BOSTON - Në një përsëritje të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2022, favoritja e turneut, Franca, do të përballet sot në orën 22:00 me fuqinë afrikane, Marokun në Boston, me të dyja skuadrat që synojnë të arrijnë sërish në gjysmëfinalet e Botërorit.
Franca i fitoi me lehtësi katër ndeshjet e para të kësaj Kupe Bote, falë sulmit të saj të mbushur me yje, por në fazën e 1/8-ave u detyrua të luftonte fort për të mposhtur Paraguain me rezultatin 1-0 në një ndeshje me shumë tension. "Blutë" tani janë të pamposhtur në 12 ndeshje zyrtare (11 fitore, 1 barazim), duke fituar shtatë ndeshjet e fundit radhazi. Nëse e zgjasin këtë seri në tetë fitore, do të ishte hera e parë që nga viti 2004 dhe Franca do të bëhej kombëtarja e tretë që arrin në tre gjysmëfinale radhazi të Kupës së Botës.
Trajneri Didier Deschamps hyn gjithashtu në histori, pasi do të drejtojë Francën për herë të 25-të në fazën finale të Kupës së Botës. Megjithatë, fitorja e tij e 20-të nuk është aspak e sigurt, pasi tre nga gjashtë humbjet e Francës në Kupën e Botës këtë shekull (duke përjashtuar eliminimet me penallti) kanë ardhur pikërisht kundër skuadrave afrikane.
Maroku ishte i pamëshirshëm në fitoren e fazës së 1/8-ave, duke shënuar tre gola pa pësuar asnjë kundër bashkorganizatorëve të Kanadasë, edhe pse pati vetëm katër goditje në kuadrat. Maroku do të kërkojnë hakmarrje pasi u eliminuan nga Franca në ndeshjen gjysmëfinale të turneut në vitin 2022.
Një fitore do t'i bënte ata skuadrën e dytë afrikane që arrin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës dy herë radhazi. Gjithashtu, seria prej dhjetë ndeshjesh pa humbje që nga finalja e Kupës së Kombeve të Afrikës (7 fitore, 3 barazime) tregon se ata kanë potencialin për të surprizuar edhe këtë herë.
Historia e përballjeve direkte
Franca nuk ka humbur në asnjërën nga gjashtë përballjet e mëparshme me Marokun (4 fitore, 2 barazime), ndërsa ndeshjen e vetme zyrtare mes tyre e fitoi 2-0 në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022.
Statistika
Katër nga pesë ndeshjet e Francës në këtë Kupë Bote kanë prodhuar më shumë se 8.5 goditje nga këndi. Trembëdhjetë nga 16 fitoret e fundit të Francës kanë ardhur me diferencë prej të paktën dy golash. Shtatë nga nëntë humbjet e fundit të Marokut në Kupën e Botës kanë qenë me vetëm një gol diferencë. Maroku ka marrë një ose asnjë karton të verdhë në katër nga pesë ndeshjet e tij në këtë turne.
Lojtarët për t'u ndjekur dhe ata me probleme
Në hijen e paraqitjeve spektakolare të Kylian Mbappe, Michael Olise ka qenë gjithashtu vendimtar për Francën, duke kontribuar në tetë gola në gjashtë paraqitjet e fundit me kombëtaren (3 gola dhe 5 asistime). Të pesë asistimet kanë ardhur në këtë Kupë Bote, duke e lënë vetëm tre asistime larg rekordit historik të turneut.
Nga ana tjetër, mesfushori maroken Azzedine Ounahi, një nga zbulimet e Kupës së Botës 2022, realizoi dy gola kundër Kanadasë, duke i dhënë fund një serie prej 11 ndeshjesh pa shënuar në fazat finale të Kupës së Botës. Të tetë ndeshjet në të cilat ai ka shënuar me kombëtaren kanë përfunduar me fitore për Marokun, ndërsa në shtatë prej tyre skuadra nuk ka pësuar gol.
Të dyja ekipet kanë shqetësime të rëndësishme nga dëmtimet. Mesfushori i Francës, Aurelien Tchouameni dhe ai i Marokut, Ismael Saibari, e nisin nga stoli këtë takim për shkak të problemeve muskulore.
Formacionet zyrtare, Francë - Marok
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Rruga e Mohamed Ouahbit drejt Kupës së Botës 2026 nuk i ngjan asaj të trajnerëve të zakonshëm. Ai nuk ishte futbollist profesionist dhe nuk e ndërtoi emrin duke fituar trofe në elitën e futbollit. Për më shumë se gjysmën e jetës së tij, 49-vjeçari punoi si mësues i edukimit fizik në një shkollë në Bruksel, ku u jepte mësim fëmijëve nga gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç.
Pas përfundimit të orëve të mësimit, ai zëvendësonte klasën me fushën e stërvitjes, duke ndjekur pasionin e tij më të madh, futbollin. Pikërisht aty nisi historia e “Trajnerit Momo”, njeriut që sot drejton Marokun dhe përgatitet për sfidën e madhe ndaj Francës në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026.
I lindur në Bruksel në një familje me origjinë marokene, Ouahbi u dashurua me futbollin që në fëmijëri. Kupa e Botës 1986, ku Maroku u bë skuadra e parë afrikane që kaloi fazën e grupeve, e lidhi përgjithmonë emocionalisht me “Luanët e Atlasit”, edhe pse ai u rrit dhe ndërtoi karrierën në Belgjikë.
Nga klasa në akademinë e Anderlechtit
Në moshën 21-vjeçare, Ouahbi nisi karrierën si trajner te Maccabi Brussels. Hapi vendimtar erdhi në vitin 2003, kur Anderlechti i besoi drejtimin e ekipit U9 në akademinë e famshme Neerpede.
Ai kaloi plot 17 vite në akademinë e klubit belg, duke u ngjitur gradualisht në hierarki dhe duke u shndërruar në një nga trajnerët më të vlerësuar të të rinjve. Gjatë kësaj periudhe, në disa raste ishte edhe ndihmës i ekipit të parë, duke punuar krah për krah me trajnerin shqiptar, Besnik Hasi.
Shumë prej yjeve të futbollit belg kanë kaluar nëpër duart e tij. Romelu Lukaku, Youri Tielemans, Jeremy Doku dhe Dodi Lukebakio janë vetëm disa nga emrat që u zhvilluan nën drejtimin e Ouahbit.
Trajneri që stërviti edhe Remco Evenepoelin
Një nga historitë më interesante lidhet me Remco Evenepoelin. Përpara se të bëhej një nga çiklistët më të mirë në botë, ai ishte pjesë e akademisë së Anderlechtit.
“E kishim Remcon te Anderlechti deri në nivelin U19”, kujton Ouahbi.
Për trajnerin maroken, arsimi ka qenë gjithmonë po aq i rëndësishëm sa futbolli.
“Kur punoja në akademinë e Anderlechtit, vumë re se lojtarët që arrinin te ekipi i parë ishin zakonisht ata që kishin përfunduar shkollën e mesme. Futbolli modern kërkon disiplinë dhe arsimi ndihmon shumë në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
Kjo filozofi, që e kishte zbatuar fillimisht në klasë, u bë më pas pjesë e metodës së tij si trajner.
Telefonata që ndryshoi gjithçka
Pas një eksperience në Arabinë Saudite si pjesë e stafit teknik të Al-Fateh, Ouahbi mori telefonatën që i ndryshoi karrierën.
Në vitin 2022, Federata Marokene e Futbollit i besoi drejtimin e kombëtares U20. Presidenti Fouzi Lekjaa kishte ndjekur prej kohësh punën e tij në Belgjikë dhe besonte se ishte njeriu ideal për projektin afatgjatë të federatës.
Rezultatet nuk vonuan. Brenda tre vitesh, Ouahbi ndërtoi një skuadër konkurruese dhe me identitet të qartë, duke e udhëhequr Marokun drejt triumfit në Kupën e Botës U20, pas fitores ndaj Argjentinës në finale.
Ky sukses bëri që pas largimit të Walid Regraguit, federata t'ia besonte drejtimin e kombëtares së parë.
Nga befasi në protagonist
Emërimi i tij u prit me skepticizëm. Ouahbi nuk kishte drejtuar më parë një kombëtare të të rriturve dhe ishte relativisht i panjohur për publikun e gjerë.
Megjithatë, rezultatet e kanë justifikuar plotësisht besimin e federatës. Me një moshë mesatare prej vetëm 26.4 vjeç, Maroku është një nga skuadrat më të reja dhe më mbresëlënëse të këtij edicioni të Kupës së Botës.
“Lojtarët e rinj shpesh kritikohen se nuk dëgjojnë më të vjetrit, por te kjo skuadër ndodh e kundërta. Ata respektojnë stafin teknik dhe lojtarët me përvojë. Ekziston një kulturë e madhe respekti reciprok”, ka theksuar Ouahbi.
Tashmë, “Trajneri Momo” përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij. Përballë Francës, ai synon të vazhdojë ëndrrën e Marokut dhe të shkruajë një tjetër kapitull historik me “Luanët e Atlasit”.
Komente







