TIRANE- “Isha 10 vjeç atëherë kur po kaloja tunelin në të dalë të fshatit dhe këmbët më shkelën një minë e për pasojë humba përgjithmonë të dyja këmbët”. Kështu e nis historinë Fllanxa Murra nga Zallshoshaj e komunës Komsi të rrethit Mat.

Ishte viti 1999 kur si pasojë e aksidentit humbi gjithë këmbën e djathtë dhe gjymtyrën e poshtme të këmbës së majtë. Që atëherë për të nisi një tjetër jetë, ajo e mbylljes në shtëpi deri në momentin kur vuri protezat. E gjithë fëmijëria e saj ka kaluar mes vështirësive deri në momentin kur për të u hap një dritë jeshile ku një prej shoqatave që operon me personat me aftësi të kufizuar, i mundësoi vendosjen e protezave të duhura për këmbët. falë ndërhyrjeve të realizuara në Slloveni, sot ajo mundet të ecë me anë të patericave.

“Në Slloveni kam shkuar gjatë periudhës së shkollës së mesme, atje pashë një tjetër realitet. Personat e gjymtuar si unë mundeshin të ecnin me lehtësi falë protezave që prodhoheshin në vend. Atje vendosa dhe protezat për këmbët e pas shumë seancave të fizioterapisë u ktheva në fshat me këmbët e mia të protezuara”, thotë e reja. Por ndërsa një moment ajo ka menduar se me vendosjen e protezave jeta e saj do të ndryshonte tërësisht, tashmë nevojat e saj janë shtuar për shëndetin, kjo pasi kanë kaluar 4 vjet dhe Fllanxa nuk i ka ndërruar protezat.

Për pasojë nuk lëviz dot. Tani që është rritur, muret e vjetra të shtëpisë, dhoma e varfër nuk e mban dot brenda. Fllanxa ka shumë ëndrra por jeta ia mori padrejtësisht ato.

E vetmja dëshirë e saj sot mbetet largimi nga fshati, por mungesa e protezave bën që të rikthehet në gjendjen e saj, duke humbur të gjitha shpresat se do jetë njësoj si të tjerët. Fllanxa thotë se e do shumë miqësinë me njerëzit, kërkon të krijojë njohje të reja. Por... ëndrrat iu ndërprenë në moshën 10 vjeç, ndaj sot kupton dhe kërkon më shumë nga shteti, që ajo të ndihet si gjithë bashkëmoshatarët e saj, që aftësia e kufizuar, të mos e privilegjojë nga arsimimi apo dëshirat e tjera. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)