FNSH bllokon dy anije pa leje në
port, s'kishin dokumentacion

FNSH bllokon dy anije pa leje në<br />port, s'kishin dokumentacion
DURRES- Ankorimi i dy anijeve të vjetra në portin e Durrësit, të cilat ishin të destinuara për skrap dhe që u pretendua se kishin edhe rreze radioaktive, ka alarmuar të gjithë policinë, duke sjellë reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Brendshme, që ka urdhëruar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për bllokimin e tyre.

Bëhet fjalë për aksionin e djeshëm të FNSH-së dhe policisë kufitare të Durrësit, që bllokuan dy anijet e blera jashtë shtetit për t’u prerë për skrap si lëndë e parë për kombinatin metalurgjik në Elbasan.  Shkak për bllokimin e tyre u bë mungesa e dokumentacionit që duhej të shoqëronte këto anije. Por në mbështetje të policisë janë vënë edhe disa ambientalistë, të cilët i kanë konsideruar  anijet e destinuara për skrap, njëlloj si importimi i plehrave, që u bllokuan me vendim të menjëhershëm nga ana e qeverisë së re.
 
Bllokimi
Alarmi u dha dje paradite nga media dhe një grup i FNSH-së. i ardhur nga Tirana në bashkëpunim me policinë kufitare të Durrësit bënë bllokimin e dy anijeve të vjetra, të cilat kishin fare pak kohë që ishin ankoruar në portin detar të Durrësit.
Drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Durrës, Nuri Loca thotë se “kemi nisur procedurat e bllokimit të 2 anijeve të vjetra të destinuara për skrap, pasi ato nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm.

Por burime nga Drejtoria e Portit sqarojnë se njëra nga anijet, e cila ka rreth 20 ditë që ka ardhur në Durrës është e pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, kurse anija tjetër, një cisternë uji, që ka dy ditë në port, nuk është e pajisur me lejen e kalatës që e lëshon kjo drejtori. Cisternës nuk i lejohet të hyjë në portin e Durrësit, pasi vendi i anijeve të tilla është “Romano Port”, por në rastin kur ajo ishte destinuar për tu copëtuar porti i Durrësit ishte i pashmangshëm. Këtu është bërë edhe shkelja pasi anija nuk është pajisur me lejen e kalatës.
 
Hetimet
Sa i përket anijes, që porti pretendon se është e pa pajisur me lejet përkatëse, mësohet se ajo quhet “Boka Sky” dhe është prodhim italian i vitit 1966 me ndërtues Azimut Benetti. Për shkak të paqartësisë së destinacionit të saj, më 24 shtator kjo anije kishte siguruar një leje të përkohshme qëndrimi 10 ditor në portin e karburanteve “Romano Port”.

Atje anija ka qenë dhe nën mbikëqyrje doganore. Ajo ka mbërritur aty nga Mali i Zi, e rimorkiuar nga një anije peshkimi, të cilat nuk janë të specializuara për rimorkim. Po pa mbaruar kohëqëndrimin në Porto Romano, të premten anija e rimorkiuar nga e njëjta peshkarexhë është futur në portin detar të Durrësit dhe pse i është ndaluar të hyjë nga Kapitaneria e portit të Durrësit. Përveç futjes së ndaluar të anijes 218 tonëshe në port, nën hetim nga autoritetet që veprojnë në territorin portual edhe anija e peshkimit që ka bërë rimorkimin e saj.
 
Përplasjet
Anijet e vjetra, ajo e pretenduar me dokumente dhe ajo pa dokumente, mësohet se janë blerë në portet e Kroacisë me një distancë 3 javore nga njëra-tjetra. Ndërsa Drejtori i kufirit, Loca deklaron se po punohet për bllokimin e anijeve,kapiteni i portit të Durrësit Hysni Aruci thotë “se nuk kemi asnjë informacion për çfarë po ngjet në port dhe nuk jemi pjesë e asnjë operacioni bllokimi”.

Ndërsa Drejtori i APD, Eduart Ndreu ka zgjedhur heshtjen përballë kësaj situate duke mos e hapur telefonin në disa raste apo duke deklaruar se nuk dëshiron që të prononcohet për këtë situatë të krijuar. Ndërkohë, dyshimet se në anije mund të kishte dhe lëndë radioaktive kanë sjellë në Durrës dhe specialistët e Institutit të Fizikës Bërthamore, të cilët në përfundim të kontrollit deklaruan se anija është e pastër. Nikolla Civici, drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore deklaroi se pas matjeve të kryera nga ekspertët e këtij instituti nuk u konstatua prani lëndësh radioaktive në anijen e bllokuar.
 
Ambientalistët
Gjithashtu, Sazan Guri ka qenë i pranishëm në portin detar të Durrësit që në mëngjes herët dhe u vendos në kalatën lindore ku gjenden anijet e bllokuara. Sipas Gurit, anijet mund të paraqesin rreziqe për shëndetin e banorëve të Durrësit pasi mund të jenë burime radioaktiviteti. Për këtë qëllim duhet parë legjislacioni përkatës në mënyrë që ai të jetë më i plotë dhe i ngjashëm me atë të vendeve të BE.


Shkrimi u publikua sot (29.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet