Foto të 40 klerikëve të vrarë 
në Komunizëm për vizitën e Papës 

Foto të 40 klerikëve të vrarë <br />në Komunizëm për vizitën e Papës 
TIRANE- Për mirëpritjen gjatë vizitës së Atit të Shenjte në Shqipëri më 21 Shtator, Ministria e Kulturës ka shpallur dje kalendarin e aktiviteteve kulturore që nis nga 16 deri më 20 shtatori. Mësohet se aktivitetet janë kryesisht koncerte, ekspozita, dokumentarë e filma të shfaqur falas për këdo. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka bërë dje publike edhe detajet e tjera të dekorit që do të vendoset në kryeqytet. Flamuj e aksesorë zbukurues me mesazhe për vizitën e Papës kanë nisur të shpërndahen kudo. Bulevardi Dëshmoret e Kombi, përveç flamujve të shtetit shqiptar dhe atij të Vatikanit do të mbushet me fotografi të mëdha të 40 klerikëve të vrarë në komunizëm. Ndërsa, Sheshi “Nënë Tereza” ku do të mbahet mesha, është prezantuar në të gjitha këndvështrimet.  

“Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri do të pritet me një sërë aktivitetesh jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit”, tha dje Ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro, duke bërë publike detajet e dekorit dhe të të gjitha aktiviteteve kulturore me rastin e vizitës së Papës. Qeveria gjithashtu ka bërë transparente fondet për të gjitha punimet e projektet. Me detajet më të fundit, si dhe përgatitjet e tjera për këtë vizite historike kostoja arrin mbi 2.5 milion dollarë.
 
Agjenda e aktiviteteve: dokumentar për Papa Gjon Palin dhe Nënë Terezën  
 Në 16 shtator në Tiranë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare do të shfaqet ekspozita “Katolicizëm dhe Kulturë”. Ndërsa në qytetin e Durrësit do të mbahet një koncert dhe recitime të materialeve poetike nga autorë me profil religjioz. Aktivitetet kulturore ndërkaq, do të vijojnë edhe në 17 shtator në Tiranë dhe Lezhë, ku ndër të tjera për publikun do të shfaqen filma të zgjedhur nga Dokufest. Në 18 shtator, aktivitetet kulturore do të zhvillohen edhe në qytetin e Shkodrës me koncert dhe recitime.

Ndërsa në Tiranë do të shfaqet një dokumentar mbi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës në Shqipëri, në ‘92. “VVaiting for the Pope”do të jenë koncert dhe lexime/recitime të materialeve poetike nga autorë me profil religjioz, organizuar nga TKOB dhe TK që do të komunikojnë me publikun në disa qytete të Shqipërisë si Katedralja “Shën Luçia” – Durrës; Katedralja “Shën Pali”- Tiranë; Katedralja “Shën Shtjefnit” -Shkodër.

Aktivitete të tjera do të jenë: Ekspozitë e piktorit Lin DELIJA "Historia e tij është takimi i Artit me Kishën" në GKA, Vox Baroque, Mbrëmje poetike me poezi të De Radës dhe me muzikë arbëreshe në TKE “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, shfaqje dokumentarësh me temë besimin fetar nga AQSHF-ja, program filmash të përzgjedhur nga Doku Fest si shfaqja e produksioneve të tri filmave religjiozë, ekspozita “Katolicizëm dhe kulturë”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, e cila synon të hedhë dritë mbi një nga faktorët më të rëndësishëm të ngjizjes europianiste të kulturës sonë kombëtare: kontributi i personaliteteve dhe i formantes kulturore katolike brendashkruar asaj kombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës. Edhe datat 19 dhe 20 shtator të shoqërohen me aktivitete në Rubik dhe në Tiranë, me mbrëmje poetike, shfaqje të dokumentarëve, si dhe të filmave nga Dokufest.
 
Detajet e dekorit të  mirëseardhjes së Papës
“Rikonstruksioni i Pallatit të Kongreseve dhe ndërhyrjet në Muzeun Historik Kombëtar, nuk janë ndërmarrë nga qeveria  duke marrë spunto vetëm nga vizita e Papa Franceskut në vendin tonë. Ishte një projekt i parashikuar në kuadër të rehabilitimit të zonave të monumenteve të kulturës, që u përshpejtua me rastin e kësaj vizite…por që u ndikua së tepërmi nga gjendja e degraduar në të cilën ishin shndërruar këto institucione”, deklaroi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Qendra Mediatike në Pallatin e Kongreseve..ishte në gjendje të degraduar”, tha ajo duke theksuar se “Në Pallatin e Kongreseve do të vendoset qendra mediatike, rikonstruksioni bëhet sepse këtu nuk ishte vënë dorë prej dekadash, dhe e gjetëm në gjendje të degraduar. S’janë ndërhyrje të përshpejtuara për një ditë, por i mbeten publikut. Do të krijohet qendër mediash me aparaturat e nevojshme, linjat e internetit e të tjera. Kemi pasur fluks akreditimesh. Mbi 400 gazetarë të huaj që janë akredituar, ndërsa kërkesat e reja po menaxhohen, por janë shumë”. Ministrja e Kulturws wshtw shprehur gjithashtu se edhe Muzeu Kombëtar ka shpëtuar me këto restaurime nga disa rrënime. “Muzeun historik Kombëtar e gjetëm në gjendje të mjeruar, s’ishte vënë dorë në mënyrë absolute në këtë ndërtesë...

Jemi marrë gjithmonë me fasadën por jo me ndërtesën brenda”, u shpreh Kumbaro. Kumbaro tha se rehabilitimi i Sheshit “Nënë Tereza” ishte gjithashtu në planet e qeverisë dhe që u përshpejtua nga vizita e Papës. Ministraj e Kulturws sqaroi se punimet në shesh po bëhen me bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës, për të është aprovuar një projekt me vlerë rreth 1 milionë dollarë për restaurimin e shatërvanit dhe shkallëve. Pjesa tjetër e punimeve, tha ministrja, është marrë përsipër nga qeveria.
 
Rama do të takojë Papën i pari
 I pari që do të takojë Papa Franceskun menjëherë me mbërritjen e tij në Rinas do të jetë kryeministri Edi Rama, personi që i ka dërguar personalisht Atit të Shenjtë, ftesën për të vizituar Shqipërinë. Takimi do te zhvillohet ne sallën VIP te aeroportit te Rinasit, e cila i është nënshtruar rehabilitimit. “Rehabilitimi i bërë në sallën VIP të aeroportit të Tiranës, ku takohen  kokë më kokë Rama që pret Papën në zbritjen nga avioni, duke iu përgjigjur kështu ftesës së tij personale”, tha Kumbaro.

Kujtohet në Rubik Abat Preng Doçi
Në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri dhe për të risjellë në vëmendje të publikut shqiptar figurën e Abat Preng Doçit, Ministria e Kulturës organizon në qytetin e Rubikut tryezën e rrumbullakët “Abat Preng Doçi – Rilindës i madh, misionar i dijes dhe kulturës kombëtare”. “Abat Preng Doçi është një ndër personalitetet me te rëndësishme te Rilindjes dhe i fillimit të shek. XX në historinë e Shqipërisë, i cili ka luajtur një rol madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe, bashkëpunëtor i De Radës dhe Kamardës, ai njihet si mendimtar, poet, publicist, veprimtar politik e kulturor, themelues i shoqërisë kulturore “Bashkimi” dhe Komisisë Letrare nga e cila trashëgojmë alfabetin latin të shqipes.

Ekspozita e klerit dhe bashkëjetesës fetare, titulluar “BESIM”, me kuratorë artistët Edi Hila dhe Zef Paci, e cila do të realizohet në bashkëpunim me komunitetet fetare në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë lidhur me aktivitetet kulturore të organizuara me rastin e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë!

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë!