I mjaftonte një barazim, por Shqipëria ka dalë me 3 pikë nga ndeshja e fundit në grupin e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë fituan 0-2 kundër Bjellorusisë, teksa për të parë golin e parë u desh të vinte minuta e 27. Pas disa rasteve të arta kuqezinjtë kaluan në avantazh me Rey Manajn. Sulmuesi shqiptar përfitoi nga një gabim i mbrojtësit bjellorus për të goditur fort dhe për të mposhtur portierin. Për Manajn ky ishte goli i 15 në karrierë me kombëtaren. Vetëm 3 gola më pak se Erion Bogdani që është edhe golashënuesi më i mirë i historisë.

Pas këtij episodi Shqipëria mori pothuajse totalisht kontrollin e lojës. Në pjesën e dytë do të vinte edhe goli që vulosi rezultatin. Konkretisht në minutën e 57 ishte Elseid Hysaj bëri ‘bomberin’. 32-vjeçari, i cili prej korrikut është pa ekip, lëvizi bukur në krahë dhe pas një tentative me të majtën, gjeti edhe devijim me qëllim që topi të përfundonte në rrjetë.

Në vijim kombëtarja vetëm sa menaxhoi rezultatin, ndërsa në fund mori një fitore që e vulosi fatin e saj në grupin C1 të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë pas 6 ndeshjeve renditen të parët me 15 pikë, 10 më shumë se Bjellorusia e vendit të dytë. Po aq sa Finlanda e vendit të tretë, ndërsa San Marino e fundit me 0 pikë.

Kjo arritje do të bëjë që kuqezinjtë të ngjiten direkt në Ligën B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, ndërsa gjithashtu nga vazo e katërt u ngjitën në vazon e tretë të shortit për kualifikueset e Evropianit. Vendi i parë në grupin e Ligës së Kombeve i jep kuqezinjve edhe një shans për të shpresuar te kualifikimi i Euro 2028 përmes ‘play-off-it’ nëse nuk e bëjnë këtë përmes kualifikueseve. Shorti i kësaj të fundit do të hidhet me 6 dhjetor.

Rezultati:     Bjellorusi      0-2    Shqipëri

Momentet më të rëndësishme

57'- Elseid Hysaj shënon golin e dytë për Shqipërinë. Inkursion nga krahu i djathtë dhe pasi godet topin devijohet. Në fund përfundon në rrjetë.

28'- Rey Manaj shënon për Shqipërinë. Mbrojtësi i Bjellorusisë humbet ekuilibrin dhe sulmuesi kuqezi realizon.

17'- Kristjan Asllani godet traun e portës në hyrje të zonës. Shpëton Bjellorusia. Më herët Laçi humbi shanin e artë nga shumë pranë zonës

1'- Ka nisur në Budapest ndeshja e Kombëtares kundër Bjellorusisë për Ligën e Kombeve.

Formacioni zyrtar i ndeshjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:00
‘Do doja të festoja me tifozët’, Maran pas arritjes së objektivit me Kombëtaren: Është vetëm fillimi

Trajneri i Kombëtares Rolando Maran ka qenë shumë i lumtur pas fitores së Kombëtares, duke arritur objektivin, ndërsa pas ndeshjes është shprehur se do të kishte dashur shumë që të festonte me tifozët. Ai thotë se ky është vetëm fillimi, ndërsa do të mendojë për shortin e Evropianit që është me 6 dhjetor pas festës.

“Falenderimi i shkon skuadrës se kanë qenë lojtarët që kanë dhënë gjithçka në fushë. Kemi punuar shumë dhe ka patur gjithmonë rritje të skuadrës. Duke qenë të vëtdijshëm për atë që donim të bënim. Mendoj se kemi arritur disa shifra të pazakonta, duke thyer edhe rekorde të së shkuarës. Kemi krijuar një lidhje, besim të tifozët tanë dhe kjo i jep më shumë rëndësi asaj që kemi bërë. Falenderoj dhe jam I kënaqur për besimin dhe zgjedhjen që ka bërë FSHF për të marrë kombëtaren. Arritëm edhe objektivin që ishte ta mbyllnim të parët në grup.

Besoj se filozofia dhe idetë tona janë arritur tashmë në maksimum. Kam parë në fushë një skuadër që ka zbritur në fushë ka implemetuar idetë.

Ne e meritonim dhe duhet ta fitonim këtë ndeshje për vendin e parë. pa sakrifica dhe mentalitetin e duhur nuk do arrihej. Komplementa u kam bërë lojtarëve se përveçse fituan kanë bërë krenarë edhe tifozët. Besoj se ky sezon ka qenë I mrekullueshëm, por është vetëm objektivi ynë i parë sepse duhet të rritemi më tepër. Tifozët tanë nuk mund të ishin këtu sepse nëse do kishin mundësi do ta mbushnin stadiumin. Do doja shumë ta ndaja me ata këtë fitore.

Shorti për Evropianin? Një rezultat I mirë të ndihmon shumë për një grup më të favorshëm. Mbetet për t’u parë shorti, por ne arritëm objektivin që kishim. Tani duhet të festojmë pak. Se duhet festuar për çdo arritje. Jam shumë i lumtur brenda vetes. Festohet sepse më pas të ndihmon të arrish gjëra të tjera.

Moduli 3-4-2-1? Unë në fakt nuk u kam kushtuar asnjëherë rëndësi modulit ose numrave se si rreshtohen sepse mundohem ti vendos lojtarët në kushtet më të mira që ata të japin më të mirën. Kur kam përdorur skema specifike ka ndodhur kur kam qëndruar shumë vite në një skuadër dhe kemi ndërtuar diçka, por në kombëtare kam mundësi të zgjedh lojtarët në varësi të formës aktuale. Skemat, numrat dhe modulet janë dytësore sepse e rëndësishme është koncepti i lojës. Këto i kemi arritur edhe pse nuk është thjeshtë e lehtë.”

Ora 20:20
FSHF i vendosi objektiv vendin e parë në Ligën e Kombeve, Maran e arrin me disa rekorde

Rolando Maran mori drejtimin e Shqipërisë pas eliminimit në ‘play-off’ të Botërorit në muajin mars të 2026, ndërsa në kontratë kishte objektiv arritjen e vendit të parë në Ligën e Kombeve. Tashmë ky objektiv është arritur, por në të njëjtën kohë ka ardhur me disa rekorde.

Kjo ishte hera e parë kur fitoheshin më shumë se 3 ndeshje në grup, teksa shifra e re rekord është 5, ashtu si edhe pikët rekord që janë 15.  Ndërkohë, u realizuara 12 gola, kundrejt 8 që ishte shifra maksimale e regjistruar në edicionin 2020-2021. Njëkohësisht, u regjistruan vetëm 3 gola të pësuar, duke përmirësuar shifrën 4 të atij edicioni kur ekipi ishte gjithashtu në Ligën C dhe e fitoi grupin e saj nën drejtimin e Edi Rejas.

Ora 20:19
‘Bëmë një ndeshje të madhe’, Uzuni pas fitores: Kombëtarja tani prodhon shumë raste

Myrto Uzuni ka folur me superlativa pas fitores 2-0 që Kombëtarja mori kundër Bjellorurisë në ndeshjen e fundit të grupit. Sipas sulmuesit ‘kuqezinjtë bënë një ndeshje të madhe, duke treguar forcën’.

“Kemi bërë një ndeshje shumë të madhe sot, ka qenë një finale për ne. E dimë kualitetit tonë, erdhëm për të fituar, çunat kanë bërë një ndeshje të madhe sot.

Tifozët kanë qenë forca jonë më e madhe. Të dy fitoret kanë qenë mëse të merituara. Gjithmonë i marrim ndeshjet një nga një. Krijojmë më shumë raste tani përpara. Gjithë lojtarët japin maksimumin”, deklaroi Uzuni për ‘Supersport’.

Ora 17:06
90 minuta larg Ligës B në Ligën e Kombeve, zbulohen miliona eurot që përfiton Shqipëria nëse arrin objektivin

Nëse Kombëtarja do t’ia arrijë të ruajë vendin e parë në grupin C1 të Ligës C në Ligën e Kombeve do të marrë në total 3 milionë euro, që shkojnë si shpërblim nga UEFA për federatën.

Pjesmarrja në Ligën C është 1.25 milionë euro, ndërsa 250 mijë euro jepen si shpërblim nëse ruajmë vendin e parë. Vendi i parë do të thotë automatikisht ngjitje në Ligën B, që sipas UEFA-s shpërblehet me 1.5 milionë euro si pjesmarrje. Në total kjo shifër shkon në 3 milionë euro.

Ora 15:46
Historiku i përballjeve, FIFA dhe koeficientët! Shqipëria dominon në të gjithë aspektet kundër Bjellorusisë! Arbitra kroat për ndeshjen

Historia e përballjeve, FIFA, por edhe koeficientët referojnë se kuqezinjtë janë sot favoritë në përballjen e fundit të grupit të Ligës së Kombeve kundër Bjellorusisë.

Kombëtarja e nis këtë përballje si vend i parë me 12 pikë, 2 më shumë se Bjellorusia, ndërsa i mjafton edhe 1 barazim për të mbrojtur pozicionin. Megjithatë, si të mos mjaftonte fakti se humbja e vetme e Bjellorusisë në Ligën e Kombeve është kundër Shqipërisë, ka edhe disa detaje të tjera që i bëjnë kuqezinjtë favoritë.

Në të kaluarën dhe Bjellorusia dhe Shqipëria janë përballur 8 herë. 2 janë fitore të rivalëve, 2 ndeshje kanë përfunduar barazim, ndërsa 4 janë suksese të Kombëtares. Kuqezinjtë kanë edhe renditje më të mirë aktuale në FIFA. Në përditësimin e fundit të bërë në muajin tetor Shqipëria renditet e 66, ndërsa Bjellorusia e 94. 28 vende poshtë kuqezinjve.

Sakaq për duelin që nis në orën 18:00 fitorja e Bjellorusisë kuotohet me 4.2, ndërsa suksesi i Shqipërisë 1.95. Barazimi ka koeficientin 3.2.

Për të gjykuar duelin UEFA ka zgjedhur arbitra nga Kroacia me kryesor Igor Pajac.

Ora 10:51
Kombëtarja humb 'yllin' e saj para Bjellorusisë, zbulohen edhe lojtarët e tjerë që përfundojnë në tribunë

Ylli i kombëtares Ernest Muçi do të mungojë sot në ndeshjen që kuqezinjtë do të luajnë në Hungari kundër Bjellorusisë. Stafi mjekësor i kuqezinjve nuk ka dhënë konfirmimin që 25-vjeçari të zbresë në fushë pas dëmtimit që mori kundër Finlandës.

Fantazisti i Kombëtares, i cili realizoi një supergol kundër Finlandës, është lënë jashtë listës me 23 futbollistë që dorëzohet në UEFA. Bashkë me Muçin, për arsye taktike, trajneri ka vendosur të lërë jashtë Klevi Qefaliajn, ndërsa Ylber Ramadani mungon për shkak kartonësh.

Samuele Sina ndërkohë është bashkuar me ekipin U-21.