Fotot dhe fjala e fundit e
Nermin Vlora Falaschi

Fotot dhe fjala e fundit e<br />Nermin Vlora Falaschi
Sjellim ndërmend bisedën e fundit, fjalën e saj të fundit që mbajti në Kuvendin e tretë të gruas së shquar që u mbajt në Shkup dhe amanetin për foton e fundit. Teksa do të ndaheshim dhe Nermini do të fluturonte për në Romë, ajo thirri fotografin dhe i tha: Më bëj një foto të bukur me këtë shallin flamur që kam në qafë, që ma dhuroi një intelektuale shqiptare nga Shkupi. Më bëj një vetëm dhe pastaj me Rencon, bashkëshortin tim, që e deshi Shqipërinë dhe Flamurin njësoj si unë. Amaneti: Këtë foto do ta vendosësh atje…. Porosia e fundit dhënë me gojën e saj ishte: Merre këtë foto dhe vendose atje në Kaninë, ku do të prehem përgjithmonë. 50 ditë më pas, për çudi dhe mrekulli që bëri natyra, Ambasadorja e Kombit Nermin Vlora do të ndërronte jetë në ditën e Flamurit, më 28 nëntor… Foto dhe fjala e saj e fundit, botohen për herë të parë tek "Shqiptarja. Com".

Jeta ime me tre vajzat dhe tre djemtë e Ismail Qemalit.

Unë ndjehem krenare që ndodhem në Kuvendin e gruas së shquar në Shkup, pas ati që u bë në Vlorë dhe Prishtinë. Është një argument shumë i rëndësishëm, që po bashkohet zëri i gruas shqiptare nga të gjitha trevat, se kështu do të jemi më të forta për të kërkuar të drejtat tona, për tu vendosur në vendin që na takon dhe vazhdon të na mohohet. Megjithëse nuk jam mirë me shëndet, u lumturova, që takova dhe bisedova me gra intelektuale të shquara nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, që mes nesh kemi gra intelektuale arbëreshe, sikurse është profesoresha Lule Ruso. Uroj që këto kuvende të vazhdojnë rrugëtimin e tyre nga breza grash. Nuk më pëlqen të flas për veten time, por Komiteti përgatitës I nderuar i këtij Kuvendi gruaje, ma ka ngarkuar këtë detyrë, të themi pak sit ë vështirë dhe unë po përpiqem që tua plotësoj atyre me të gjitha mundësitë që kam.

Linda shtatanike dhe shumë e vogël, kaq e vogël sa mjekët menduan se nuk do të jetoja më shumë se tre ditë. Nëse matematika është vetëm një opinion, deri më sot ato tri ditë ende nuk kanë kaluar! Besoj se asgjë nuk mund ti shmanget reaktivitetit të Eistein-it dhe unë nuk u bëra përjashtim I këtij rregulli. Mendoj se shpesh, jeta vetë e vendos fatin tonë dhe na detyron të bëjmë atë që ajo vetë e ka nënvizuar. Unë Linda nga një nënë mjeke, që kishte punuar në spitalin e Stambollit dhe kishte fituar disa çmime, por kur erdhi në Tiranën Fanatike të asaj kohe, e këshilluan tua linte burrave në spital atë profesion! Kështu ndodhi që unë të kisha një mjeke vetjake në çdo çast të ditës dhe të natës!Kisha edhe një gjyshe të mrekullueshme, fëmija e parë e Ismail Qemalit, I cili ishte dashuruar shumë dhe martuar me një vajzë greke, Kleoniqin, prandaj, emrin e fëmijës së parë të gjyshes sime shumë të dashur, ia kishin vënë me meritë të plotë "Dashuri". . "Myvedet" ( në turqishten e lashtë dhe "Agapi" në greqisht. Në Tiranë jetonin dy motrat dhe tre vëllezërit e gjyshes dhe duke qënë ajo" Abllaja"( më e madhja), motrat, vëllezërit dhe vajzat ia puthnin dorën me respekt dhe askush prej tyre nuk I drejtohej më " ti", por gjithmonë me Ju. Më i madhi iu vëllezërve ishte dajë E-themi, që I ngjante shumë gjyshes sime si nga pikëpamja e karakterit, ashtu edhe nga ajo fizike: Të dy kishin të njëjtën fytyrë sit ë Ismail Qemalit. Dajë Et-hemi ishte shumë simpatik, me një karakter të gjallë dhe gjithmonë gati për shaka.

Më kujtohet se ai kishte një kalë dhe shpesh më ka shëtitur me të nëpër fushat rreth e qark Tiranës, të Tiranës së asaj kohe, kur shtëpitë ishin si kështjella dhe gati përdhese. Pas oborrit për kuajt dhe karrocat, kishte një portë të vogël nga ku mund të kaloje me radhë nga një shtëpi në tjetrën njëkatëshe me avlli të shtruar me gurë zalli. Çdo shtëpi kish pusin e vet, ujë brenda kovës tërhiqej me çikrik. Disa prej këtyre shtëpive e kishin pusin të përbashkët, por çdo njëra kishte çikrikun e vet. Daj Qazimi ishte krejt ndryshe si në pamje edhe në karakter:Fliste pak, punonte shumë dhe vinte për dore çdo punë. Kur prishej diçka në shtëpi ai ishte në gjendje ta ndreqte atë dhe e bënte me kënaqësi. Në fillim të viteve 30-të kur pak njerëz kishin automobila, që e ngiste vetëm shoferi, Daj Qazimi jo vetëm që e ngiste vetë, por kishte aftësinë ti ndreqte edhe defektet. ...Daj Qamili ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, një enciklopedist I mrekullueshëm dhe zotëronte 12 gjuhë. Nuk kishte argument që të mos e përballonte. Drekat me Daj Qamilin ishin shkollë më vehte.

Meqë atij I pëlqente të fliste, unë mësova shumë prej tij. Ai e kuptonte se unë kisha interes për cilindo argument që zhvillonte dhe tregonte kënaqësi të veçantë, që përvoja e tij e madhe të mos ikte në harresë. Kishte një mënyrë të tij të këndshme që ti tregonte edhe ato ngjarje që në të vërtetë paraqiteshin me realitet mjaft të ashpër. Kam udhëtuar me shërbim diplomatic të tim shoqi në Kontinente të ndryshme dhe kam njohur intelektualë të vërtetë me vlera të jashtëzakonshme, kush në një fushë dhe kush në një tjetër, por me dijeni aq të hapura si Daj Qamili, deri më sot, nuk kam njohur. Megjithatë ai pati një jetë të vështirë në Tiranë, ku punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe padyshim ishte e vështirë të gjendje një diplomat më i përsosur se ai.
Më vonë, në kohën e diktaturës e futën në burg ku flinte natën dhe ditën shkonte punonte në zyrë. Në burg u bë turbekuloz dhe vdiq në moshën 50-vjeçare. I kujtoj me mirënjohje të veçantë ato ditë dimri, kur unë vonohesha në shkollë, meqë isha në kor dhe pas mbarimit të mësimeve duhej të përgatisnim shfaqjen e fund-vitit shkollor. Kur i dilja nga shkolla afërsisht nga ora 17. 00 në dimër rrugët ishin të errta dhe kjo gjë më shkaktonte frikë, por për fat të mirë, jashtë portës së shkollës më priste Daj Qamili ose Daj Qazimi që më shoqëronin për në shtëpi. Gjyshja ime e dashur kishte dy motra, Alijen dhe Ylvijen. Të tria motrat nuk ngjanin aspak midis tyre. Njëra e gjatë dhe e hollë, tjetra e plotë dhe me shtat mesatar, kurse gjyshja ime ishte pak a shumë si unë me përjashtim të syve që i kishte bojëqielli. Ashtu edhe djemtë e Ismail Qemalit ishin ndryshe nga njëri tjetri, aq ndryshe sa nuk dukeshin se ishin vëllezër. Naga ata që njoha unë, më I pamëshëm ishte Daj Etemi, por gjyshja na tregonte se fëmija e dytë e Ismail Qemalit, Mahmudi, I cili vdiq nq vitin 1921, ishte shumë I pashëm.

Besoj se gjyshja kish të drejtë, meqë edhe vëllezërit e motrat kishin të njejrin mendim. Vetëm teze Ylvia e kish gjallë bashkëshortin, Hamdi Pashën, që sikurse më thanë vdiq në Tiranë në moshën 100-vjeçare, kurse teze Ylvia kish kaluar në përmasa të tjera shumë kohë më parë. Marrëdhëniet midis motrave ishin shumë formale. Dy motrat më të reja shkonin të vizitonin Abllanë e tyre në orën e çajit. Shpesh u pëlqente të rrinin bashkë në sallon dhe të bisedonin në turqishten e Stambollit, gjuhë me tingull muzikor të mrekullueshëm, kohën e rinisë së tyre. Derën e sallonit e linin të hapur dhe unë shpesh qëndroja prapa derës, jo për të dëgjuar fjalët, historia që nuk kishin asnjë interes për mua në atë moshë, por më pëlqente muzikaliteti I gjuhës I shoqëruar nga një kor të qeshurash, që I a shtonin muzikalitetin të folurit. Më pëlqen të kujtoj ato ditë: Më japin një farë ngrohtësie në shpirt dhe për dashuritë e vendit tim, për mirënjohjen ndaj profesorëve të mij, për ringjalljen e këtij Kombi të lashtë dhe të shumëvuajtur, dëshiroj dhe dua të arrij të mënjanoj përfundimin e jetës së tyre në formë aq tragjike dhe pa asnjë arsye. Për sa më përket mua, kur më rrëmbejnë ato kujtime, kujtoj shpesh një mendim, të autorit të mirënjohur francez Francois-Rene Chateaubriand:" Nëse qielli të provon rëndë sot, është që të bëhesh më i mëshirshëm nesër ndaj vuajtjes së të tjerëve. Zemra është ai ata drurë, që e japin lëndën mjekuese të tyre për shërimin e plagëve, vetëm pas plagosjes së vetes së tyre".

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi