Franklin Roosevelt, madhështia
e një politikani

Franklin Roosevelt, madhështia<br />e një politikani
Kanë kaluar plot 132 vjet që nga 30 janari i vitit 1882 kur lindi Franklin Roosevelt, presidenti që i shërbeu Amerikës plot 12 vjet, duke e nxjerrë nga kriza ekonomike e Depresionit të Madh dhe shndërruar në fuqi botërore. Presidenca e Roosevelt-it la një trashëgimi që e bën atë një emër të madh të familjes së tij dhe të kombit amerikan. Reformat e ndërmarra nga Roosevelt-i e radhisin atë në krye të listës së presidentëve.

Ai ishte presidenti me moshë të re, që e solli Amerikën në epokën moderne të shekullit XX. Njeriu i fortë, i cili mposhti sëmundjen dhe paaftësinë për të udhëhequr një komb në luftë, mbetet një figurë historike që do të vlerësohet dhe respektohet edhe nga brezat e ardhshëm. Udhëheqja e tij, një strategji efikase në Luftën II Botërore,  mundësoi shkatërrimin përfundimtar të nazistëve. Hyrja e SHBA-së në luftë ishte një pikë kthese, që e bëri Roosevelt-in një president tejet të njohur. Ai kujtohet si një politikan i madh nga modeli qeverisës i të cilit mund të përfitohet mjaft.

Tre ishin arritjet më të rëndësishme të Franklin Roosevelt-it. Së pari, drejtoi Amerikën në Depresionin e Madh duke luftuar për reforma të qëndrueshme. Së dyti, udhëhoqi një komb ngurrues në luftën më shkatërruese në historinë e njerëzimit duke minimizuar efektet negative të saj dhe maksimizuar udhëheqjen ndërkombëtare të SHBA-së. Ky vend ishte i vetmi në botë që doli nga Lufta II Botërore me një standard më të lartë jetese se para hyrjes në konflikt. Së treti, vendosi paqen relative dhe prosperitetin për më shumë se gjysmë shekulli. Vizioni i Franklin Roosevelt-it, politikat e tij dhe stili udhëheqës bënë që shekulli XX të quhet shekulli amerikan.

Franklin Roosevelt-i konsiderohet si një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës, së bashku me George Washington, Abraham Lincoln dhe Thomas Jefferson. Në fakt, Qendra Presidenciale e Shteteve të Bashkuara e votoi atë presidentin më të mirë amerikan në vitin 2011. Ndryshimi i Roosevelt-it nga paraardhësit ishte i dukshëm në fjalimin e tij të parë, kur sapo mori detyrën e presidentit në vitin 1933: “Detyra jonë kryesore është të punësojmë njerëzit. Ky problem nuk është i pazgjidhshëm nëse ne përballemi me atë me mençuri dhe guxim.

Ajo mund të realizohet pjesërisht me rekrutime të drejtpërdrejta nga vetë qeveria, duke e trajtuar detyrën ashtu siç do të trajtonim emergjencën e një lufte, por në të njëjtën kohë, me anë të këtij punësimi, realizojmë shumë projekte të nevojshme për të stimuluar dhe riorganizuar përdorimin e burimeve tona natyrore”. Suksesi i “Marrëveshjes së Re”, një program i bazuar në teorinë filozofike “Keynes”, ishte një mësim i rëndësishëm për ata që kanë jetuar në atë epokë. Ajo e bëri republikanin Richard Nixon të thoshte në vitin 1971: “Unë tani jam një Keynesian në ekonomi”. Edhe Milton Friedman, ekonomisti konservator, pranoi këtë teori në vitin 1965 teksa u shpreh se: “Ne jemi të gjithë Keynesians tani” (edhe pse më vonë ai tha se ishte cituar nga konteksti).

Për analogji, Obama, gjithashtu, mori detyrën në mes të një krize ekonomike, dhe në zgjidhjet që ai ka ofruar, duket se shpesh ka pasur si model Franklin Roosevelt-in. Fakt është se nuk kishim një reagim të mirë republikan, kur Presidenti Obama vuri përpara Aktin e Rimëkëmbjes, pas krizës së vitit 2008, i njohur gjithashtu si paketë stimuluese, në vitin 2009. Republikanët reaguan kundër edhe pse kjo ishte e provuar më parë në epokën qeverisëse të Roosevelt-it, kur shpenzimet stimul të qeverisë i kishin dhënë frymëmarrje ekonomisë. Edhe pse Barak Obama propozoi ngulazi si të vetmen rrugë shpëtimi përdorimin e ekonomisë Keynesiane për t'u përballur me recesionin, republikanët kundërshtuan njëzëri.
Edhe Bill Clinton është shprehur se ka pasur gjithnjë model në çaste të vështira Franklin Roosevelt-in.

“Kur isha President, në një tjetër kohë të ndryshimeve dhe pasigurisë, unë shpesh kam hedhur vështrimin nga portreti i Franklin, në dhomën Roosevelt dhe në mend më vinin tregimet e gjyshit tim. Përveçse ka lidhje të thellë personale për qytetarët e thjeshtë, Roosevelt-i mori vendime të drejta për realizimin e gjërave të mëdha. Kur ai mori detyrën gjatë Depresionit, pa se sëmundjet e vendit nuk mund të trajtoheshin pa përfshirjen agresive të qeverisë. Ai konkurroi për president si konservator fiskal, duke premtuar se do të balanconte buxhetin. Por, ndryshe nga paraardhësi i tij, ai shpejt e kuptoi se, me çmimet kolaps dhe shpërthimet e papunësisë, vetëm qeveria federale mund të rimëkëmbte ekonominë”, shkruan Clinton në një artikull. Sipas tij, Roosevelt-i ishte gjithashtu një gjeni politik.

Ai dinte si të merrte miratimin e Kongresit apo si t’i drejtohej popullit amerikan. Roosevelt-i shkëlqeu në politikën e jashtme. Franklin D. Roosevelt-i ndihmoi e shpëtoi botën nga barbarizmat më të madhe që ka njohur ndonjëherë dhe hodhi themelet për një paqe dhe progres afatgjatë. Franklin Roosevelt i kaloi muaj e fundit të jetës duke u përpjekur të përfshijë SHBA-në në gjirin e Kombeve të Bashkuara. Më 12 prill 1945, Roosevelt-i pësoi një goditje cerebrale dhe vdiq disa orë më vonë. Kjo ishte një humbje e madhe për mbarë botë, pasi u shua një nga figurat më të mëdha publike, politikani dhe globalisti. Tre muaj më pas, ëndrra e tij u përmbush sepse senati miratoi anëtarësimin e SHBA-së në OKB.


Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane