Ka nisur të mbetet vetëm pisllëku.
Një të rënë, si thesit me miell, dalin të parët. Pastaj të dytët, pastaj të njëzetenëntit. Dje doli i njëzetenënti. Këta vetë e shkundin thesin e tyre dhe i dëshmojnë botës çfarë janë.
Njëzetenëntë janë jo thjesht numra. Janë njëzetenëntë kategori:
Budallenj dhe të tjerë që shtiren si budallenj. Blogere që shesin ajër për budallenjtë. Dhunues të prindërve dhe të fqinjëve. Gra të ndara nga burrat që i kërkojnë derman Shqipërisë ‘së shitur te të huajt’.
Ose fëmijë të hipur mbi supe prindërish por që në fakt do të mbajnë në supe traumat e prindërve. Ose mitomanë. Blogerja R. thotë se ‘do të hidhem nga pallati”. “Edhe një herë më parë jam hedhur!’, thotë.
Këtu ka njerëz të sëmurë më së shumti. Ose edhe nga ata që shkojnë të vizitojnë ‘’një spital të hapur’. ‘çunat më të ngratë gjuajnë këndej nga protesta.
Ose vajza të reja që vrapojnë që nga parukeritë tek ‘i pret protesta’. Dje u vetëpranuan dy për martesë.
Ose trafikantë droge që fshihen në protestë. Kriminelë të tjerë që kuptuan se u zbuluan, ikën me vrap, ca në drejtim të Prishtinës, ca në drejtim të Tetovës. Kriminelët ‘vëllezër’ deshën t’i venë zjarrin. Iku edhe kësaj here…
Në shesh mbeten vetëm mbetjet që bien nga thesi.
Nga po vinin këta? Pak gjë dihet se nga vinin; dihet se për ku po shkonin. Thanë se po shkonin për nga revolucioni. Kush do ta bënte revolucionin, domethënë dhunën? Do të dhunonin popullin këta dyqind vetë, apo populli do t’u kthehet. Dilemën e vunë përpara. Budallëku nuk mund të bëjë revolucion, ndërsa revolucioni sjell budallëk.
Dalin në shesh dhe sharrojnë degën ku janë ulur vetë.
Blogeret që zëvendësuan flamengot, kërkojnë të zhduken resortet, të zhduket projekti me Amerikën, investimi, Sazani të kthehet në Gërdec. Atëherë si mund të ketë blogere dhe showgirls pa resorte?! Ku do ta zbukurojnë dhe ta dëshmojnë trupin e tyre, nëse sharrohen resortet? Pse nuk kishte showgirls në vitin ’97?
Dalin në shesh dhe sharrojnë degën ku rrinë:
Kanë lënë në shtëpi prindërit që supozohet se ‘nuk vlejnë më!’. Sepse sipas tyre, duhet fshirë gjithçka që sot e 80 vjet të shkuara.
Pjesa më e madhe e këtyre nuk punojnë, as prodhojnë, as mbjellin e korrin. Ushqehen nga prindër, por bëjnë revolucion. Bukën ua bën fabrika dhe qumështin dyqani; revolucionin vetë.
Dalin në shesh dhe sharrojnë degën:
Në disa herë mund të shpëtonin duke u fshehur, jo duke u dukur. Thesi ua kishte fajin. Thesi i lëshoi në bulevard. Më shumë e kishte fajin thesi se vetë krimineli. Burgu ishte më i mirë se revolucioni. Njëri prej tyre kishte tetë vjet që nuk e shikonte bulevardi me sy; ç’iu desh që doli.
Ishte proceduar për krime kundër njeriut dhe kundër pronës. Kishte rrahur njerëz në bashkëpunim në Tiranë (2014). Kishte vjedhur në Tiranë (2016). Kishte rrahur një grua në Tiranë, (2016). Kishte rrahur me grupin e tij në Dutrrës (2017). Në Vlorë kishte rrahur, kishte dhunuar, kishte kanosur gra. Po vlonjatët, si e lejuan vallë tek e kapën duke rrahur xhaxhanë?! Ata e kanë të fortë ndjenjën e familjes.
Tani ka ardhur këtu si udhëheqës i revolucionit në bulevard. I erdhi dita që të binte nga thesi.
Ca budallenj të tjerë përpëliteshin prej kohësh, ku herë duheshin herë jo. Dy politikanë, Pelinci dhe Shehaj, njësoj e ndryshe, njëri si cironkë e tjetri si njeri prej kauçuku, priten me humor kur dalin nga thesi.
Budallenjtë ndërtuan edhe Shqipërinë ‘e re’ imagjinare. Një imagjinatë e sëmurë. As në spitale psikiatrikë nuk mund të gjesh këso soji:
Qeveri nga bulevardi…, fshije Parlamentin dhe qeverinë… Të gjithë që kanë lidhje me politikën deri 80 vjet të bëhen sapun…, 300 nga këta budallenjtë të mblidhen dhe të formojnë ekzekutivin… dhjetë milionë shqiptarë të mblidhen ‘te rrapi’ për të zgjidhur punët e shtetit.
Dhe në fund, kush nuk i bindet kësaj platforme neuropsihiatrike, e ka vendin në burg.
Thesi po zbrazet në bulevard.
Komente










