu se kjo vepër e panjohur e kompozitorit të shquar shqiptar Feim Ibrahimi “do të luhet për herë të parë në një koncert që do të zhvillohet në Akademinë Mbretërore të Madridit së bashku me kompozitorë të shquar botërorë”.

Pjesë e ktij koncerti do të jetë edhe Etrita Ibrahimi, e cila do të interpretojë në piano.  Me këtë rast vajza e kompozitorit zbulon për “Shqiptarja.com” historikun e partituturave dhe emocionet që ka për interpretimin e kësaj vepre në një qendër të rëndësishme të artit botëror.

Etrita Ibrahimi rrëfen sekrete të tjera për jetën dhe veprën e kompozitorit. Ajo thekson se në arkiva ka ende shumë dorëshkrime të tjera të panjohura, për të cilat asaj i duhet të kthehet në Shqipëri, sepse duan kohë dhe punë për t’u botuar.
 
Intervista 
Etrita a mund të na zbuloni për publikun se çfarë përmbajtjeje ka vepra e panjohur e babait tuaj?
 
Vepra e babait tim, kompozitorit Feim Ibrahimi, është një Kuartet Harqesh, domethënë një vepër për formacionin klasik të kuartetit te harqeve, dy violina, violë dhe violonçel. Nuk ka një titull të veçantë dhe rrjedhimisht nuk është vepër me program, por është një vepër e plotë ciklike me tri kohë: Allegro moderato – Andante sostenuto – Allegro giocoso, që u kompozua në vitin 1989 dhe që deri më sot nuk është luajtur akoma sepse deri vonë ka qenë pjesë e dorëshkrimeve të tij, edhe pse ai vetë e ka redaktuar dhe e ka lënë gati për t’u luajtur.
 
Cili është roli juaj në koncertin që do të mbahet në Akademinë Mbretërore të Madridit? 
Në koncertin që do të zhvillohet në Akademinë Mbretërore të Madridit, do të jenë të përfshira disa vepra të muzikës kontemporane, ndër të cilat unë do të luaj “Duo concertante n. 3” për violinë dhe piano, të kompozitorit spanjoll, Tomas Marco, një nga emrat më të rëndësishëm bashkëkohorë, nxënës i B. Maderna, K. Stockhausen, G. Ligeti, P. Boulez, etj., një kompozitor ky, që ka influencuar shumë jetën muzikore të Spanjës nëpërmjet punës së tij si kritik, botues, pedagog dhe administrator. Vepra tjetër që do të luaj titullohet “Cómo es” dhe është një vepër me tri kohë e kompozitores spanjolle Mercedes Zavala, e cila i përket një gjenerate më të re dhe përveç krijimtarisë, është edhe pedagoge e kompozicionit në Konservatorin “Teresa Berganza” të Madridit.
 
Si ka qenë marrëdhënia profesionale me babanë tuaj? A mund të na sillni disa kujtime të çmuara?
Lidhja profesionale me babanë tim ka filluar shumë herët...që në momentin që kam vënë duart në piano për herë të parë, kur isha vetëm 4 vjeç. Sigurisht kjo “marrëdhënie” profesionale kishte brenda dashurinë sublime të babait për fëmijën e tij të vetëm dhe dëshirën e çdo prindi për ta edukuar atë në mënyrën me të mirë të mundshme.
Mësimet e para të pianos i mora prej tij dhe më pas më ndiqte gjithmonë dhe përpara çdo provimi, konkursi, apo koncerti, ai dhe mami, ishin “juria” ime...! Nuk kujtoj të më ketë thënë ndonjëherë që isha e përsosur, që çdo gjë që luaja nuk kishte nevojë për përmirësim, përkundrazi...çdo herë më thoshte fare thjesht: “Mirë, por ka edhe më mirë!” dhe më pas më thoshte gjithçka që nuk i kishte pëlqyer dhe që duhej ta rregulloja. Megjithatë kishte shumë besim tek unë dhe që kur isha 10 vjeç, luajta si soliste me orkestrën e shkollave të muzikës së Tiranës një pjesë për piano dhe orkestër, të kompozuar enkas për mua. Dy vjet më pas shkroi “Fantazi për Piano dhe Orkestër, të cilën ma besoi përsëri. Në të dyja rastet mbeti i kënaqur dhe më pas më stimulonte gjithmonë që të studioja sa më shumë për të arritur rezultatet më të larta sepse ai ishte i mendimit që një instrumentist duhej të jetë i shkëlqyer, përndryshe mund të zgjedhë një profesion tjetër, pasi të jesh instrumentist kërkon përveç talentit, edhe shumë punë e sakrifica, pa të cilat nuk mund të arrish aty ku duhet për të qenë një artist i vërtetë.
Momenti më i dashur për mua ka qenë koncerti i 60-vjetorit të tij, në të cilin u luajtën veprat e tij me të mira dhe unë pata fatin qe babi të më besonte përsëri një vepër tepër të dashur për të: Koncertin n. 2 per Piano dhe Orkestër, shkruar në vitin 1975, luajtur mjeshtërisht nga Margarita Kristidhi dhe më pas të censuruar menjëherë nga diktatura komuniste si vepër mistike dhe me tendenca tragjike. Pas 20 vjetësh censurë, unë pata fatin ta luaja në këtë eveniment dhe ishte një përgjegjësi e jashtëzakonshme, pasi Koncerti n. 2, është një ndër veprat më të vështira të literaturës pianistike shqiptare (për të mos thënë më e vështira). Gjatë periudhës së studimit, babi më inkurajonte gjithmonë dhe më thoshte që unë do ta luaja më së miri, megjithatë konfirmimin e kësaj e mora në momentin që në fund të koncertit, më dhuruan një tufë me lule dhe unë shkova t’ia jepja atij. Shumë i emocionuar u ngrit dhe me kokën mënjanë (siç e mbante gjithmonë), më përqafoi fort dhe më pëshpëriti shumë shkurt: “Bravo, të lumtë...!”. Ishte hera e parë dhe e fundit që dëgjova këto fjalë, të thëna prej tij...! Fotografia e këtij momenti me shoqëron çdo ditë...në shtëpi dhe në studion time, në Teatrin e Operës, ku unë punoj aktualisht. Qëndron mbi piano dhe më kujton çdo ditë sa fat kam pasur që linda në një familje të tillë, me dy prindër të tillë, si Feim dhe Vera Ibrahimi...!
 
A është studiuar vepra e Feim Ibrahimit sa duhet? Ka ende vepra të pabotuara?
Studime kritike janë kryer ndër vite: punë diplome te studentëve të Akademisë së Arteve ose artikuj kritikë të shkruar me rastin e përvjetorëve të ditëlindjeve të babait tim edhe nga personalitete te tilla si Georges Leotsakos apo Rafet Rudi. Një studim i mirëfilltë i të gjithë opusit të tij, nuk është bërë. Do të ishte me shumë interes që një studim i tillë të kryhej, të botoheshin edhe libra për këtë qëllim dhe mbi të gjitha, historia e muzikës shqiptare duhet të studiohet në shkolla, pasi brezat e rinj nuk i njohin më kompozitoret shqiptarë, ata qe krijuan muzikën e këtij kombi. 
 
Në lidhje me botimin e veprave, pas 22 vitesh studimesh dhe jete ne Itali, unë kam ardhur në Shqipëri dhe arsyeja për të cilën jam këtu, janë pikërisht veprat e babait tim. Disa prej tyre janë të botuara, disa i kam dixhitalizuar dhe disa të tjera janë në proces, por ka akoma shumë dorëshkrime të cilat duan kohë dhe punë për t’u botuar. Gjithashtu babi ka lënë shumë materiale të papërfunduara, të cilat ai i ka filluar ndër vite dhe i ka lënë mënjanë për t’iu rikthyer më pas, por për shkak të angazhimeve të shumta si nëndrejtor i Institutit te Arteve, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe më pas drejtor i Teatrit të Operës, nuk ka arritur t’u rikthehet më atyre dhe janë në bibliotekën e familjes sime. Do të kisha dashur shumë që unë të isha kompozitore dhe t’i përfundoja, por fatkeqësisht nuk jam dhe ato janë në pritje të ndonjë dishepulli të tij, që uroj të mos vonojë edhe shumë...!

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar