Frederik Stamati mes formulave të restaurimit: Si i bëra bashkë 8123 pjesët e Mburojës së Apolonisë

Frederik Stamati mes formulave të restaurimit: Si i bëra bashkë 8123 pjesët e Mburojës së Apolonisë

Frederik Stamati

 Restaurimi i një objekti për të është një formulë kimie ose fizike. Me orë të tëra për të kërkuar një zgjidhje, e cila mes shumë alternativash duhet të jetë e duhura, përndryshe dëmi do të jetë i pakthyeshëm.

Mund të thuash pa frikë që Frederik Stamati ka një jetë që merret me restaurimin, aq sa duket sikur ky i fundit nuk do të kuptohej pa një personalitet si ai, që ka kaluar nëpër duar mijëra objekte të trashëgimisë kulturore dhe ka kthyer në jetë shumë syresh, të cilat mendoheshin se kishin humbur përgjithmonë.

Monedha, shpata, flamuj, amfora, objekte druri e tekstili kanë kaluar nga laboratori i Arkeometrisë, ku Frederiku ka punuar që prej viteve ’70.

Sot laboratori nuk ekziston më, por ai nuk ka reshtur për asnjë moment së punuari në këtë sektor shpëtimi.

Në një intervistë për “Sekrete mjeshtërie”, Frederik Stamati na zbulon pak nga puna e tij mes objekteve të trashëgimisë kulturore.

Kur nisët të merreshit me restaurim?

Pasi kreva studimet, si fillim u emërova në fushën e arkeometrisë, pra studimin e arkeologjisë me ndihmën e shkencave natyrore, kimi, fizikë etj. Disa ditë më vonë më thërrasin e më thonë, se ç’mund të bëhej edhe për objektet e etnografisë, sepse do të na humbisnin objektet, do na i gërryenin insektet, pavarësisht se emërimin e kisha te arkeologjia, ndërkohë u ndërtua laboratori i parë shkencor. Pas një viti e gjysmë, Myzafer Korkuti, që asokohe ishte përgjegjës i arkeologjisë, më thotë: “Frederik, vërtetë ne do të bëjmë analizat, por ne nuk do të kemi objekte, ato po shkatërrohen, duhet parë se ç’mund të bëjmë për to”. Kështu qëlloi që të ndahesha në tri “copa”: në fushën e arkeometrisë, të restaurimit të objekteve të arkeologjisë dhe të etnografisë. Këto ishin kërkesa normale, sepse në të vërtetë ne do të arrinim të realizonim analiza, por nuk do të kishim objektet, të cilat do të rrënoheshin për shkak të mos ndërhyrjes konservuese. Në fushën e arkeometrisë zgjodha rrugën e bashkëpunimit me institutet shkencore të universiteteve apo të Akademisë së Shkencës, një bashkëpunim që eci mirë. Ndërsa sa i takon konservimit të objekteve arkeologjike, ajo u përqendrua në laboratorin tonë, i cili mori një zhvillim më të madh.

Kur është ngritur laboratori?

Puna për restaurimin e objekteve arkeologjike në Shqipëri ka nisur nga Ugolini, ndërsa pas çlirimit, u vijua nga ekspeditat arkeologjike sovjetike në vitin 1959, për të vazhduar nga Namik Bodinaku që është restauratori i parë në Shqipëri, por edhe nga punonjës të tjerë më vonë si Violeta Llavda, Muharrem Turkeshi, Sotir Kosta, etj. Në fund të vitit 1970 filloi ngritja e Laboratorit shkencor, i cili së pari u vendos në ambientet e Muzeut Arkeologjik e më pas në hapësirat e një prej ndërtesave të Toptanëve.

E mbani mend objektin e parë që keni restauruar?

Nga ato etnografike ka qenë “Potiri i Jakovit”. Ishte koha kur po përgatitej ekspozita “Arti shqiptar në shekuj”, që do të hapej në Paris dhe u kërkua trajtimi i objekteve kishtare. Ndërsa objektet e para arkeologjike kanë qenë disa monedha që ishin zbuluar në Apoloni.

Ju keni restauruar objekte nga më të ndryshmet, që nga monedhat, te shpatat, te flamujt, që kërkojnë teknika të ndryshme, si keni arritur të aftësoheni për të gjitha këto?

Unë isha punonjës shkencor dhe kisha mundësinë për të studiuar, për të eksperimentuar, për të punuar. Kam punuar çdo ditë nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në 10:00 të darkës. Çdo ditë në laborator, duke punuar, duke përkthyer materiale, nuk kam bërë asnjë ditë pushim, veç ditës së Vitit të Ri. Pra ka qenë një përkushtim dhe ngarkesë shumë e madhe për mua, për të arritur të aftësohesha në të gjitha fushat. Dhe duhet të them me jo pak kënaqësi që në laborator kemi arritur të realizojmë punë, në të njëjtin nivel si në laboratorët e Evropës. Ne kemi kryer ndërhyrje me një nivel garancie deri në 95%, madje edhe në ato raste kur paraqiteshin problematika nga kripa, si në Durrës apo Finiq. Në një ndërhyrje të dytë kemi arritur në 99%. Pavarësisht se kushtet ku ruhen objektet nuk janë edhe aq të favorshme për shkak të mungesës së kondicionimit, ato nuk paraqesin asnjë lloj problemi. Është bërë një punë shkencore, falë edhe cilësisë së aparaturave që ishin të krahasueshme me ato të vendeve të tjera.

Sa objekte mund të keni restauruar?

Mund të kem restauruar rreth 20 mijë objekte, duke përfshirë edhe monedhat.

A ka ndonjë objekt, që ju bën veçanërisht krenar që e keni restauruar?

Objekti më i vështirë për t’u restauruar në të gjithë Shqipërinë, është mburoja e zbuluar në Apoloni, e cila ishte e ndarë në 8123 copa. Nuk kuptohej asgjë, askush nuk mund të më thoshte se si kishte qenë, deri sa përmes studimeve, konsultimeve, vizitave të shumta që kam bërë, arrita që në 20 vjet, me një kosto prej 100 milionë lekësh të vjetra, ta restauroja. Kënaqësia më e madhe nuk ishte vetëm restaurimi dhe ekspozimi i kësaj mburoje, por kur disa vjet më parë isha për një vizitë në Selanik, në Laboratorin e Muzeut, u tregova për mburojën dhe pasi e panë më thanë që “ne mendonim se kishte vetëm dy në botë, një në Luvër dhe një te ne, por kjo qenka e treta në botë”. Ishin 20 vite zgjidhje problemi. Kam eksperimentuar 760 rrugë se si do të realizohej. Çdo gabim mund të ishte fatal.

Shumë zhurmë ka bërë edhe një tjetër objekt që keni restauruar ju, shpata e Sulltan Bajazitit…

Shpatën e Sulltan Bajazitit II, ishte Frederik De Yong që e lexoi dhe identifikoi. Ne nuk e dinim se çfarë kishim. Unë e kam restauruar, por nuk paraqiste ndonjë problematikë të madhe. Veç mburojës së Apolonisë, përgjegjësia më e madhe ishte te Epitafi i Gllavenicës, një objekt që është vlerësuar shumë, edhe gjatë ekspozimit në Paris, si një ndër tre objektet e rralla të këtij lloji dhe të kësaj epoke.

Ju keni drejtuar për shumë vite Laboratorin e Arkeometrisë dhe Konservimit, pse u mbyll?

Laboratori ngrihej në një objekt privat dhe të zotët, në rrugë ligjore e kanë marrë atë. Por tani është koha që ne të ndërtojmë një laborator qendror restaurimi, për të gjithë sektorët, arkeologji, etnografi, analiza, etj.

Nga se “vuan” restaurimi në Shqipëri?

Restaurimi duhet të lidhet më shumë me shkencën. Duhet të jemi të qartë që ruajtja e objekteve të trashëgimisë kulturore është shkencë kimie dhe fizike. Janë këto primare dhe kanë në dorë fatin e objekteve. Nëse do të marrim shembullin e ndriçimit të muzeumeve, me to nuk duhet të merret elektricisti, por inxhinierë specialistë, që merren vetëm me këtë lëm. Të ndriçosh një muzeum duhet ta vlerësosh atë maksimalisht. Ka llamba të ndryshme, të cilat emetojnë gjatësi valësh të ndryshme. Ato mund të ndryshojnë ngjyrën e objektit dhe nuk kap ngjyrën origjinale, mund të zbardhin ngjyrat e tekstileve. Gjithçka zhvillohet në nivelet e fizikës dhe kimisë. ATSH

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë