TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shqetësimit të qytetarëve mbi virusin kinez dhe deklaratat e opozitës, ish-kryeministrit Berisha lidhur me karantinën në Kavajë, sekretarit të PD-së Gazmend Bardhi, por edhe ish-deputetëve të tjerë, i fundit ishte ish-deputeti demokrat Tritan Shehu që u shpreh për Report Tv se nuk janë marrë masat. Por kryeministri Edi Rama i akuzon politikanët e opozitës që po përhapin panik si delenxhinj  dhe parazitë, ndërsa nuk kursen as portalet. Kreu i qeverisë shkruan se virusi kinez nuk luftohet me politikë dhe frikë dhe se shteti ka marrë masat.

"Koronavirusi nuk luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik!Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit...

Fatkeqësisht ky vend në çdo vështirësi a fatkeqësi natyrore ose emergjencë shëndetësore që shfaqet,duhet të përballet dhe me fatkeqësinë e tij të të madhe të kanaleve e portaleve ku lulëzon injoranca,ligësia,dembelizmi e grykësia e maskarallëkut që në këto raste bëhet çnjerëzor..

Dhe në krye të të tërë delenxhinjve e parazitëve që lëshohen mbi publikun në nevojë për informacion, kanë dalë përsëri, si gjithnjë, politikanët e së keqes që duan kaos, rrëmujë, dëshpërim, në përpjekjen e dëshpëruar për të kthyer të shkuarën që i ka marrë me vete përgjithnjë" shkruan Rama.  Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Shqipëri nuk ka asnjë të prekur me virus dhe se janë marrë të gjitha masat.