E njëjta ndeshje, i njëjti autor dhe e njëjta mënyrë, veçse vendi i ndeshjes ndryshon. Bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Armando Brojën, që edhe njëherë mposhtën Hungarinë 0-1 në ndeshjen tejet të rëndësishme për kualifikueset e Botërorit ku ëndrra kuqezi për t’u kualifikuar është më e gjallë se kurrë.
Në Puskas Arena pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, ndërsa e dyta nisi menjëherë me një mundësi mjaft të mirë për hungarezët, që fatmirësisht nuk u shfrytëzua. Në vijim protagonist do të ishte Myrto Uzuni, që fillimisht në minutën e 58 me këmbë dhe më pas në të 65 me kokë humbi dy raste të artë për t’u bërë heroi i mbrëmjes.
Gjithsesi atë që nuk e bëri Uzuni e realizoi Armando Broja, që edhe njëherë erdhi nga stoli për ta bërë ‘shqiponjën’ të fluturojë në qiellin hungarez, ashtu si një muaj më parë. Sulmuesi kuqezi në minutën e 80 me një aksion personal ndëshkoi edhe portierin kundërshtar, duke çuar në qiellin e shtatë kuqezinjtë.
Edhe pse u luajt edhe për 15 minuta hungarezët nuk rrezikuan në asnjë çast, duke e përfunduar këtu ëndrrën Botëror Katar 2022. Ndërkohë ndryshe paraqitet situata për kuqezinjtë, që tani më shumë se kurrë do të shpresojnë për të pamundurën me bazën e fakteve. Më këtë fitore të besuarit e Edi Rejës vijojnë në vendin e dytë, me 15 pikë, 1 më shumë se Polonia, që do të jetë kundërshtari i ardhshëm i kuqezinjve. Pikërisht me datë 12 tetor në Air Albania do të vendosen edhe pikat mbi I, pasi në rast fitoreje të kuqezinjve atëherë vendi i dytë do jetë pothuajse i sigurtë.
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë reaguar pas fitores së kombëtares shqiptare në Hungari. Rama ndau disa fotografi nga momenti emocionues ku Armando Broja shënoi golin, teksa i shoqëron me simbolin e shqiponjës dhe flamurin kuqezi.
Ndërkohë, Meta ka uruar kombëtaren shqiptare, teksa shkruan se ishte një super fitore.
Një reagim ka pasur edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili shkruan se kombëtarja na bëri sot kombëtar.
Armando Broja erdhi me besimin se do të bënte gol dhe ia doli. Ndonëse ishte i dëmtuar, ai tregon se ishte gati për të luajtur për fanellën e kombëtares dhe ishte pikërisht ai që i dha një fitore të rëndësishme. Në fund të këtij takimi, ai tha se ka besim se do të mund që të ruajnë vendin e dytë në grup, e ndërsa thekson se përtej fitores së sotme duhet të jenë me këmbë në tokë për sfidën me Poloninë
“Gjithmonë kam besim, në të gjitha ndeshjet kam qef të bëj gol dhe të ndihmoj skuadrën. Shënova, i dhashë skuadrën fitores dhe më vjen mirë. Kam qenë i dëmtuar pardje në stërvitje, dhe trajneri më pyeti a je 100% i thashë “PO” pasi për fanellën, për Shqipërinë bëj gjithçka, hyra me besim të bëj golin të ndihmoj ekipin dhe morëm 3 pikët. Për Poloninë do të shohim në stërvitjen nesër, por sot në ndeshje isha mirë, e kisha mirë këmbë. Vendin e dytë do ta besojmë deri në fund, kemi dëshirë të luajmë në Botëror është gjë e madhe, pasi nuk jemi vend i madh por kemi shpirt, shyqyr që morëm tre pikë, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përqendruar për sfidën me Poloninë”, tha Broja.
Shqipëria ia del! Mund 1-0 Hungarinë, Armando Broja është heroi i kësaj ndeshje! Më këtë fitore Shqipëria ngjitet në kuotën e 15 pikëve, 1 më shumë se Polonia e vendit të tretë.
80’ Broja nuk e ka ndërmend të ndalet. Bën sërish heroin për Shqipërinë duke shënuar me një gol personal
74’ Hungaria i shkon shumë afër golit. Orban nuk ka devijuar dot një top i cili në fund goditi shtyllën e portës së mbrojtur nga Berisha.
65’ Myrto Uzuni humbet një tjetër rastë të artë. Sulmuesi që luan në Hungari nuk realizon në zonën e 5 metërshit me kokë pas një krosi të Trashit.
58’ Myrto Uzuni humbet një rast të artë për të kaluar Shqipërinë në avantazh. Beratasi pas një shkëputje nga mesfusha gabon përballë portierit kundërshtar.
46’ Nis pjesa e dytë në Hungari. Shqipëria do kërkojë të mos humbë, por fitorja do të ishte rezultati i duhur për ëndrrën Botëror
45+3’ Shqipëria e mbyll në sulm pjesën e parë, por portat mbetën të paprekura. Kuqezinjtë humbin qendërmbrojtësin Gjimshiti për shkak dëmtimi.
1' Ka nis në ‘Puskas Arena’ përballja e kombëtares kundër Hungarisë. Një ndeshje vendimtare për ëndrrën Botëror.