Zgjedhje konkurruese, liri fetare e korrupsion në masë, këto janë disa prej çështjeve të evidentuara në raportin vjetor të organizatës Freedom House për Shqipërinë. Në raport, rezulton gjithashtu se Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë.

“Shqipëria ka një rekord zgjedhjesh konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve kryesore. Liria fetare dhe liria e tubimit në përgjithësi respektohen. Korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme të mëdha, megjithëse qeveria po punon për të adresuar korrupsionin në gjyqësor”, thuhet në raport.

Ndërkohë Kosova qëndron në vendin e 61-të, gjithashtu me përmirësim me 1 pikë. Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet me 69 pikë nga 100, një pozicion më lart krahasuar me vitin e kaluar. Shqipëria ndiqet nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë. Serbia ka vlerësimin më të ulët me 53 pikë, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 54 pikë.

Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025. Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë vitit 2025, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi të rënies së lirisë globale, sipas raportit.

Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.Sot, vetëm 21% e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.

Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori shënuan rëniet më të mëdha të pikëve brenda një viti, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni gëzuan përmirësimet më të mëdha.

Tri vende, Bolivia, Fixhi dhe Malaui, u përmirësuan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të Lira”, falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit.

1773910107_freedom.jpg