Ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi ditën e djeshme një takim me demokratët në Shkodër. Kësaj radhe ai u akuzua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha se takimin e kishte organizuar në bashkëpunim me kryebashkiakun Benet Beci.

Ndërkohë në rrjete sociale virale është bërë një foto e shkrepur disa vite më parë gjatë përurimeve të rrugëve të Berishës me Benet Becin. Ky i fundit ka mbajtur postin e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit kur Partia Demokratike ishte në mazhorancë.

Ndërkohë Salianji u përgjigj nga Shkodra akuzave të Berishës duke i kujtuar që vetë ai dikur ka bashkëpunuar me kryebashkiakun sot, të cilin e emëroi në krye të disa të institucioneve më të rëndësishme në vend.

Berisha ka nisur të sulmojë me akuza të tilla Salianjin që pas takimit të zhvilluar në Elbasan. Kryetari i PD tha se takimin e Elbasan Salianji e organizoi në bashkëpunim me Suel Çelën, i shumëkërkuari nga SPAK dhe kreu i bandës së Elbasanit.