Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka shkuar te pallati i djegur i kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10 në kryeqytet.
Gjatë takimit me banorët e dëmtuar nga djegia e pallatit, Koçiu ka siguruar banorët se do të marrin bonus qiraje dhe do të përkrahen derisa pallati të rikthehet si më parë.
“Do të marrim masat për një bonus qiraje që të akomodohen banorët. Po kryhen hetime për të nxjerrë kush është shkaku. Duhet të presim të shohim nëse ka përgjegjësi sociale. Do të jemi krah jush derisa të kthehet pallati në gjendjen e mëparshme”, është shprehur zv/kryeministrja.
Megjithatë, ajo ka refuzuar të japë afate për mbylljen e punimeve dhe ka theksuar se s’ka neglizhencë nga ana e institucioneve. Koçiu ka theksuar rëndësinë e hetimit për të zbardhur ngjarjen.
“Nuk jap dot afate për mbylljen e punimeve, pasi ende nuk është mbyllur hetimi. Askush nuk po neglizhon, po përpiqemi që gjëja të zgjidhet sa më shpejt. Duhet të kuptojmë shkakun nga se ka ardhur zjarri, se mund të ketë edhe përgjegjës”, thotë Koçiu.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, thotë se po punohet që brenda një muaji të merret leja për të nisur punimet.
“Do të vijë një grup arkitektësh, por më parë duhet të mbyllet inventari”, është shprehur ajo. Ndërsa administratorja e kompleksit ka thënë se “Ne jemi të gatshëm për të mbuluar dëmet, dhe për të rindërtuar”.
Afati do të jepet pas një jave.
“Pasi të vlerësohet gjendja do të dalim me afat. Pas një jave, do të vijë një grup për të thënë një afat se kur mbarojnë punimet”, tha Roka.
Gjithashtu, ajo ka shprehur gatishmërinë e kompanisë për të marrë masa.
“Jemi gati të marrim masa, të shkojmë tek noteri dhe të mbajmë përgjegjësi ligjore për pronësinë”, thotë administratorja.
Një tjetër detaj është që rrjeti elektrik dhe i furnizimit me ujë i kompleksit është dëmtuar duke shkaktuar ndërprerje të shërbimit për apartamentet që nuk janë prekur nga zjarri.
Zjarri masiv që përfshiu pallatin 12-katësh të martën, dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, 5 të mitur u kanë vënë flakën disa kutive prej kartoni jashtë një marketi që shumë shpejt përfshiu fasadën e pallatit.
Ndërkohë, kompania ‘Arlis’ publikoi një kontratë për një marrëveshje të nënshkruar me një kompani të specializuar që garantonte se fasada ishte antizjarr.
Për ngjarjen janë arrestuar 4 persona, ndërsa pronari i ‘Arlis’, Armand Lilo, është shpallur në kërkim. Veç tij, janë nën hetim edhe dy punonjëse të marketit.
Lajm në përditësim...
Komente











Ne 2026 bonusi qerase duhet te jete 40,000 Lek- 50,000 Lek sepse nuk gjenden banesa nen kete cmim
Përgjigju