Kur Sali Berisha, ish kryeministër, do të firmoste shtesën e Korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës, një projekt i arkitektëve Koço Kaskaviqi dhe Sokol Ngjelina, me konstruktor Agim Bajram Seranaj, nuk do t’i kursente vlerësimet për investimin. “Investimi bëhet sipas të gjithë parametrave dhe një arkitekture moderne”,‐ tha Berisha në 10 Maj 2013, sapo firmosi vendimin Nr 8 të KKT, (Leje zhvillimore komplekse për shtesën e korpusit të Universitetit Politeknik) që e “ngushtonte” buxhetin e shtetit me plot 422 milionë lekë (të reja).

Doktori atëherë tha se ky ishte një ndërtim jashtëzakonisht i rëndësishëm, që do të akomodonte 1200‐1300 studentë. Dhe kështu duhet të ndodhë, sepse edhe UPT, si disa universitete të tjera, ka nevojë për një insfrastrukturë plotësuese. Unë nuk po shkoj tej kësaj që thashë më sipër, për të pyetur përshembull se sa është sipërfaqja e shtesës (si ndërtim) prapa godinës qëndrore të universitetit, se sa është kosto për metër katror ndërtim dhe se sa kjo krahasohet me mesataren e kostos për objekte të ngjashme. Kjo është një mesele tjetër, që duhet bërë, shpejt madje, për të parë ca gjera më të thella se investimi. OK, do të bëhet edhe kjo në kohën e duhur!

Unë kam një merak tjetër
Pas publikimit në “Shqiptarja.com” të shkrimit “Historia trishtuese e një “akademiku” të gënjeshtërt”, shumica e njerëzve që më telefonuan dhe shkruan, në fakt, nuk u interesuan shumë se çfarë shkruhej për një drejtues të rëndomtë. Interes treguan ata që kishin fëmijët në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në UPT.
Pse? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje jam duke shkruar sot. Pas shumë këmbënguljeje të ligjshme, më në fund stafi i afërt i “akademik” Jorgaq Kaçanit, më ofroi materialin e titulluar “Relacion teknik për situatën e Godinës së Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në Sheshin “Nënë Tereza”, një dosje disi voluminoze, që jep shumë përgjigje, por që ngre edhe pikëpyetje të forta. Çfarë ka ndodhur? Pse kjo dosje “teknike” mbahej si “ujët e ftohtë” e mbyllur “me shtatë çelsa” dhe për të cilën ishin “kërcënuar” disa nga kuadrot e respektuar të UPT?

Në fakt gjërat ishin më të thjeshta! Ja si shkruhet në këtë relacion (mban datën 07.10.2013): “Bazuar në shqetësimin e paraqitur nga Rektorati i Universitetit Politeknik të Tiranës në lidhje me plasaritjet e ndodhura në ndërtesën e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, të konstatuara gjatë punimeve të kryera për realizimin e themeleve të ndërtesës së re, Grupi i Punës ka analizuar teknikisht gjendjen e ndërtesës dhe me anë të këtij relacioni shpreh vlerësimin e shkaqeve të formimit të plasaritjeve, mënyrës së riparimit të tyre si dhe sugjerime për përmirësimin e strukturës mbajtëse, sipas kodeve të projektimit”. Kështu shkrihej “e zeza në të bardhë”. U qetësova, me thënë të drejtën se thashë, më në fund, rektorati e paska bërë si “burrat”, ua ka dhënë ekspertëve të drejtën të shprehen “teknikisht”.

Dhe kishin firsmosur teknikisht: 1. Hektor Cullufi, shef katedre në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN), 2. Arjan Lako, zëvendësdekan në këtë fakultet, pra në FIN; 3. Neritan Shkodrani, shef katedre në FIN, Agim Seranaj, pedagod në këtë fakultet (FIN) dhe inxhinier i projektit të shtesës dhe Ervin Paci, pedagog në FIN. Unë, si inxhinier në profesion, u gëzova për këtë. Dy kryesorët, Cullufi dhe Shkodrani kanë gradën “profesor i asociiuar”, kurse Lako dhe Paci kanë gradën “doktor i shkencave”. Në FIN më thanë se të gjithë këta zotërinjtë i kanë marrë gradat gjatë vitit shkollor 2013‐2014. Nuk i hyra më tej kësaj pune se kushedi çfarë do të më dilte! Nejse! Di vetëm që janë vartës të Kaçanit! Kaq! Disa i njohja, fjala vjen këtë Neritan Shkodranin.

E dija se ishte Drejtor Teknik i TTSoil& Eathquake Consulting, (kompani private), se ishte graduar me diplomën “Earthquake Engineering” nga Institute of Seismology and Earthquake Engineering (IISEE) në Tsukuba, Japoni dhe me mastër shkencor në “Earthquake Disaster Mitigation” në National Graduated Institute for Policy Studies (GRIPS), Tokio, Japoni. Për të gjitha këto u qetësova, kur mendova se kishte firmosur për sigurinë e godinës së UPT. Nuk i thonë pak të kesh siguri nga një formim i tillë profesional.

Por…
Si njeri i profesionit, edhe unë duhet të kisha një mendim timin. I hodha një sy relacionit teknik‐ Shikoni çfarë lexova: “Ndërtesa ekzistuese është ndërtuar rreth viteve 1960. Ndërtesa është tre katëshe me konstruksion mbajtës muraturë tulle me cilësi të lartë. Themelet janë të vazhduar me material guri. Soletat janë ndërtuar me panele të parapërgatitur dhe të pamonopolizuar”.
Po më tej? Më tej mësova se, sipas kritereve të sotme të ndërtimit, këtij konstruktsioni mbajtës (UPT) i mungojnë brezat lidhës prej betoni të armuar në nivelin e xokulit dhe në nivelin e soletave. Mësova gjithashtu se për shkak të lartësisë së madhe të kateve, muraturat e ndërtesës duhet të kenë breza ndërmjetës.

Mësova akoma se arkitrarët e dyerve në muret mbajtës të brendshëm nuk janë realizuar prej betoni të armuar, por me dy rreshta tullash të vendosura në këmbë. Madje edhe se “thellësia e themeleve” është e cekët?! Duke lexuar gjithë këto të dhëna mendja më shkoi te ark. Koço dhe ark. Sokoli (sepse Emiriana Sako nuk e ka firmosur ende projektin), më shkoi mendja edhe tek inxhinieri konstruktor Seranaj (sepse konstruktorja tjetër Elona Goxhaj, nuk e ka firmosur ende projektin) dhe thashë: Po pse këta njerëz të mirë nuk ia kanë bërë të njohur këtë defekt të madh shoqërisë që fitoi tenderin e ndërtimit të shtesës? Pse ta kenë bërë këtë?
 
T’i lexojmë akoma mendimet e Grupit të Punës…
Të pesë kuadrot e FIN kishin arritur në përfundimin global: “Pranë ndërtesës, në anën lindore, po kryhet një ndërtim i ri. Ndërtesa e re ka një kat nëntokë. Me gjithë masat inxhinierike të marra, gjatë zbatimit të punimeve të gërmimit ka ndodhur zgjerimi anësor i dherave dhe për pasojë CEDIMI (theksimi është i imiBS) i themeleve të ndërtesës” ! Dhe më tej: “Këto cedime janë shoqëruar me zhvillimin e plasaritjeve të muraturave, pasi ndërtesa ekzistuese, me konstruksionin mbajtës të përshkruar më sipër, paraqitet e ndjeshme ndaj cedimeve”.

Ndërkohë Grupi i Punës ka vendosur të riparojë dëmin: Riparimi është kryer me shufra hekuri të vendosura në të dy faqet e muraturës… shufrat e hekurit vendosen në fugaturat e muraturës me gjatësi 50 cm në secilën anë të plasaritjes”‐ thonë ekspertët e FIN. Unë pashë se ishin vendosur shufra hekuri Sidenor S500 dhe llaç cimento me rërë të imët, në raportin 1:2! Do t’iu jepja më shumë hollësi, si fjala vjen sa duhet të ishte diametri i shifrës me mur tulle me një tullë, me dy tulla, me gjysmë tulle, apo se sa e do të ishte gjatësia e shufrës së hekurit. Por po iu kursej kohën, duke theksuar atë që vërtet më shqetëson dhe përbën thelbin e këtij shkrimi: në fund të relacionit teknik, me gërma “bold”‐themi ne gazetarët‐ pra me gërma të zeza Grupi i Punës shkruan: “Duke marrë shkas nga ky inspektim i bërë në këtë ndërtesë, shprehim sugjerimin tone profesional, që Rektorati të bëjë vlerësimin teknik të të gjitha ndërtesave të Universitetit Politeknik, për të rritur sigurinë konstruktive të tyre në bazë të kushteve aktuale të Projektimit”. Pikë. Firma.

Kjo më trembi. Po këta bënë inspektimin, bënë riparimin tani pse hedhin alarmin dhe bëjnë “sugjerim profesional” për të vlerësuar të gjithë UPT! Kanë qënë të saktë në atë që thanë, apo ia “kanë futur kot”? Kanë bërë riparimin e duhur të plasaritjeve, apo “ia kanë futur kot”, kanë frikë mos iu ndodh gjë më vonë dhe prandaj kërkojnë vlerësim të plotë teknik?! Ku nuk të shkon mendja, por gjithsesi unë nuk jam aq i aftë sa ata në fushën e inxhinierisë civile që të vlerësoj punën e tyre. Pyeta ca burra të tjerë, që kanë vite në zanat. Çfarë më thanë?

Ja përgjigjet e tyre:
“Pa u futur në anën profesionale, mendojmë se është e nevojshme që nga organet kompetente duhet së pari të analizohen veprimet e deritanishme të ndërmarra nga Rektorati i UPT për ngritjen e grupit të mësipërm të punës, i cili, për faktet që përmenden, vlerësojmë se është në konflikte të dukshme interesi. Pastaj mund të gjykohet ngritja e një grupi ekspertësh të pavarur, vendas, por edhe të huaj. Ata mund të ngarkohen për të përgatitur një raport të hollësishëm, me konkluzione të bazuara në llogaritje të fushës inxhinierike të ndërtimit se çfarë do t’i shkaktonte një tërmet ndërtesës dhe njerëzve brenda saj dhe a janë apo jo të mjaftueshmë riparimet e bëra, duke respektuar kërkesat për sigurinë e shkollave. Po të jetë e nevojshme mund të rifillojnë punimet për riparime më të forta, duke marrë njëkohësisht masa për të kufizuar hyrjen e njerëzve në mjediset e vlerësuar me rrezik”‐ më thanë specialistët.

Unë këto, në fakt nuk i mbajta për vete, por ia dërgova Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që t’i marrë në konsideratë, nëse dëshiron, e të ruajë kokën e studentëve që mësojnë aty. Por të shohë gjithashtu edhe nëse rektori “akademik” ka të drejtë ligjore të vulosë e të firmosë si thonë turqit “vetë Ali e vetë Kadi”! Se një rektor tjetër i nderuar më tha “kjo shkelje e Jorgos është më e rëndë se “plasaritja” e mureve!” Të presim ministren Nikolla çfarë do të na thotë për këtë!

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)