Fondi i Sigurimeve financon
transplantin e veshkave dhe dializën

Fondi i Sigurimeve financon<br />transplantin e veshkave dhe dializën
TIRANE - Transplanti i veshkave dhe dializa për mbi 900 pacientë do të financohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Në bashkëpunim me mjekët elitë të shërbimeve në QSUT, ky Fond prezantoi sot paketat e para të shërbimeve shëndetësore të hartuara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, për dializën dhe transplantin e veshkave. I pranishëm në këtë konferencë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se këto paketa ofrojnë më shumë siguri, progres dhe inovacion për pacientët që kanë nevojë për shërbimet e dializës apo transplantit të veshkave.Fjala e plotë e Ministrit Beqaj në konferencë
 
“Për herë të parë ndodh që puna për hartimin e paketave të tilla të shërbimeve shëndetësore të realizohet në një kohë kaq të shkurtër dhe nëpërmjet përfshirjes së një ekipi profesionistësh, duke hedhur edhe një hap të mëtejshëm në drejtim të jetësimit të angazhimit tonë për të siguruar se askush nuk mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor.
 
Ashtu siç jemi angazhuar, këto paketa të shërbimeve shëndetësore ofrojnë më tepër siguri, dhe shënojnë qartësisht progres, dhe inovacion për pacientët shqiptarë që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave”, tha ministri Beqaj.
 
Ndërkaq kreu i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci ka theksuar rëndësinë këtyre dy paketave për të ofruar një shërbim me efikas ndaj pacientëve.
 
“Me hartimin e këtyre paketave, konkretizojmë qasjen e re të Institucionit tonë dhe të Qeverisë, për të financuar shërbimet shëndetësore në bazë të vlerës reale, në funksion të mirëmenaxhimit të fondeve dhe përdorimit të tyre me efikasitet për nevojat e pacientëve. Sipas kostove të përcaktuara drejt, ne do të mbulojmë rreth 900 pacientë, si në spitalet tona publike ku aktualisht mundësohet shërbimi i dializës (QSUT, Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan), ashtu edhe në shërbimin privat. Gjithashtu po shohim mundësinë e hapjes së qendrave të tjera, me qëllim ofrim8in e shërbimit të hemodializës sa më afër pacientëve. Pas konsultimeve të gjera dhe një pune voluminoze, kemi përllogaritur kostot e drejtpërdrejta dhe ato indirekte, duke marrë parasysh analizat e nevojshme, koston e interventit, etj, dhe duke u bazuar edhe në Protokollet e Praktikes Klinike”, tha gjatë fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci.
 
Këto paketa u hartuan mbi bazë të kritereve mjekësore, ekonomike dhe sociale. Që do të thotë se, në hartimin e këtyre paketave, u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies së përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë.
 
Duke shpjeguar filozofinë e re në hartimin dhe matjen e kostove të paketave shëndetësore, drejtori i Përgjithshëm i Fondit, dr. Astrit Beci u shpreh: “Interesi ynë është përmirësimi i shërbimeve ndaj pacientit dhe rritja e aksesit në marrjen e shërbimeve, duke e shtrirë shërbimin e dializës edhe në zona të tjera të vendit. Sektori privat do të shihet si partner në dhënien e këtyre shërbimeve dhe për herë të parë do të financohet në bazë të kostove të mirëpërcaktuara”.
 
Dy paketat e shërbimit, dializa dhe transplanti i veshkave, dhe më pas paketat e tjera që janë në proces, do të kalojnë për miratim nga Këshilli I Ministrave dhe më pas do të ofrohet shërbimi bazuar në kontrata të mirëpërcaktuara, sipas standardeve klinike të miratuara për këto shërbime.
 
Finalizimi i paketave të shërbimeve, krijon kushtet e nevojshme për të kaluar gradualisht nga forma e buxhetimit historik të spitaleve, në atë real dhe sipas nevojave. Me financimin e këtyre paketave, do të kemi transparencë në administrimin e fondeve si dhe krijojmë një treg konkurrence mes sistemit publik e privat, në funksion të përmirësimit të kujdesit shëndetësor për popullatën.
 
Kryetari i grupit të punës së dializës, dr. Myftar Barbullushi u shpreh:
“Në kontratat mes Fondit dhe spitaleve, do të konsiderohen standarded klinike dhe performanca e shërbimit do të matet duke u krahasuar me standardet e miratuara për këtë shërbim. Dhënia e shërbimit të hemodializës, do të mbështetet në udhërrëfyesit më të mirë të praktikës klinike. që sot përdoren në Bashkimin Europian. Sa I takon qendrave ku do të kryhet dializa, ato do të raportojnë në mënyrë periodike dhe do të ketë kontrolle të vazhdueshme për mënyrën e dhënies së këtij shërbimi. Do të garantohet që pacientët ta marrin shërbimin 3 herë në javë, sipas praktikave më të mira botërore. Në kontrata, do të përcaktohen elementë si mirëmbajtja e aparaturave, që lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimit. Psh, spitalet që do të kontraktohen, do të duhet që pas 40 mijë orë pune, të ndërrojnë aparaturat”.
 
Të dhënat e grupeve të punës së transplantit të veshkave dhe dializës:

Pas një procesi të gjatë dhe voluminoz pune, bazuar në praktikat më të mira botërore dhe të dhënat e kostove në vendin tonë, grupi i punës ka paraqitur një propozim, i cili më pas do të kalojë për miratim në Qeveri, për kostot e këtyre shërbimeve.

Për transplantin e veshkave:
Janë kostuar ekzaminimet mjekësore pre dhe post operatore, operacioni dhe ndjekja si dhe shpenzimet indirekte (qe janë kostot e mirëmbajtjes dhe shpenzimet administrative). Vlera- 7499 euro (pa TVSH)
 
Për dializën:
Janë kostuar ekzaminimet mjekësore, terapia ditore e trajtimit - me barna dhe materiale mjekësore dhe shërbimi i aparaturës së dializën, si dhe kostot indirekte. Vlera 71.92 euro (pa TVSH)
Theksojmë se shpenzimet administrative për hemodializën më pak se 3% pasi janë llogaritur kostot që përfiton direkt pacienti.
 
Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri