ATHINË, 20 shtator /ATSH-AFP/ - Filluan sot në Greqi zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Objekti i tyre është rikthimi ose jo në pushtet i partisë së majtë, SYRIZA të ish-kryeministrit Aleksis Cipras, i cili dha dorëheqjen në gusht pasi humbi maxhorancën parlamentare, pas votimit për një plan të tretë ndihme për vendin gjatë pesë viteve të fundit.
Më poshtë vijojnë figurat kryesore politike të këtyre zgjedhjeve:
- ALEKSIS CIPRAS - Më i riu në jetën politike të vendit. Vetëm 41 vjeç. Lider karizmatik dhe takticien i njohur i së majtës radikale.
Dha dorëheqjen në gusht për të provokuar zgjedhje të parakohshme, nga të cilat pret një maxhorancë të re legjitime parlamentare, pas shkëputjes nga kjo parti të pjesës më ekstreme të saj.
Ka premtuar futjen e vendit në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
- VANGJELIS MIMARAQIS - 61 vjeç, 41 prej të cilave në aparatin burokratik të partisë më të madhe konservatore "Demokracia e re".
Pasi zëvendësoi në krye të partisë, Antonis Samaras, Mimaraqis, me mustaqe dhe me një pamje prej babaxhani, është surpriza e këtyre zgjedhjeve.
Bëri bujë me premtimin për koalicion me SYRIZA-n edhe në rast se fiton zgjedhjet.
Këshillon stabilizimin e ekonomisë, rikthimin e investimeve dhe përmirësimin e planit të rimëkëmbjes.
- PANAJOTIS LAFAZANIS - "Ish-shok armësh" i Ciprasit, la SYRIZA-n për të krijuar partinë "Uniteti kombëtar".
Kundërshtoi marrëveshjet e fundit me kreditorët FMN, BQA dhe BE, që i cilësoi vetëvrasëse.
Megjithatë, mendohet se nuk mund të marrë më shumë se tre për qind të votave.
- STAVROS THEODHORAQIS - Ish-yll i një programi televiziv, themelues, në vitin 2014, i partisë "Lumi" pretendon të bëhet faktor kyç pas zgjedhjeve, në favor të së djathtës.
Akuzon Ciprasin për aventurizëm dhe ka mbajtur qëndrim të ashpër përsa i përket çështjes së refugjatëve. Proevropian i vendosur dhe i mirëpritur në Bruksel.
- FOFI JENIMATA - 50 vjeçe, është e vetmja grua që pretendon të fitojë. Mbështet SYRIZA-n dhe mund të jetë pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve, në rast të ndonjë koalicioni të mundshëm.
- VASILIS LEVENDIS - Figurë kult gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar.
Pretendon se për të hyrë në parlament do të marrë vota nga e majta dhe e djathta. Konsiderohet edhe si humbës i përjetshëm pasi nuk ka fituar asgjë pothuajse gjatë 12 zgjedhjeve të fundit./











