FMN i bën thirrje Bankës Qendrore Evropiane të vazhdojë me rritjen e normave të interesit

FMN i bën thirrje Bankës Qendrore Evropiane të vazhdojë me rritjen e normave të interesit

Logoja e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Bankës Qendrore Evropiane që të vazhdojë të rrisë normat e interesit deri në mesin e vitit 2024, dhe kërkoi nga ministrat e Financave të Bashkimit Evropian të ashpërsojnë politikat fiskale përmes veprimeve të bashkërenduara për të ulur nivelin e inflacionit.

Kreu i FMN-së për Evropën, Alfred Kammer, tha se niveli i lartë i inflacionit është shqetësimi më i madh.

Ai këto komente i bëri më 28 prill para një takimi me ministrat e Financave të BE-së dhe guvernatorët e Bankës Qendrore Evropiane.

“Rekomandimi ynë kryesor, sa i përket politikave, është ta mposhtim inflacionin dhe kjo nënkupton se duhet të përdorim instrumentin e politikës monetare. Për Bankën Qendrore Evropiane kjo nënkupton shtrëngim të mëtejmë, për një periudhë më të gjatë, ne vlerësojmë deri në mesin e vitit 2024, në mënyrë që të ulet inflacioni deri në synimin e caktuar diku në vitin 2025”, tha Kammer.

“Inflacioni është taksë, veçmas për të varfëritë, dhe ne duhet ta luftojmë”, shtoi ai.

Inflacioni në 20 shtetet që përdorin euron ishte 6.9 për qind në mars – krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak – por, inflacioni bazë, që përjashton luhatjet e mëdha në çmimet e energjisë dhe ushqimit, ishte 7.5 për qind.

Për të ulur inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa ishin në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti, por tregjet presin që kjo politikë të vazhdojë përtej vitit 2023.

Kammer tha se ministrat e Financave të BE-së duhet të ndihmojnë Bankën Qendrore Evropiane duke reduktuar stimujt fiskalë për ekonominë që ata përdorën gjatë pandemisë COVID-19 dhe vazhduan me aplikimin e tyre gjatë krizës së kostos së jetesës të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

“Inflacioni nuk mund të luftohet vetëm nga Banka Qendrore, na duhen politika fiskale që e mbështesin atë”, tha Kammer dhe shtoi se një ulje e deficitit buxhetor në shtetet e BE-së nuk u jetësua për shkak se pakot e ndihmës, që qeveritë dhanë për qytetarët për t’u përballur me çmimet e larta të energjisë, ishin në fuqi për një periudhë më të gjatë.

“Prandaj, ne tani rekomandojmë, pasi çmimet e energjisë po bien ... që pakot e kostos së jetesës të mos aplikohen apo që ato të jenë më të shënjestruara”, tha ai.

Çështja e balancës midis politikave monetare dhe fiskale, si dhe inflacioni janë në agjendën e bisedimeve të ministrave të Financave të BE-së dhe guvernatorëve të Bankës Qendrore, të cilët do të takohen në Stokholm të premten dhe të shtunën./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?