Fotot e rralla/ Shtëpia e vjetër në Tiranë, ku ka banuar Marigo Pozio

Fotot e rralla/ Shtëpia e vjetër në Tiranë, ku ka banuar Marigo Pozio

Marigo Pozio në shtëpinë e saj

Përballë selvisë së vjetër të rrugës së Dibrës merr udhë një rrugë jo edhe aq e dëgjuar,  me emrin “Siri Kodra”. Po të hyni atje do të shikoni se në të majtë fillon një rrugicë gjithë kthesa, që prej kohësh quhet “Isa Boletini”. As njëzetë metra thellë kësaj rrugice, nga e djathta, ngrihet një pallat i bukur, nga ata modernët e së sotmes. Pikërisht në atë vend, dikur, por që është një dikur jo shumë e hershme, ka qenë një varg me shtëpi përdhese tiranase, e të vjetra ndonja një shekullore. Në njërën prej tyre ka banuar nga fundi i viteve të njëzeta, apo fillimi i të tridhjetave të shekullit të kaluar, Marigo Pozio.

Përpara se sa të shkoje tek kjo shtëpi dhe thuajse ngjitur me të, banonte dikur doktor Hiqmet Dibra, neurolog dhe pak më tej humoristi i Estradës së Tiranës, Enver Dauti. Thuajse përballë ka qenë shtëpia e Neki beut, Neki bej Delvinës.

Tani, që të gjithë janë të orientuar. U zgjata pak me pozicionimin e shtëpisë sepse nuk kam asnjë fotografi të vjetër të asaj pjese të rrugicës dhe të shtëpisë. Ndoshta dikush mund të ketë dhe ajo do të na duhet. I lutem, në se e ka të mundur, t’i dërgojë  redaksisë së gazetës një riprodhim të saj!

Po në atë shtëpi ka banuar që nga mosha njëmbëdhjetë vjeçare edhe nëna ime, Irini Noti.

Babai i saj, Nikoja, nga Erindi i Lunxhërisë,  kishte kryer një shkollë për pikturë në Stamboll. Kur u kthye u martua me Suzanën, e bija e  Petro Meksit nga Labova e madhe, ose siç njihet ndryshe, Labova e Zhapës. Filloi të punonte si piktor në Gjirokastër, por puna nuk po i  ecte mbarë. Atëhere, së bashku me të shoqen, me djalin, që quhej Vangjel dhe nënën time, erdhën në Tiranë. Kjo ndodhi në vitin 1928. U vendosën me qira në atë shtëpinë e vjetër të rrugës “Isa Boletini”. Shtëpia kishte disa këmbë shkallë, disa dhoma dhe një oborr me kalldrëm , të mbushur me lule dhe me ndonjë pemë. Në fotografitë familiare që më ka lënë nëna, duket  një pjesë e fasadës, dritaret dhe ndonjë portë, si edhe muret copë-copë të avllisë.

Në njërën nga dhomat banonte Marigo Pozio me të ëmën dhe dy djem të vegjël. Sado që jam munduar, madje edhe me ndihmën e mikut tim Niko Kotherja, të cilin edhe e falenderoj, nuk kam arritur të gjej lidhjen e këtyre fëmijëve me Marigonë. Le t’i a lëmë të ardhmes!

Në oborr luanin kalamajtë. Njëri quhej Koço.

E ëma e Marigosë thërriste:

- Koço, o Koço, ku je?

- Këtu, këtu!

- Çarë po bën?...

Kur e kam pyetur nënën më ka thënë se Marigoja ishte një grua e shkurtër, jo e shëndoshë dhe flokët me krela. Vishte herë një triko kafe dhe herë-herë një jeshile.

Por këto janë kujtimet e mjergulluara të një fëmije njëmbëdhjetë, apo dymbëdhjetë vjeçare… Gjëja më kryesore në këtë shkrim është se çfarë i thonte Nikoja të shoqes për Marigonë:

- Kjo grua qëndis flamuj!

Pra, që në vitin 1928-1929 nami i Marigosë si qëndistare e flamujve, ishte përhapur kudo  në Shqipëri. Shtëpia ku ka banuar Marigoja nuk ka qenë monument kulture. Si e tillë ajo nuk u ruajt. Por meriton që në pallatin e ndërtuar të vendoset një pllakë përkujtimore në nderim të saj!

Është një nga pengjet e mija se përse nuk e fotografova atë shtëpi, por nuk e dija se brezat dhe ata që e kishin për detyrë ta evidentonin, apo të kujdesëshin, nuk e kishin bërë një gjë të tillë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Violeta Pojani: 15/11/2018 16:40

    Me vjen keq per shkrimin dedikuar marigose .Marigoja jetonte tek motra e saj Urani Floqi dhe marigoja nuk ka pasur dy djem dhe nuk ka jetuar me te jemen se e jema e marigose ka jetuar ne amerike ku kishte emigruar para se marigoja te martoheshe . Keto te dhena qe po i kundershtoj jam une stermbesa e saj qe keto i kam te shkruara ne kujtimet qe ka lene i shoqi i Marigose i cili vdiq ne duart e nenes time .Marigoja ne vitet qe shkruan i ju dhe nga i kini keto burime nuk jane te verteta s Marigoja ka qene gruaja e nje tregetari te fuqishem dhe qe kishte dy shtepi ne Vlore dhe qe financonte te gjithe patriotet e rilindjes me te hollat.Nuk ka asnje mundesi me keto qe ti shkruan,. Mos ndoshta e ngateron me ndonje person tjeter. Keto qe po te shkruaj i dine mire dhe historianet dhe vecaneridht dhe koleksionisti dhe historiani Niko Kotherja .Per me shume lexo librin e saj monografi te shkruar nga historiani Zeko Braho.qe te mesosh per jeten dhe vepren esaj. Te keshilloj se para se te shkruani ne faqen e saj informohuni mire se behesh i pabesushem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN