FMN dhe BB vijnë në Shqipëri
në korrik për situatën financiare

FMN dhe BB vijnë në Shqipëri<br />në korrik për situatën financiare
TIRANE - Në datën 17 korrik në Shqipëri mbërrijnë përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, për të parë nga afër situatën e vërtetë të financave të vendit, por edhe sektorit bankar, në kushtet kur në Shqipëri kreditë e këqija kanë kapur një të katërtën e portofolit të kredive.

Kjo datë konfirmohet edhe nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë. Programi që do të monitorojë gjendjen ekonomike të Shqipërisë FSAP, do të ketë dy qëllime kryesore: vlerësimin e stabilitetit financiar dhe asistencën teknike se si mund të garantohet një rritje e lartë ekonomike.

Por burime pranë Bankës Botërore konfirmojnë se edhe situata e tranzicionit të pushtetit ka përshpejtuar ardhjen ekspertëve të huaj në vend, të cilët në fund të raportit do të nxjerrin konkluzionet dhe rekomandimet që duhet të ndjekë Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave.

Ndërkaq të tjera burime nga Banka Qendrore thonë se, në bazë të raportit përfundimtar që FMN dhe Banka Botërore do të bëjnë, mund të merret në konsideratë edhe dhënia e një fondi prej disa miliona dollarëve për mbështetje buxhetore.

Nëse paratë do të merren, atëherë qeveria duhet të bëjë kërkesë zyrtare për kthimin e Fondit Monetar me përfaqësinë e tij të dikurshme në Shqipëri, duke pranuar edhe monitorimin nga afër të situatës makro dhe shpenzimeve të qeverisë, çka është mohuar prej disa vitesh nga qeveria Berisha.

Një vit më parë situata e vështirë e financave të vendit bëri që Banka Botërore të miratonte një shumë prej mbi 100 milion dollarësh për mbështetje buxhetore për Shqipërinë, marrëveshje e cila nëse do të konkludohej kishte si kusht kryesor uljen e nivelit të borxhit publik, por kjo nuk arriti të realizohej nga qeveria shqiptare.

Ndërkohë Shqipëria humbi disa vite më parë edhe ndihmën që jepte Banka Botërore për vendet e prekura nga kriza në rajonin e Ballkanit, për shkak të shifrave të mira të rritjes ekonomike, fonde nga të cilat përfituan Kroacia dhe Serbia.

Berisha, për të realizuar shpenzime të mëdha e të pajustifikuara, si në rastin e rrugës së kombit, preferoi të mos rinovonte kontratën me FMN-në, nga e cila përfitoheshin kredi të buta. Ai vendosi të marrë kredi me terma tregtare, me kosto të lartë, duke shmangur monitorimin nga ana e Fondit, ndërkohë që hoqi edhe kufirin për borxhin publik.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore