Një 22 -vjeçar nga fshati Gojan i Pukës është djali që u vra nga një pensionist, mëngjesin e së martës në Milano të Italisë. Gjergj Gjoni është identiteti i viktimës, raportoi sot policia italiane, teksa në njoftimin policor, bëhet e ditur se trupi i tij do t’i nënshtrohet autopsisë të hënën e ardhshme, për të përcaktuar saktë vendin e vrasjes dhe kohën e vdekjes.
 
Autori i vrasjes, një pensionist 65-vjeçar, Francesco Sicignano, i bëri të ditur Policisë se e kishte kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes, por dy prokurorët e Milanos, Antonio Pastore dhe Alberto Nobili, thonë se ka shumë dyshime dhe duhet sqaruar dinamika ekzakte. Goditja e shkaktuar nga 65-vjeçari ka ardhur nga lartposhtë, drejt e në zemrën e 22-vjeçarit dhe asnjë gjurmë gjaku nuk është gjetur brenda kuzhinës.

Francesco Sicignano
(Në foto autori i vrasjes Francesco Sicignano)

Trupi i pajetë i 22-vjeçarit u gjet në shkallët e jashtme të godinës ku mendohet se u krye krimi. Policia italiane identifikoj viktimën nga shenjat e gishtërinjve, pasi i riu shqiptar ishte i njohur më parë për policinë italiane si person me precedent penal, çfarë i kishte kushtuar atij riatdhesimin në Itali.

gjergj gjoni
 
Gjergj Gjoni, sipas policisë, aktualisht jetonte ilegalisht në Itali, teksa strehohej tek një vajzë që mendohet të ishte e dashura e tij. E teksa lajmi i vdekjes është përhapur familja Gjoni në Gojan të Madh të Pukës ka hapur dyert e mortit. Të afërmit tregojnë se Gjergji ishte i vetmi që siguronte të ardhura për familjen, prindërit, dy vëllezërit dhe tre motrat nuk kishin një mundësi punësimi.
 
gjergj gjoni

Gjendja ekonomike ku ndodhet familja e të riut, ka shtuar edhe më ankthin për rikthimin e tij në atdhe, pasi prindërit dhe të afërmit e kanë të pamundur përballimin e shpenzimeve për sjelljen e trupit të pajetë. Gjergj Gjoni ishte larguar në drejtim të Italisë në vitin 2012. Disa muaj më vonë ai ishte rikthyer por ëndrra për një jetë më të mirë e kishte çuar sërish në Itali ku dhe gjeti vdekjen.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)