Prezenca e OSBE-së organizoi sot, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri.
I pranishëm ishte edhe i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i cili tha se liria e medias është në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së, ndaj inkurajoi qeverinë shqiptare dhe autoritetet publike që të angazhohen me komunitetin e medias dhe palët e interesuara për të adresuar sfidat.
"Të gjitha shtetet që kërkojnë të bëhen shtete anëtare në BE duhet të tregojnë për angazhimin e tyre të besueshëm për këtë gjë duke promovuar lirinë e fjalës dhe të medias duke trajtuar të gjitha aspektet e ndryshme madje dhe aty ku ka pengesa e vështirësi qeveria dhe autoritetet publike kanë përgjegjësinë kryesore për të krijuar një mjedis lehtësues për mediat. Prandaj ne vijojmë me inkurajimin e autoriteteve për të përshpejtuar përpjekjet e tyre për të trajtuar vështirësitë që ekzistojnë", tha Soreca.
Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE janë një mundësi për të bërë përparim në lirinë e medias në Shqipëri, theksoi ndër të tjera Soreca.
Edhe Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend.
“Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion”, tha ai.
I nisur në vitin 2015, Forumi për Zhvillimin e Medias shërben si një platformë për diskutimin e çështjeve të lirisë dhe zhvillimit të medias në Shqipëri mes gazetarëve, ekspertëve dhe institucioneve përkatëse.