TIRANË- Ky është Portsmuthi që për nga madhësia renditet si porti i dytë më i rëndësishëm i Anglisë. Në këtë port, çdo ditë shkarkohen qindra kontejnerë me mallra të ndryshëm që vijnë me anije nga vendet e Amerikës Latine, përfshirë këtu dhe Ekuadorin.
Kjo është Kamza, një bashki prej 2550 kilometra larg Portsmuthi. Këtu jetojnë mbi 126.000 banorë dhe këtu punon një njeri që quhet Jan Prenga, 42 vjec, babai i 5 fëmijëve, me profesion marangoz.
Por çfarë lidhje ka mes Portshumthi dhe Kamza? Është një lidhje tragjike, të cilën për ta kuptuar duhet të kthehemi pas disa muaj.
Është muaji shtator 2019, kur një anije e ngarkuar me kontejnerë të mbushur me banane dhe e nisur nga porti “Guayaquil” në Ekuador ka shkarkuar mallin në sheshin e kontejnerë në Portsmuth. Në njërin prej tyre të ngarkuar me banane ishte futur dhe një sasi droge, rreth 260 kg kokainë. Lënda narkotike ka qëndruar disa jave në trupin e kontejnerit, ndërkohë pritësi i Kokainës besohet se ishte një shtetas Anglez, në bashkëpunim me një shtetas me kombësi Iraniane në Portsmuth.
Pikërisht ky shtetas anglez ka kontraktuar tre emigrantë shqiptarë dhe një shtetas Rumun, për nxjerrjen kontejnerit me kokainë nga rrethimi i brendshëm i portit të Portsmuthit. Emrat e shqiptarëve që janë kontraktuar nga Aglezi, besohet të jenë Astrit Prenga nga Puka, por banues në Bathore, Gëzim Shullani nga Shkodra dhe një shqiptar me emrin “Xhuliani”. Tre personat dyshohet se kanë bashkëpunuar me një shofer kamioni nga Rumania për ta nxjerr nga porti kontejnerin me banane të mbushur me 260 kg kokainë.
Operacioni i transportit besohet se është bërë në muaj dhjetor 2019. Mirëpo teksa malli ka dalë nga territori portual, shoferi i kamionit nuk e ka çuar lëndën narkotike në destinacionin e kërkuar nga kontraktuesi Anglez. Sasia e kokainës prej 260 kg është sekuestruar nga Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani, të cilët duke shfaqur pakënaqësi nga marrëveshja me shtetasin anglez, kanë kërkuar nga ai një vlerë shumë të madhe financiare, për shërbimin që kishin kryer. Prenga dhe Shullani, besohet se i kanë kërkuar anglezit edhe diferencën e parave të një episodi të mëparshëm, ku ata ishin kontraktuar nga Anglezi për nxjerrjen e kokainës nga porti, por që nuk ishin paguar.
Duke mos pranuar të paguajë, kontraktuesi Anglez ka shumë gjasa se ka informuar pronarët e vërtetë të kokainës, duke kërkuar ndihmën mes lidhjeve që ai kishte me trafikantët shqiptarë.
Është e enjte 17 janar 2020. Jemi mijëra kilometra larg Anglisë, aty ku Astrit Prenga vijon të mbajë peng sasinë prej 260 kg kokainë. Ndërkohë vëllai i tij, Jan Prenga, ka dalë herët në mëngjes nga shtëpia e tij në Bathore, për të bërë pazarin në Kamëz. Siç tregon ky dokument Jan Prenga, prej vitit 2017 kishte hapur një mobileri në zonën e Kamzës, ku punonte për të siguruar të ardhura financiare për familjen e tij. I papërfshirë në aktivitete kriminale dhe i papërzier me botën e errët të krimit, Jan Prenga, mëngjesin e 17 janarit 2020, ka parkuar automjetin tip “Benz”, në një rrugicë periferike që ndodhet midis pallateve nr. 95 dhe 96 në Kamëz. Tingëllon ironike, por kjo rrugë ka emrin prapaskenës që ka kjo histori: “Rruga London”.
Pasi ka lënë makinën, Prenga ka hyrë në zonën kryesore të Kamzës. Pa e kuptuar, 49-vjeçari ka qenë në mbikëqyrje të rreptë nga personat që kishin marrë detyrën për rrëmbimin e tij. Prenga pasi ka dal nga një kafe me bashkëshorten e tij, kthehet në drejtim të makinës, ku e kishte parkuar. Në orën 11:50, siç tregon edhe ky dokument pikërisht në rrugën “London” në Kamëz, persona të paidentifikuar e kanë rrëmbyer, duke e futur në një automjet fuoristradë “Ranger Rover”. Rrëmbimi i Jan Prengës, ka ndodhur pikërisht në këtë këtu. Më pas janë larguar në drejtim të qendrës së Kamzës, dhe mandej kanë marrë rrugën “Skëndërbej”, që lidhet me segmentin tek “Urra e Laknasit”, duke hyrë në zonën e Ndroqit e më pas depërtuar në drejtim të Shijakut.
Vendi që rrëmbyesit kishin zgjedhur ta merrnin peng duket që ka qenë i mirë menduar pasi ishte i pa mbuluar me kamera, në një zonë e fshehur dhe lart syrit të kureshtarëve. Rrëmbimin e Prengës, kanë mundur ta shohin vetëm pak banorë të zonës, të cilët kanë parë se rrëmbyesit ishin të veshur me të zeza dhe kanë qëlluar me sende të forta dhe thika Jan Prengën, duke arritur ta fusin brenda në makinë “Range Rover”ngjyrë të bardhë dhe të largohen me shpejtësi. Në vendngjarje policia gjeti vetëm njolla gjaku të Jan Prengës, një këpucë të tij dhe automjetin tip “Benz” që Jan Prenga, nuk mundi ta ndizte kurrë, për t'u kthyer pranë familjes së tij.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se: nga kqyrja e veprimeve të para hetimore dhe procedurale si dhe informacioni i mbledhur ka rezultuar se Jan Prenga është marrë peng nga disa persona si mjet presioni për shkëmbimin e një sasie të konsiderueshme lëndë narkotike e llojit Kokainë që vëllai i tij, Astrit Prenga, i cili jeton në Angli u kishte marrë disa shtetasve shqiptarë. Për këtë fakt këta të fundit kishin urdhëruar marrjen peng të Jan Prenga në këmbim dhe kthimin e lëndë narkotike. Duke përcaktuar këtë motiv të rrëmbimit, organi i akuzës pretendon se sasia e lëndës narkotike si më sipër është 260 kg kokainë.
Pra, sipas policisë pronarë te 260 kg kokainë, nuk ishte ai trafikanti anglez që së bashku me shtetasin iranian, kishte kontraktuar, Astrit Pengën të tërheqë kontejnerin nga brendësia e portit të “Portsmuthit” në Angli, por pronarët e vërtetë të super- ngarkesës me drogë, me vlerë dhjetëra milion euro, kanë qenë shqiptarë.
Tashmë që kishin marrë peng Jan Prengën, ekuilibrat e presionit mes dy palëve ishin barazuar. Nga njëra anë në Angli, Prengat bënin presion për pagimin e shumës së eurove, duke mbajtur si mjet presioni drogën, dhe nga ana tjetër pronarët e kokainës ishin kthyer në negociata dhe presione të vazhdueshme, duke përdorur si “trofe beteje”, kokën e Jan Prengës. Ndërkohë gjatë kohës që Jan Prenga, ishte marrë peng, familjarët dhe vëllezërit e tjerë të tij, nuk kanë bashkëpunuar në asnjë moment me strukturat e policisë, për t'i treguar të vërtetën. Familjarët shpresonin se shumë shpejt njeriu i tyre do lirohej, pasi vëllezërit të çonin në destinacion mallin që mbanin peng në Angli.
Në fakt, familjarët që nga momenti i parë të pengmarrjes, kanë qenë shumë aktivë, duke vepruar larg vëmëndjes së policisë. Ja si i tregon këto prapaskena Artan ose Anton Prenga, një tjetër vëlla i Jan Prenga, në rrëfimin e tij, para prokurorit të çështjes:
"...unë banoj në shtetin e Anglisë së bashku me familjen time. Në shtetin e Anglisë, kam një kompani ndërtimi me të cilën punoj. Gjithashtu në shtetin e Anglisë, unë kam edhe vëllezërit e mi të cilët quhen Astrit Prenga, Leka Prenga dhe Ndrek Prenga. Ndërsa në shtetin Shqiptar, unë kam dy prindërit e mi si dhe vëllanë tim të quajtur Jan Prenga, i cili është me banim në Kamëz, me familjen e tij.
“…në datën 17 janar 2020, rreth orës 13:30 deri në 14:30, kam qënë në punë në Londër dhe jam telefonuar nga bashkëshortja e vëllait tim, Jan Prenga, e cila quhet Marie Prenga, por unë nuk ja kam hap telefonin, pasi nuk e kam dëgjuar sepse kam qënë duke punuar. Më pas më ka telefonuar bashkëshortja ime e quajtur Erestina Prenga, e cila më ka treguar se kishte fol në telefon me nusen e vëllait tim, Marie Prenga, si dhe me babain tim, të cilët i kanë treguar se ishte rrëmbyer vëllai im,Jan Prenga…”.
“…duke qenë se unë dhe vëllai që jeton në Shqipëri Jan Prenga nuk kemi asnjë problem me asnjë person,unë kam kontaktuar vëllanë tim Astrit Prenga, të cilit i kam thënë eja më tako dhe më trego se cila është arsyeja e rrëmbimit të vëllait tone, Jan Prenga. Astriti pas dy orësh, ka ardhur më ka takuar së bashku me një shokun e vetë të quajtur, Gëzim Shullani, të cilin e kemi mik shtëpie. Jemi ulur në një kafe afër shtëpisë sime dhe aty i kam pyetur edhe Astritin edhe Gëzimin, se çfarë kishin bërë që kishte ndodhur rrëmbimi i vëllait, Jan Prenga në Shqipëri. Astriti së bashku me Gëzimin më kanë treguar se ata kishin grabitur një kontejner me lëndë narkotike të llojit Kokainë, përpara 2 apo 3 javësh dhe se kjo ishte arsyeja e rrëmbimit të Janit…”. “Astriti më ka treguar se kishte bashkëpunuar për të nxjerrë kontejnerin nga porti me një shtetas rumun si dhe me një shtetas shqiptar me emrin “Xhulian”, i cili është shok i Gëzimit dhe Astritit. Xhuliani mesa më kanë treguar është nga zona e Bajzës në Shkodër. Pasi ata kanë nxjerrë kontejnerin nga porti, më kanë treguar se kontejnerin e kishin çuar në një vend të sigurt dhe kishin grabitur sasinë e lëndës narkotike. Astriti me Gëzimin më kanë treguar se në kontenier kishte një sasi prej 260 kilogram lëndë narkotike të llojit kokainë. Pasi e morën kokainën nga kontinjeri ata e kishin ndarë se si unë nuk e di, por di që një pjesë e kishte marrë vëllai im Astriti, një pjesë Gëzimi, një pjesë Xhuliani dhe një pjesë shtetasi rumun. Astriti së bashku me Gëzimin, e kishin fshehur diku pjesën e tyre dhe nga kjo sasi ata kishin shitur një pjesë, por unë se di saktë se sa kile.
Rreth një javë pas grabitjes së 260 kilogram kokainë, nga Shqipëria dhe Ekuadori, fillojnë telefonata dhe presione ndaj Astrit Prengës, për ta kthyer drogën. I pari që telefonon, sipas rrëfimit që i ka bërë Artan Prenga prokurorit Leonard Filopati, ka qenë Gentjan Doçaj nga Shkodra, tashmë një nga personat e shpallur në kërkim. Por presioni i Doçajt, nuk ka bindur as Astrit Prenga, as Gëzim Shullanin ta kthejnë kokainën. Situata ndryshon kur ndërhyn në skenë një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri: Gramoz Rexhepi, aktualisht në burg në Ekuador për trafik ndërkombëtar kokaine. Është prapë Astrit Prenga që e tregon momentin e ndërhyrjes së këtij personazhi:"..pas disa ditësh vëllain tim Ndrek Prenga që ndodhet në burg në Angli, e ka marrë në telefon një shtetas i cili është prezantuar me emrin “Gramozi nga Vlora”, ku i ka thënë Ndrekës:“…mos bëni gabim të luani gjërat, që nënkuptonte mallin, pasi janë gjërat tona…”. Dua të shpjegoj se Ndreka ka pasur në burgun ku ndodhet një telefon celular, me të cilin ka filluar të komunikojë me personin nga Vlora që quhej “Gramoz”. Disa ditë pas këtyre komunikimeve ka ndodhur dhe rrëmbimi i vëllait tim, Jan Prenga...”.
Po kush është ky personazh, që nga një burg në Ekuador, mund të ndërmjetësojë për të zgjidhur situatën e mbajtjes peng të sasisë së 260 kg kokainë në Angli, që ndodhet në krahun tjetër të botës? Dritan Rexhepi në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit Kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu. Fillimisht, ai është arrestuar në 2007 në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli Pas arrestimit është transferuar në Durrës, pasi oficerët e Drejtorisë së Policisë Durrës kishin kryer të gjithë operacionin për zbulimin dhe prangosjen e tij. Këtu ndodh edhe arratisje e tij e parë. Rexhepi në fakt ka mundur t'u ikë nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës, pasi oficeri Albert Strati dhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, e kishin nxjerrë nga dhoma e shoqërimit, për t'i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës. Ai u largua duke përfituar sapo është futur në qeli, ku dera besohet se është lënë hapur nga oficeri Albert Strati. Arratisja ka ndodhur vetëm minuta, kur prokurori Anton Martini dhe oficeri i policisë gjyqësore, Arben Frashëri sapo kishin përfunduar pyetjen e Rrexhepit dhe shokut të tij Nadien Zeneli për vrasjen e dy policëve. Ato ishin larguar drejt Tiranës.
Gjashtë vite pas arratisjes nga komisariati i Durrësit, në 2013, Gramoz Rexhepi, u kap në Itali. Pala shqiptare që ndërkohë po zhvillonte gjyqin në mungesë në Apelin e Krimeve të Rënda kundër Rexhepit për dy vrasjet e policëve, sapo mësoi arrestimin e tij në Itali, menjëherë nëpërmjet një letërporosie të dërguar në Itali, kërkoi njoftimin e këtij personazhi “Foto”, se në Shqipëri po zhvillohej një proces gjyqësor kundër tij. Por nga Italia ka ardhur një përgjigje surprizë. Në këtë dokument të siguruar nga “Report Tv”, thuhet se:-“… gjatë procedurave për njoftimin e të dënuarit Gramoz Rexhepi është mësuar së i dënuari ishte arrestuar në Itali. Në këto rrethana, është proceduar me njoftimin nëpërmjet letër-porosisë drejtuar Autoriteteve të Drejtësisë Italiane. Por ka rezultuar se njoftimi i të dënuarit Gramoz Rexhepi, nuk është bërë e mundur nga Autoritetet Italiane, pasi ishte arratisur nga burgu…”.
Por kjo arratisje e Rrexhepit nga burgu italian të Voghera, nuk ka qenë e fundit. Drejtësia shqiptare ka kërkuar informacion për Dritan Rexhepin në Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpolit dhe prej kësaj Zyre u zbulua se Dritan Rexhepi pas arratisjes nga burgu në Itali, ishte arrestuar në Spanjë dhe ishte ekstraduar në Belgjikë. Por në një tjetër dokument zbulohet edhe arratisja e tretë e Dritan Rrexhepit:
-“…gjatë vuajtjes së dënimit në Belgjikë, Dritan Rexhpei ishte arratisur nga burgu Merksplas, Belgjikë në drejtim të paditur…”.
Po kur ka qenë hera e fundit e qëndrimit në Shqipëri e Dritan Rexhepit? Nga një dokument të sistemit Tims të siguruar nga Report TV, zbulohet që pas arratisjes së parë nga Durrësi dhe gjatë kohës së zhvillimit të gjyqit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda kur ishte në kërkimin ndërkombëtar, Dritan Rexhepi ka qenë në Shqipëri shumë herë të tjera, edhe në asnjë rast dhe nga askush, nuk është arrestuar:
Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar më gjeneralitetet Lulzim Murataj, në datën 28.11.2011 dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikëkalimi dhe hyrja e fundit e tij, është në datën 16.11.2013. Të dhënat e pasaportës në emër të Lulzim Murataj, përputhen plotësisht me numrat e pasaportës së personit të arrestuar në Ekuador, me emrin Lulzim Murataj…”.
Në fakt teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në muajin Gusht të 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin false, Lulzim Murataj. Ky dokument tregon se:“…ka rezultuar se në datën 8.08.2014 në kuadër të një operacioni antidrogë “Balance” të zhvilluar në Ekuador, përveç shtetasve ekuadorianë është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulzim Murataj, lindur Vlorë, posedues i pasaportës me nr.BB 3563478. Nga verfikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.
Lulzim Murataj identitetin e të cilit e ka përdorur Dritan Rexhepi, rezulton se është banor i komunës Kote, i lindur në fshatin Velç, në 23 prill 1979, i cili aktualisht rezulton të jetë në burg në Angli. Por kjo nuk ka penguar Gramoz Rexhepin të siguronte një pasaportë me identitet të bashkëfshatarit të tij Lulzim Murataj, por me foton e vetë Dritanit. Rezulton se aplikimi për nxjerrjen e pasaportës biometrike është kryer në komunën Levan të Fierit dhe të gjithë praktikën e dokumentacionit e më pas hedhjen në sistem të gjurmëve të gishtave dhe fotografive e ka ndjekur punonjësi i qendrës së aplikimeve, Anton Përlala. Gjurmët papilare të gishtave dhe foto kanë qenë të Gramoz Rexhepit, ndërsa të dhënat e tjera janë hedhur në sistem në emër të Lulzim Murataj. Skandale që ndodhin vetëm në Shqipëri, por për këtë falsifikim pasaporte ka vetëm një të dënuar me 4 vite burgim dhe ai është Dritan Rexhepi. Ndërsa për, Anton Përlala, që ka ndjekur të gjithë praktikën e dokumenteve për aplikimin për pasaportë biometrike, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi penale.
Gramoz Rexhepi, vijon edhe sot të qëndrojë në një burg të sigurisë së lartë në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit. Ai rezulton i dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal. Sapo të përfundojë dënimin në Ekuador, Rexhepit, do ekstradohet në Shqipëri, ku është dënuar me 25 vite burgim, për vrasje e dy policëve në Fushë-Krujë.
Por si u përfshi emri i Dritan Rexhepit në historinë e pengmarrjes së Jan Prengës? Sipas prokurorisë ka dyshime të forta se Rexhepi nga burgu në Ekuador, ka biseduar me vëllezërit Ndrek dhe Astrit Prengën në Angli, duke i pohuar që t'i lironin mallin, pasi ngarkesa ishte e tij dhe Prenga nuk duhet t'ia prekte. Komunikimi mes Ndrek Prengës dhe Dritan Rexhepit është kryer me telefon nga një burg në Angli, ku ndodhej Ndreka, në një burgu tjetër në Quito, Ekuador, ku ndodhet Dritan Rexhepi. Nga ana tjetër Astrit Prenga i është përgjigjur Rexhepit duke i pohuar se nuk kishte punë me atë, pasi nuk e njihte dhe s’kishin punuar ndonjëherë bashkë. Punët, i kishte thënë Prenga, i kishte vetëm me anglezin që nuk kishte qenë korrekt dhe pagimin e eurove, e kërkonte nga anglezi dhe jo nga Dritan Rexhepi. Por sërish Rexhepi ka këmbëngulur se malli ishte i tij dhe disa shokëve të tij nga Shkodra dhe se duhet ta dorëzonte pa e çuar dëm, sepse në këtë rast ai ishte më i dëmtuari. Gramoz Rexhepi pretendon që nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje, por në fakt ai që ka furnizuar me shumë detaje lidhur me ndërhyrjen e pretenduar të Gramoz Rexhpepit, ka qenë vëllai i Jan Prengës, Artani, i cili në dëshminë e tij dhënë në prokurori pohon:
“...Ky person, Gramozi, i ka treguar vëllait tim, Ndrek Prenga së ndodhej në burg në Ekuador. Gramozi gjithashtu i ka thënë se sasia prej 260 kg ishte e tij dhe disa personave të tjerë. Po kështu pas rrëmbimit të vëllait ka hyrë në kontakte sërish Gramozi, i cili ka komunikuar sërish me Ndrekën të cilit i ka pohuar se:”…unë e di se si janë gjërat, por unë ju jap besën, ktheni pjesën tuaj ju, pra vëllai juaj Astriti së bashku me Gëzim Shullanin, se do lirohet pengu…”,ç’ka nënkuptonte se duhet të kthenim pjesën e mallit që kishin marrë Astriti me Gëzimin.
Rrëmbimi i Jan Prengës duket që ka prodhuar efekt mbi Astrit Prengën, i cili e ka vendosur të kthejë kokainën që e kishte marrë për vete, edhe pse jo të gjithë sasinë, pasi një pjesë të së cilës e kishin marrë njerëz të tjerë. Kështu të paktën tregon në prokurori Artan Prenga:”...pasi kanë fol me Gramozin, vëllai im Astriti së bashku me Gëzimin kanë kthyer sasinë prej 106 kilogramë kokainë në Londër, disa personave nga shteti i Polonisë të cilët i kishte dërguar Gramozi me Gentjan Doçin. Unë nuk e di as vendin dhe as kohën kur ishte kthyer kjo sasi lënde narkotike, por për këtë më ka treguar vëllai im Astriti i cili më ka thënë që ua kemi kthyer gjërat si dhe 700 mijë paund për sasinë që Astriti me Gëzimin kishin prekur nga sasia totale e lëndës narkotike. Ditën e mërkurë të kësaj jave mesa më kujtohej ka qenë data 22 janar 2020, është kthyer malli dhe po atë ditë Gramozi, ka kontaktuar në telefon me Ndrekën, Astritin dhe Gëzimin dhe u ka thënë se brenda dy orësh vëllai i marrë peng Jan Prenga do lirohet".
Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Artan Prenga ka treguar se janë kryer sërish telefonata me Ekuadorin dhe sipas tij, Rexhepi i ka deklaruar se: “…më kanë lëvizur nga fjala ata personat, unë të detyrohem të të jap emrat e tyre, që kanë organizuar dhe kryer pengmarrjen: ata quhen Gentjan Doçaj, Gentjan Bleta dhe Korado Doda…”.
Me shpresën se shumë shpejt do lironin vëllanë e tyre peng, Artan Prenga, ka udhëtuar në drejtim të Dukagjinit, aty ku jeton babai i Gentian Doçaj dhe Gentian Bletës, duke i kërkuar ndërmjetësim me qëllimin e vetëm për të biseduar më të birin.
“...duke qenë se Gentjan Doçi dhe Gentjan Bleta, kishin fikur numrat e tyre telefonik unë në datën 23 janar 2020, kam shkuar tek shtëpia e Gentjan Bleta në Grudë të Shkodrës, së bashku me Nikoll Shullanin, i cili është kryeplak i pajtimit të gjaqeve si dhe njëkohësisht edhe babai i Gëzim Shullanit, i cili është shok me Astritin...”
Por mundi i familjareve të Jan Prengës në Dukagjin nuk ka sjellë asnjë rezultat. Nga ana tjetër prokuroria e Tiranës ka vijuar hetimet me përgjime telefonatash dhe survejim të kamerave, ku ka kuptuar se Jan Prenga, mbahej peng në një hotel në zonën e Shijakut. Vetëm një javë pas rrëmbimit, në datën 25 janar 2020, prokuroria ka kërkuar nga policia të kontrollojë tre banesa në fshatin Pjezë të Shijakut dhe disa hotele dhe kompleksin “Golden” në pronësi të familjes Hajri në Shijak. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar një pistoletë prodhim austriak tip “Glock” me 11 fishekë, një pistoletë “Zastava” prodhim Jugosllav me 15 fishekë në krëhër, 16 aparate telefoni, 4 automjete të markave të ndryshme dhe 4800 euro. Por mes sendeve të sekuestruara, janë dhe 3 njësi DVR-je që memorizojnë pamjet filmike të kamerave të sigurisë të instaluara në objekte.
Dhe këtu hetimet marrin një kthesë vendimtare. Rrëmbyesit e Jan Prenga që kanë përdorur pikërisht kompleski “Golden” si bazë operative, i kishin fikur gjithë kamerat që filmojnë objektin, por duke harruar të ndezura kamerën në garazhin e kompleksit. Dhe pamjet e regjistruara nga ajo kamera sigurie, tashmë janë në dorë të policisë dhe prokurorisë.
Falë këtyre pamjeve të regjsitruara edhe në disa kafene gjatë rrugës nga Kamza deri tek kompleksi “Golden”, policia ka arritur ta rindërtojë, gjithë itinerarin e ndjekur nga fuoristrada “Range Rover” me të cilin u rrëmbye Jan Prenga.
Për herë të parë automjeti tip “Range-Rover”, i vjedhur në 26 nëntor 2019 dhe në pronësi të një këngëtare tallavaje Kaje Rustami,i cili u përdor për rrëmbimin e Jan Prengës është identifikuar nga një kamer sigurie të bari i cili ndodhet në rrugën “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” në Laknas, ku është fiksuar momenti kalimit të automjetit ngjyrë e bardhë. Mjeti ku ndodhej dhe trupi i Jan Prengës, më pas ka dalë në zonën e Urrës së Laknasit dhe mandej ka shkuar në drejtim të rrugës interurbane Ndroq-Durrës, duke hyrë mandej në zonën e Shijakut, ku është futur në kompleksin “Golden”. Në total janë pesë kamera sigurie, përfshirë dhe atë të kompleksit “Golden”, që vërtetojnë pengmarjen e Jan Prengës dhe kanë sjellë zbardhjen e intenerarit të përshkuar nga makina e autorëve
"...i njëjti automjet konstatohet që hyn në ambientet e kompleksit "Golden" në Shijak në orën 11:35 në datën 17 janar 2020 dhe ai automjet, kur ora shënon 20:38 e mbrëmjes, del nga pjesa e oborrit të kompleksit Golden dhe vazhdon lëvizjet në drejtim të Durrësit, ku më pas ai është gjetur i djegur në fshatin Shkallnur të Durrësit…”.
Kështu falë këtyre pamjeve filmike policia dhe prokuroria zbulojnë se Jan Prenga është mbajtur peng me plagë të gjakosura për gati 9 orë në garazh të kompleskin “Golden” dhe më pas është nxjerrë i pajetë, duke e ngarkuar trupin në një furgon dhe ende dhe sot nuk dihet se ku është fshehur trupi. Këto foto dramatike të shkëputura nga video origjinale tregojnë bandën që nxjerr trupin e Jan Prengës nga “Ranger Rover”, me cilin e kanë rrëmbyer dhe pastaj e vendosin kufomën brenda një furgoni të bardhë. Nuk është ende e qartë në se Jan Prenga ka vdekur nga plagët menjëherë pas rrëmbimit apo nëse ka vdekur brenda kompleksit“Golden”. Siç lexohet në këtë dokument, nëpërmjet pamjeve, policia dhe prokuroria pretendojnë se kanë indentifikuar edhe autorët e rrëmbimit dhe më pas vrasjes së Jan Prengës. ”…si jashtë kompleksit “Golden”, por veçanërisht në ambientet e brendshme si edhe në pjesën e bodrumit të tij, shtetasit Bajram Hajri, Leonard Hajri, Ilir Turja, Festim Bixhdili dhe Altin Hajri, kryejnë veprime aktive, si fshehje të armëve, duke fshehur dhe fshirë gjurmët e gjakut, duke ndihmuar fizikisht futjen e kufomës në automjetin tip Furgon, automjet ky në emër të shtetasit Elton Hajri, si edhe transportimin e kufomës në drejtim të daljes nga ambjentet e kompleksit, mjet në të cilin dallohen se personat nën hetim futin edhe vegla të tilla pune si kazma dhe lopata. Kompleksi “Golden” ku u gjetën dhe sekuestruan armët, administrohet nga familjarët Bajram Hajri, Leonard Hajri dhe Altin Hajri. Gjithashtu në menaxhimin e këtij kompleksi meret dhe shtetasi Olsi Turja, i cili shfaqet në pamje filmike duke fshehur dhe fshirë gjurmët e gjakut….”
Ky dokument tregon edhe rolin që Festim Bexhdili nga Kavaja, njëri prej protagonistëve të këtij krimi, ka pasur në këtë pengmarje, për të cilin prokuroria ka ngritur akuzën e “Fshehjes dhe asgjësimit të kufomës”. Kjo pasi siç thotë prokuroria:”…në sjelljet e tij rreth ngjarjes së mësipërme, tek ai identifikohet dukshëm veprime aktive në transportimin e kufomës fillimisht në automjetin tip furgon dhe më pas edhe në ambientet jashtë tij, por që deri në këtë moment procedural ende nuk është mundësuar gjetja e vend groposjes së Jan Prenga…”.
Festim Bixhdili ka treguar se punonte si kopshtar në kompleksin “Golden” dhe se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë. Bixhdili, ka treguar se është larguar me një furgon të bardhë dhe disa kilometra nga kompleks, trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra, të dy persona të shpallur tashmë në kërkim. Më pas, ai ka treguar se u rikthye në resort dhe dorëzoi furgonin.
Vetëm 14 ditë pas zhdukjes së kufomës së Jan Prengës, në datën 31 janar 2020, policia gjatë kontrolleve të lira në zonë, ka gjetur në një nga kodrat, jo larg Shijakut vetëm plastmasin me të cilin dyshohet që u mbulua trupi i pajetë të Jan Prengës, dhe pikërisht në këtë zonë po bëhen kërkime të tjera duke shpresuar të identifikohet vendi ku është groposur kufoma.
Nisur nga provat e mbledhura, rrëfimi i Artan Prengës dhe pamjeve filmike policia dhe prokuroria arrestuan në 25 janar pesë persona Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Festim Bixhdili dhe Olsi Turja. Ndërsa shpalli në kërkim Altin Hajrin, Gentian Doçaj, Korado Doda, Gentian Bleta, Dritan Rexhepi, Artan Doçaj, Aldo Manishta dhe Ardian Doçaj. Ky i fundit gjatë një komunikimi në telefon me televizionin Report Tv deklaroi se nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale, e konkretisht as me pengmarrjen e vrasjen e Jan Prengës.
Siç tregon edhe ky dokument në datën 5 shkurt 2020, vetëm pak orë pas transmetimit të kësaj interviste,Ardian Doçaj, ka udhëtuar nga Viena në drejtim të aeroportit të Podgoricës në Malin e Zi. Doçaj është vetëparaqitur në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, ku siç shihet në këto pamje filmike ai është arrestuar nga policia shqiptare, si njëri nga të dyshuarit e rrëmbimit të Jan Prengës. Dy ditë më pas Gjykata e Tiranës, caktoi masën e “arrestit në burg” për të, pavarësisht se Ardian Doçaj, mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në këtë ngjarje të rëndë.
Ndërkohë një ndër njerëzit që vijojnë të jenë në kërkim për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e trupit të Jan Prengës në Kamëz, është Altin Hajri, pronari në letra i kompleksit luksoz“Golden” në Pjezë të Shijakut, ku nuk festohen vetëm dasma, por vriten edhe njerëz. Implikimi Altin Hajrit në këtë ngjarje, lidhet jo vetëm se viktima është mbajtur për 9 orë me radhë në ambientet e kompleksit, por prania e tij, del qartë nga pamjet filmike të sekuestruara dhe nga dëshmia e njërit prej të arrestuarve Festim Bixhdili. Altin Hajri, kishte vetëm 19 ditë që ishte kthyer nga Hollanda, ku ishte dënuar me 2 vite burg për akuzën e drogës. Altin Hajri, ka hyrë në Shqipëri në 30 dhjetor 2019. Policia ngre dyshime të forta se Altin Hajri është urdhëruar nga Gentian Doçaj ose Dritan Rexhepi që Jan Prengën, e marrë peng në Kamëz, ta izolonin dhe mbanin peng në kompleksin luksoz, në Shijak.
Po kush është Altin Hajri? Siç tregon ky dokument, Hajri rezulton pronar me 100 për qind të aksioneve të kompleksit Golden dhe një kompanie nafte “Alt-Oil 2008” në Shijak. I pozicionuar politikisht përkrah një force politike në Shqipëri tashmë në opozitë Altin Hajri, ka mundur t'i shpëtojë shumë herë drejtësisë Shqiptare. Për herë të fundit në Shqipëri, Altin Hajri është shoqërua nga RENEA dhe FNSH në tetor të vitin 2018 gjatë operacionit “Vo-lvo”, siç tregohet në këto pamje, por ndaj tij nuk është marrë asnjë masë arresti, megjithëse ishte në kërkim prej 21 janarit 2018. Një tjetër skandal që nuk është hetuar kurrë.
Hajri ishte në kërkim për një tentativë vrasje në dëm të hidraulikut Muhamet Balla dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.Dyshohet se ndërhyrja politike, ka dhënë efektet duke nxjerrë nga qelia Altin Hajrin, edhe pse ndaj tij ishte vendosur nga gjykata e Durrësit një masë sigurimi “Arrest në burg” në mungesë. Akuza ndaj tij ishte bërë nga Muhamet Balla, një punëtor hidraulik dhe komshi i Altin Hajrit, që kishte kryer punime në kompleksin Golden në Shijak, ku pas përfundimin të punimeve, ka kërkuar pagesën e pashlyer nga Altin Hajri, që përllogaritej në 3 mijë euro. Por Hajiri për të mos paguar, e ka tentuar ta vrasë.
Gjatë gjykimit të dosjes në gjykatën e Durrësit, Muhamet Balla e ka tërhequr pjesërisht akuza ndaj Altin Hajri, duke e lënë çështjen në dorë të“Zotit”, siç deklaroi para gjykatës. Në fund të procesit gjyqësor Altin Hajri në datën 6 maj 2019 është dënuar nga gjykata e Durrësit me 7 vjet burgim. Çështja është ankimuar në gjykatën e Apelit Durrës dhe në dhjetor të 2019 me një vendim të gjyqtares Anita Mici, është vendosur deklarimi i pafajshëm i Altin Hajrit, për akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Në sistemin elektronik të gjykatës së Durrës Altin Hajri, rezulton i dënuar vetëm dy herë, ku këto dënimi kanë qenë qesharak, me 1.2 milion lekë të vjetra gjobë për akuzën e “Prishjes së qetësisë publike” dhe 1.4 milion lekë të vjetra gjobë për “Kundërshtim të forcave të policisë”, ku e arrestuar në vitin 2010 në ambientet e lokal “Porsaidi” në Durrës. Por për shkak të miratimit të ligjit të amnistisë në fund të vitit, rezulton se të dyja këto gjoba, nuk janë paguar kurrë nga Altin Hajri.
Ndërkohë paralelisht me këto çështje penale, prokuroria e Durrësit ka ngritur në dhjetor 2015 dhe një hetim për hetimin pasuror ndaj Altin Hajri dhe Emiljan Hajri, për akuzën e “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Kjo pasi autoritet italiane kishin arrestuar në 2015 në Itali Emiljano Hajrin për trafik heroinë dhe shpallur në kërkim Altin Hajrin. Informacioni për këtë rast është referuar në prokurori nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës. Por ky hetim pasuror u zbeh gjatë rrugës dhe në 23 janar 2017 është vendosur pushimi i hetimeve. Në një përgjigje zyrtare të kthyer me shkrim në adresë në “Report Tv”, prokuroria e Durrësit thotë se:“…në kuadër të këtij procedimi penal, janë kryer verifikimet pranë institucioneve përgjegjëse për dhënien e informacionit mbi asetet që posedonin shtetasit Altin, Emiljan Hajri dhe familjarët e tyre. Gjithashtu,në muajin maj të vitit 2016,i është përcjellë letërporosi autoriteteve gjyqësore italiane, për të marrë të dhëna shtesë, në funksion të këtij hetimi, si dhe është përcjellë relacion për hetimin pasuror administrativ në Prokurorinë për Krime të Rënda. Nga korrespondenca me Zyrën Qendrore Interpolit Tiranë, në muajin maj të vitit 2016 jemi informuar se Zyra Qendrore e Interpolit Romë, ka anuluar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar për shtetasin Altin Hajri pasi është pushuar çështja penale ndaj tij në datën 4 dhjetor 2015. Në datën 23 janar 2017 është vendosur pushimi i hetimeve të procedimit penal Nr.2300 të vitit 2015, ndërkohë ende nuk është administruar përgjigja e leterporosisë…”.
Pavarësisht faktit që nga bilancet zyrtare të depozituar pranë drejtorisë së tatimeve që “Report Tv”e disponon rezulton që shoqëria “Golden shpk” ka prodhuar në viti 2009 një humbje afro 46 milion lekë të vjetra, ndërsa në bilancin e vitit 2017, kjo kompani nxjerr një fitim prej 13 milion lekë të vjetra. As prokuroria dhe as policia për shumë vite nuk kanë menduar ta verifikojnë, se ku Altin Hajiri i ka nxjerrë miliona euro, të shpenzuara për të ndërtuar kompleksin super luksoz. Të paktën deri më sot. Kjo pasi tashmë, dy vite pas pushimit të hetimeve financiare,në janar 2020 njësia “Forca e Ligjit”, e sekuestroi sërish pasurinë e familjes Hajri, ku këtë herë është SPAK-u, ai që po udhëheq hetimin mbi origjinën e parave që kanë lejuar ndërtimin e resortit“Golden”, një pikë karburanti, tre apartamente dhe blerje të disa automjeteve luksoze. Ndërkohë masës së bllokimit nuk i kanë shpëtuar dhe pasuritë e familjes Doçaj, në Shkodër dhe pjesës tjetër të bandës, që kanë rrëmbyer dhe ekzekutuar Jan Prengën në 17 janar 2020 në Kamëz.
Megjithatë, pavarësisht nga arrestimet, e vërteta mbi këtë histori kriminale ende nuk është zbuluar deri në fund. Ndërsa efekti që do prodhojë kjo ngjarje mes familjeve të përfshirë në këtë krim, do jetë i paparashikueshëm në kohët në vazhdim.
Kurse ty maria duhet me te dhene nje abetare te mesosh te shkruash.
PërgjigjuSka askush faj vetem vdhezrit e ti si nuk e kan vu né djeni vdhan e vet
PërgjigjuKjo qe ndodhi ne shijak eshte shume e rende,,,,,te vrasesh tjetrin kot,,ne pune te vet ,,se vellai i tij ne nje shtet tjeter mori nje sasi droge,,,,kjo eshte e pakuptimte dhe e pafalshme,,,po qe se nuk denohen me burgim te perjetshem,,ATEHERE KANUNI DO VENE NE ZBATIM....KANUNI THOTE GJAKU NUK HUP KURRE......
PërgjigjuPo' ca kanuni thu ti mor zoteri keto paskan qene granites malli ti thu kanun lleshi. Kush merret me kto pune i di pasojat, problemi eshte se keto pune smarojne naj her, keto do bohen me hije kur te hecin.
Po ca kanunit o shok, kush I tha ketyne me vjell, po kshu jan merditoret te pabes I njef tan shqipnia
Vetem vdhezrit e ti kan faj se nuk ja kan kadhzu gjanat vdhait prepara me vjen shume keq per familjen e ti
Ti habitesh qe vellai paguan gjynahet e vllait pastaj kerkon kanunin(ne munges te ligjit). Me kanun gjynahet e njerit prej vllezerve prenga i paguan deri kusheriri i dyte nga ana e babes se prenges. Ky shtet ka ligje plasteline, edhe kur te denon perjet, te nxjerr pas 15-20 vites