TIRANË- Ekonomia e Shqipërisë e ka përballuar goditjen e tërmetit dhe krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19, dhe këtë vit do të ketë një rritje prej 7.8%, e pasuar nga një përmirësim i mëtejshëm në vitin e ardhshëm prej 3.8%. Ky është vlerësimi i fundit i bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili nuk kursen shqetësimin mbi nivelin e lartë të varfërisë pasi në vitin e kaluar rezulton se 32.6% e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë dita, që është niveli më i lartë në rajon.
Shqetësimi tjetër i ngritur nga FMN është për pasigurinë që vijon të shkaktojë pandemia për shkak se rezistenca e varianteve të reja ndaj vaksinave anti-COVID, si dhe niveli i ulët i vaksinimit me dy doza në Shqipëri, vlerësohen se përbëjnë rrezik, dhe mund të shkaktojë shtrëngim të masave.
“Pas një bllokimi të rreptë në fillimin e pandemisë, valët e njëpasnjëshme të infeksioneve u menaxhuan me kufizime të së lehta. Vaksinimi masiv filloi në prill 2021, por deri më sot vetëm një e treta e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, një nga më të ulëtat në rajon, me rreth 2.5 milionë dozave të administruara. Mbi pasiguri të konsiderueshme trajektorja e ardhshme e pandemisë paraqet një rrezik të madh negativ, qoftë përmes shfaqjes së varianteve rezistente ndaj vaksinave apo shpërthimeve të lokalizuara në Shqipëri për shkak të vaksinimit më të ngadaltë se sa pritej”, thuhet në raport.
Rreziku tjetër që i kanoset rimëkëmbjes ekonomike sipas FMN është rritja e çmimeve, siç është kriza e paralajmëruar e energjisë elektrike të cilat mund të sfidonin vendin, dhe do të çonin në përkeqësim të pozicionit fiskal të vendit. Nga ana tjetër FMN thotë se rreziqet fiskale janë rritur, krahasuar me vitet e kaluara, të ndikuara më së shumti nga rritja e borxhit publik si dhe nga kontratat koncesionare.
Në raport vlerësohet se përveç përpjekjeve që do të bëjë qeveria për të ulur borxhin i cili këtë vit do të kapërcej shifrën e 80%, duhet që qeveria të ketë në fokus monitorimin dhe menaxhimin më të mirë të kontratave koncesionare. FMN thotë se rritja e shpejtë e stokut të kontratave nga 33% e PBB-së në 2018 në 50% në vitin 2021 kërkon dyfishim të përpjekjeve për t’i kontrolluar dhe duhet të vendoset prioritet në kontrata, pasi përmbajnë rreziqe fiskale. Madje në raport thuhet se nuk ka një informacion të saktë mbi ekspozimin real fiskal të Shqipërisë ndaj koncesioneve, ndaj kërkohet të rritet transparenca.
(Kliko këtu për të lexuar raportin e FMN)