Flutura Açka: VIP-at dhe
politikanët nuk i njohin gratë e tyre

Flutura Açka: VIP-at dhe <br />politikanët nuk i njohin gratë e tyre
Një gazetare e suksesshme, por që nuk harron të bëj botoks dhe fryn gjoksin me silikon, quhet kukulla 30. Një artiste jo shumë e njohur, por që jeton me një biznesmen të madh dhe ëndërron të ketë dashnor mban emrin Kukulla 24. Ai që quhet thjesht “Shkrimtari i madh kombëtar” shfaqet me një pardesy demode me bashkëshorten në krah në rrugët e kryeqytetit. Një tjetër kukull takon ish të dashurin VIP, mikun e shtrenjtë Kryebashkiakun, i cili tashmë bisedon me të veç për të blerë kollaren dhe brekushet e duhura....

Mbi 100 personazhe kukulla e kanë veshur romanin e Flutura Açkës me 100 mistere dhe intriga provokuese mbi realitetin tonë politik dhe shoqëror. “Kukullat nuk kanë atdhe” është provokues dhe njëkohësisht një rrëfim dramatik dhe satirik mbi shoqërinë shqiptare sot, ndaj në promovimin e këtij libri pati një pjesëmarrje të madhe të personaliteteve të politikës, artit dhe kulturës. Shkrimtarja Açka u shpreh se “ky libër në fetus nisi t’u dedikohej grave të dhunuara”, por libri shpërtheu nga inkoshienca e saj si krijuese dhe përfshin faktorët që sjellin këtë realitet, “këtë teatër të shtirur”, siç e quan ajo. Duke lexuar romanin bëhen transparentë personazhe të njohur dhe realë, ku në thelb shkrimtarja i drejtohet mënyrës sesi udhëhiqet shoqëria shqiptare. “Politika e sotme na përdhunon”, thotë shkrimtarja, duke u ndjerë më pranë me njërën nga personazhet e saj, “por nuk jam kundër politikës”. Ndërsa deputetja e PS-së Vali Leskaj, e pyetur se si shpjegohet prania e saj si politikane në këtë promovim shprehet se “Si politikane mua më sjell në këtë promovim vetë krijimtaria Flutura Açkës, e cila është një shkrimtare shumë e suksesshme”. Shkrimtarja Diana Çuli u shpreh e ngazëllyer për ardhjen në letrat shqipe me një fuqi “të jashtëzakonshme artistike”, siç e vlerëson ajo të autoren Flutura Açka. “E kam festë ditën kur vjen një shkrimtare e suksesshme, siç është Flutura Açka, dhe më vjen mirë që aktualisht letërsia shqiptare po dominohet nga gratë, siç po dominohet edhe letërsia evropiane sot. Titulli është shumë i gjetur. Jam duke e lexuar dhe do bëj posaçërisht një shkrim për vlerat e librit, thotë shkrimtarja Çuli duke theksuar se “ Ky roman ka stil origjinal sintetik, të përpunuar”. Ndërsa për idenë e këtij romani vetë Flutura thotë se ka kohë që e ka munduar. E nisa me një realitet për gratë, por në fakt më rezultoi më shumë si një libër për shoqërinë shqiptare”. Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli shprehet se ndihet shumë i intriguar nga titulli dhe mezi pret ta lexoj “për të njohur realitetin e kukullave”. Analisti Fatos Lubonja është ai që ka lexuar kopjen e parë. Shprehet entuziast për këtë libër: “Libri ishte një lloj konfrontimi me realitetin dhe pashë se unë ndaj shumë gjëra me Flutura Açkën për sa u përket këtyre 20 vjetëve që po përjetojmë kalbëzimin e një kufome të shoqërisë së një realiteti të degraduar. Duke ndarë të njëjtin përjetim, të njëjtat ndjenja, unë dal në konkluzion se e vërteta është kjo. Jemi në periudhën e kalbëzimit të kësaj shoqërie, tha Lubonja. Edomnd Tupja, përkthyesi i poezive të Açkës, pasi shpreh vlerësimin për stilin dhe gjeturinë artiske, shprehet se “është dramatike që atdheu ynë ka shumë kukulla dhe nga ana tjetër kukullat nuk kanë atdhe”. Por siç shprehen lexuesit e parë, libri ka qëlluar të jetë dhe mjaft provokativ dhe i fortë në thelb, ndryshe nga natyra disi e ndrojtur e poetes dhe shkrimtares Flutura Açka. Ajo ka zhveshur petkun e gruas në jetën e përditshme dhe ka veshur petkun e shkrimtares së guximshme. Duke shprehur një realitet tonin që s’ka kush guxim ta shprehë dhe shumëkush as nuk do të dinte ta shkruante, vetë shkrimtarja Flutura Açka thotë se “Këtë libër do t’ua rekomandoja burrave, që t’i njohin mirë gratë”. Ndërsa në intervistën për “Shqiptarja.com”, Açka rrëfen ngacmimet e saj që çuan në një roman të ri dhe plot vitalet të letërsisë shqipe. 

Flutura ju vini në letërsi këtë herë me një vepër letrare që krijon marrëdhënie të forta me realitetin politik dhe social shqiptar. Me sa kam lexuar, libri juaj është vërtetë provokues. Sa të është dashur për të projektuar këtë roman?

-Ka vite që është akumuluar. Është një roman shumë planesh, duket si pikënisje femra, gruaja, por këtu përfshihet një shoqëri dhe romani im përmblidhet tek atdheu.

Në këtë roman shfaqet shumë pranë së vërtetës ajo që shpesh ne e kemi dëgjuar prej rubrikave të thashethemeve. Jetojmë ne këtë realitet? Tek romani juaj mund të njohim disa personazhe realë që t’i i emërton si Kukulla nr.30, për shembull, pse?

-Unë kam dashur të hyjë në qelizë të gjërave. Prapa kësaj maske ekranesh, prapa kësaj maske “make up”-i, çfarë qëndron në fakt. Vërtetë kjo gruaja e këtij deputeti apo biznesmeni të madh është ajo gruaja e realizuar siç po duket. Kjo gazetare e famshme a është vërtetë gruaja, e cila perceptohet në sytë tanë, apo çfarë fshihet në këtë maskë. Sa i thellë ishte ky realitet që endet për shumë kohë në sytë e mi...? Dhe  më rezultoi se helmi, e keqja ishte shumë më e keqe nga sa perceptoja unë. Mua më është dashur shumë të shkëputem nga Flutura për të zbuluar atë pjesën që është dhimbja njerëzore e gruas që ne nuk e kuptojmë. S’e kuptojmë këtë realitet kaq të zymtë, e injorojmë dhe në harrojmë se këto pjesë janë bashkë me jetën. Shkruaj për gruan që po plaket dhe në fakt nuk ka jetuar. Kjo është tema që më ka shqetësuar.

Kukullat duket sikur kanë lindur nga një “mama e madhe”, që do ta quaja “Mama Stresi”, derisa ato dalin në jetë. Pse i konceptove kështu?


-Doja të justifikoja kukullat e mia si personazhe, t’i nxirrja në këtë realitet që jetojmë, që lexuesi t’i pranojë si kukulla. Në fakt ato janë të vërteta, janë gra, janë zonja, janë motra, janë të dashura, janë vajza, janë “toy girls”, këto vajzat që shoqërojnë politikanët, VIP-at, janë vajza të paguara. Ka plot të tilla në romanin tim që janë pjesë e këtij realiteti që herë-herë është shumë i vrazhdë, herë shumë i dhembshur, që në fakt mbase është ekskluzivisht satirik. Nuk e kam shkruar enkas, por më ka ardhur në këtë lloj frymëzimi. Ndoshta për vite të tëra kam qenë grua e mbushur me helm. Ngadalë, ngadalë, ky realitet i përbindshëm është ai që doja të vinte. Unë thashë si duhet të bëja në këtë realitet gri që të shkatërron përditë për të ngritur vetveten. Si një mburojë për vete dhe gratë që më rrethojnë.


Ka këtu personazhe që për kohën që po jetojmë duken qartë se për cilët bëhet fjalë, përfshi dhe shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Duket qartë që është ai në roman. Nuk merakosesh që nëpërmjet një ironie të hapur do të preken këto personazhe?

-Nuk besoj se nuk jam marrë personalisht me ta. Mua këto personazhe më rrethojnë se janë përreth nesh. Veçanërisht Kadarenë e dua shumë si shkrimtar, por unë nuk mund të mos përshkruaj atë realitet që më rrethon, që e prek. Nuk mund të bëj sikur nuk e shoh. Janë personazhet që nuk i njoh vetëm unë, i njeh secili prej nesh. Unë kam marrë detajet në konsideratë.

Politika dhe politikanët tek libri juaj kanë hyrë në shtratet e çifteve, sidomos në marrëdhëniet dashurore dhe erotike. Pse ky fokusim?

- Jeta jonë është bërë e gjitha politikë. Konsumojnë politikë. Ne jemi të përdhunuar nga politika. Dhe jeta njerëzore, ndiesore është shumë më e gjerë se politika, por ajo e dominon jetën tonë në mënyrë të tmerrshme dhe kjo është pjesa më tragjike.

Ç’marrëdhënie paska ka moda me politikën. Me disa detaje nëntekstuale ju ironizoni luksin e reklamuar që nis me veshjet “Barrbery” apo “Versace”, ku personazhet duken shumë të varur?

-Ne e shikojmë edhe vetë, po të hedhësh një sy në këto party-t e famshme, sheh njerëz me kostume që kushtojnë shumë shtrenjtë dhe asnjë rrogë e një nëpunësi më të lartë nuk e justifikon. Ku i gjejnë, si hyjnë e dalin këto para. Asnjë nëpunës shtetëror, qoftë edhe një kryeministër nuk mund të ketë dot një kostum “Versace”, duke përdorur rrogën. Ky është një teatër luksi kaq I shëmtuar sa mua më bie në sy.

Vajzat kukulla, ç’marrëdhënie kanë me ty si shkrimtare, si femër?


-Janë një pjesë e imja. Kanë marrë diçka prej meje, ku kukulla në fakt personifikojnë njeriun që sillet në kushte ët caktuara, ndryshe nga ç’duhet të sillet. Ajo zakonisht vesh me ngrohtësi ajrin, ose ndryshe atë klimë të vrazhdë të politikës. Ky pozicion nuk më pëlqen. Kjo është një lloj revolte, që një grua të mos ndihet kukull asnjëherë, të mos vlerësohet më ashtu. Nuk e them kukull për ta fyer femrën, por thjesht për ta ngacmuar që ajo kurrë të mos ta lejojë veten të kthehet në kukull, sepse do të përfundoj si personazhet në romanin tim.


Flutura zakonisht duket një nga ato vajzat me edukatë që skuqet nga fjalët e vrazhda ose të pista. Në roman ke thyer mjaft tabu të etikës tënde me fjalorin erotik?


-Është e vërtetë që këtu ka një dukuri të tillë. Dikush që e lexoi dhe më njeh mirë, ishte çuditur dhe tha si është e mundur se ti nuk flet kurrë me një fjalor të tillë. ‘Aty ka folur shkrimtarja’, i thashë. Si mund ta shpreh ndryshe një personazh që është ashtu në realitet. Personazhi është në ato nivele erotizmi që i duhet të flasë me atë gjuhë.

“Dhembshuria” është një fjalë-kalesë për lexuesin. Kujt ia dedikon dhembshurinë?


-Dhembshuria është pjesë e jetës. Natyrisht personazhet e mi jetojnë në një realitet të cilin edhe unë e kam jetuar, sepse i kam thënë vetes edhe sikur të jetë gri ky realitet unë do të shkoj ta njoh. Kjo ka qenë pjesa më vështirë për ta kapërcyer qytetaren Flutur dhe shkrimtaren Flutur. Qytetarja është shumë e revoltuar, por s’duhet të jetë edhe një shkrimtare e cila revoltohet për çdo gjë. Tek dhembshuria, prekja e jetës nis shkrimtarja të fitojë në luftën mes Fluturës dhe Shkrimtares për të qenë e besueshme për lexuesin. Ka qenë një betejë shumë e madhe.

Kujt do t’ia rekomandoje më parë librin tënd?

Para se të them emra të veçantë, unë do tua rekomandoja burrave shqiptarë, përfshi edhe VIP-at dhe personalitetet që nuk e njohin gruan. Ata kujtojnë se njohin gruan shqiptare, por nuk e njohin fare. Besoj se burrat dhe gratë do të gjejnë vetveten aty, të vërtetën që i bren. Ky roman është kundër asaj politike që ka dëmtuar pjesën më të mirë shqiptare, jo kundër politikës vetë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ