Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka dhënë dëshmi për disa orë të martën e 17 Marsit në SPAK, për dosjen që po hetohet nga prokurori Klodian Braho mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD.
Avokati Edmond Petraj deklaroi në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV se pretendimet e ngritura nga OLAF për abuzime me fondet e BE-së për bujqësinë në Shqipëri, janë një luftë komerciale.
Sipas Petraj, OLAF është një strukturë auditi greke. Teksa ritheksoi se gjithçka e shikonte si një betejë komerciale kundër Shqipërisë, Petraj shtoi se të gjitha akuzat e ngritura ndaj Shqipërisë për fondet IPARD i dukeshin anormale.
“OLAF është një strukturë auditi që është vendosur brenda këtij institucioni. Është totalisht greke, audituesit janë grekë. Dhe aq më tepër kjo është luftë komerciale, luftë për të pasur kush ta ketë më shumë tregun e agro-industrisë, agrobiznesit, pjesën e fruti-kulturës, etj. Unë kam arritur të pushoj disa dosje nga ato, pa të drejtë ankimi. Kam pasur persona të cilët, se është edhe pa sens, në momentin përshembull që janë marrë 600 milionë lekë të vjetra, që kanë një akreditim, duhet ndërtuar një objekt brenda kritereve që kërkon institucioni. Pas asaj kalon në pjesën që është aprovuar leja e ndërtimit me kolaudator, është marrë edhe leja e shfrytëzimit, ndërkohë që është bërë edhe projekti nën vëzhgimin e institucionit, vjen një moment i bukur i thonë ‘do kthesh lekët’. Ka mbaruar aktiviteti, është marrë leja e shfrytëzimit dhe kapen me gjëra kot fare pse këto 3 ofertat e ndërtimit ndryshonin. Më duken shumë anormale të gjitha këto veprime, që unë e shikoj më shumë si një betejë komerciale kundër Shqipërisë. Nuk ka asnjë lloj abuzimi, të paktën te klientët që kam unë. Kur vetë institucioni e ndjek pjesën e procedurës, nuk ka kuptim. U habita tani që po zhvillohen hetime”, tha Petraj.
Nga ana tjetër, për ish-deputetin Nard Ndoka, bllokimi i fondeve IPARD nga Brukseli për Shqipërinë, me akuzat për abuzime nga zyrtarët me këto fonde, është goditja më e madhe nga BE për bujqësinë shqiptare dhe për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Unë mendoj se është goditja më e rëndë që i është dhënë qeverisë shqiptare dhe bujqësisë me pezullimin e këtyre fondeve nga BE, pikërisht për abuzime. Ka qenë kontrolli i tyre së pari që evidentoi shkelje të rënda dhe ndryshime destinacioni. Këto fonde nuk shkuan për projekte për bujqësinë, atje ku ishte nevoja më e madhe. Veç vendimit që patëm para dy ditësh ku disa vende të BE-së votuan kundër vazhdimësisë sonë në rrugën e integrimit drejt BE-së. Dhe për fatin e keq, as drejtësia dhe as qeveria nuk e panë një qasje tjetër në shenjë përgjegjësie që të merrnin masa dhe të riparonin gabimet, si dhe të ndëshkonin fajtorët. Kjo nuk ndodhi. Kryeministri u përpoq të justifikohej dhe të fshihte të vërtetën. Nëse investimi është në bujqësi, ata nuk kanë arsye t’i kthejnë paratë. Nëse kanë ndërtuar vila me paratë e këtyre fondeve, atëherë duhet t’i kthejnë”, tha Ndoka.
Nga ana tjetër, avokati Petraj shprehu pakënaqësi edhe ndaj punës së SPAK, pasi tha se ‘kushdo që hyn atje del fajtor’. Ai kërkoi nga Prokuroria e Posaçme një hetim të thelluar për çështjen e fondeve IPARD.
“Të paktën ato që kam parë janë kryekëput gabim. Nuk është gjetje të kapësh një ofertë që ndryshon shumë pak te pjesa e ndërtimit të një aktiviteti. Fonde kanë marrë që të gjithë, mos të bëjnë si fakira. Se shqiptarët e kanë zakon vetëm të qahen. Fonde kanë marrë, naftë kanë marrë. Duhet mbështetje në masivizimin e pjesës së investimeve në bujqësi. Nuk e di çfarë indicie ka SPAK, por unë të them një gjë, po hyre atje nuk del pa faj. Edhe ai që lind sot, ta marrin ta pyesin për babain e vet, do dali me faj”, tha Petraj.
Kujtojmë se procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri.
------------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









