Në fotot bashkëngjitur këtij shkrimi, të publikuara sot nga Bashkia e Tiranës, shihet teksa qytetari i parë i kryeqytetit Erion Veliaj inspekton përfundimin e punimeve për sistemimin e bllokut të banimit në rrugën “Alla” dhe “Shyqyri Brari”, pranë Kopshtit Zoologjik.
Ai vlerësoi faktin se veç shtrimit të rrugëve dhe trotuareve, janë bërë të gjitha punimet e tjera nëntokësore dhe ato sipërfaqësore, duke përfshirë ndriçimin dhe sinjalistikën.
“Jam shumë i kënaqur sepse vetëm para pak javësh, në fillim të vjeshtës, ishim këtu dhe e gjithë zona e Kopshtit Zoologjik në fakt nuk merrej vesh nëse jetohej më mirë brenda Kopshtit Zoologjik apo jashtë Kopshtit Zoologjik. E them këtë pa humor, sepse situata i ngjante realisht një prej atyre episodeve ‘vende dhe popuj’, ku të mbysnin balta, dheu, zhuli dhe pluhuri. Sot është një gjendje krejt tjetër, ndaj edhe dua t’i falenderoj kolegët, që kanë bërë një punë fantastike për pak javë. Një punë e bërë në kohë rekord, por gjithashtu edhe në mënyrë cilësore”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ai falenderoi në mënyrë të veçantë të gjithë banorët që treguan mirëkuptim për realizimin e këtij projekti, ndërsa kërkoi prej tyre që ta mirëmbajnë atë. Ndërkohë, ai tha se ky investim është vetëm një nga pjesët e projektit të Bashkisë së Tiranës për t’i dhuruar Tiranës rreth 200 rrugë të rikonstruktuara dhe të reja në vit. “Kjo është pjesë e projektit për të rehabilituar 200 rrugë, pra është një buqetë rrugësh që po rehabilitohet në të gjithë Tiranën. Do ta vazhdojmë edhe për të kapur lagjen e fundit të Kopshtit Zoologjik, që është shumë afër majës së kodrës dhe për t’u siguruar që, ndodhi-ç’ndodhi me ish-komunën Farkë, Bashkia e re e Tiranës, që ka edhe Farkën brenda, të mos bëjë diferencime. Po punojmë nga ekstremi i Liqenit të Farkës e deri në ekstremin tjetër, që është në fakt kufiri mes Farkës dhe Selitës, edhe Kombinatit”, tha Veliaj.
[gallery]24712[/gallery]
s.k/Shqiptarja.com

VIDEO










