PARIS, 4 shtator /ATSH-ANSA/ - Rekord historik për popullaritetin më të ulët për një president ka regjistruar shefi aktual i shtetit francez, François Hollande. Që nga viti 1978, treguesi i besimit për një president francez nuk ka qenë kaq i ulët, vetëm 13 për qind, sipas kompanisë për testimin e opinionit publik "TNS-Sofres", në një sondazh të bërë për llogari të gazetës së përditshme franceze "Le Figaro". "Në veçanti, vetëm 13 për qind e francezëve kanë besim te presidenti Hollande, i goditur nga kriza e fundit qeveritare, nga të dhënat aspak optimiste të ekonomisë si edhe nga libri i fundit i ish së dashurës, Valérie Trierweiler", thekson "TNS-Sofres". Në krahasim me sondazhin e mëparshëm të së njëjtës kompani, popullariteti i Hollande ka rënë pesë pikë./ a.jor.
/Shqiptarja.com












