Ka një çudi të bukur dhe njëkohësisht të trishtë te protesta e Flamingove: ajo lëviz çdo mbrëmje, por duket sikur nuk shkon askund. Protesta është bërë aq e rregullt sa "Pushteti" e pret protestën si një program televiziv: në të njëjtën orë, në të njëjtin vend, me të njëjtin repertor.
Flamujt ngrihen. Mikrofonat ndizen. Flamingot fluturojnë mbi turmë. Fjalimet përsëriten. Zemërimi merr zë. Kordoni policor shfaqet. Turma shtyhet. Dikush bërtet. Dikush përplaset. Kamerat regjistrojnë. Papritur, ndodh "burrërimi" në stilin femëror. Ngrihen altoparlantët. Merret frymë thellë, si për një çast të madh, dhe pastaj vjen çfryrja e gjatë, mekanike, që nxjerr jashtë, me saktësinë e një aparati të programuar, të njëjtën mantra të përjetshme: "Rama në burg, Berisha n' pension...". Prindërit e tyre e thoshin këtë kur ishin studentë, këto vajza po e thonë sot me veshje tradicionale. Pastaj nata mbaron. Dhe të nesërmen, mulliri ndizet përsëri.
Është një mulli politik që bluan ujë: rrotat lëvizin, zhurma është e madhe, energjia harxhohet, por nga mekanizmi nuk del asnjë thes me miell. Dhe pastaj vjen diaspora.
Në çdo krizë kombëtare, diaspora thirret si ajo kalorësia që pritet të shfaqet në horizont në çastin vendimtar.
“Po vjen diaspora! Diaspora përfaqësohet në mënyrën e saj më befasuese, nga ata që vetquhen përfaqësues të saj, të cilët dalin në skenë me dialektet e Veriut e të Jugut, dhe sjellin nga larg jo ndonjë strategji të re, por theksin e vendlindjes. Njëri flet me gegnishten e tij, tjetri me të folmen e Jugut, dhe për një çast krijohet iluzioni se protesta ka fituar një dimension të ri: nga një protestë politike është shndërruar në një kongres kombëtar të dialekteve. Diaspora ose rezerva njerëzore e një proteste që ka mbetur pa ide të reja, shfaqet në skenë si ai i sëmuri me astmë që, me frymën e fundit, vrapon t’i japë frymëmarrje artificiale një të aksidentuari. Njëri nuk merr dot frymë; tjetri mezi ka ajër për vete. Por të dy, të bashkuar nga një optimizëm heroik, përpiqen të shpëtojnë njëri-tjetrin me atë pak oksigjen që u ka mbetur. Është një skenë pothuajse madhështore: i aksidentuari pret frymën shpëtimtare, ndërsa shpëtimtari kollitet mes dy frymëmarrjeve. Gojë më gojë, mushkëria me mushkëri, shpresa me shpresë, dhe askush nuk pyet më se kush po shpëton kë. Në këtë mënyrë, diaspora rrezikon të mos jetë më mbështetje, por frymëmarrje artificiale për një protestë që duhej të kishte mësuar të merrte frymë me mushkëritë e veta. Vijnë karvanët, flamujt, fjalimet, emocionet dhe premtimi ritual, se këtë herë gjithçka do të jetë ndryshe. Por një protestë pa strategji nuk shpëtohet me oksigjen të importuar. Të dy përfundojnë duke ndarë të njëjtën mungesë ajri. Sepse një protestë nuk shpëtohet me më shumë mushkëri, por me një rrugëdalje. Pas 111 netë protestë "Zemërimi" është bërë identitet Njeriu që proteston për një kohë të gjatë nuk mbron më vetëm një kërkesë. Fillon të mbrojë edhe identitetin e protestuesit.
Tashmë ai është pjesë e një komuniteti. Ka shokët e sheshit. Ka gjuhën e vet. Ka kundërshtarin e vet. Ka kujtimet e veta. "Për fatin e tyre të keq, ata e ngatërrojnë ndryshimin e taktikës me dorëzimin. Frika e tmerrshme për t'u dukur të dorëzuar është kurthi psikologjik që mbyll rrethin vicioz, duke i përplasur saktësisht me atë që quhet 'Gabimi i Kostove të Humbura'. Sa më shumë je investuar në një mënyrë veprimi, aq më e vështirë të bëhet të pranosh se duhet ndryshuar mënyra e veprimit. Sa më shumë kohë, para, energji ose emocione të kesh harxhuar për diçka, aq më e vështirë të bëhet të dorëzohesh ose të ndryshosh drejtim, edhe atëherë kur është e qartë se ajo që po bën nuk po funksionon më. Të ndryshosh rrugë shpesh nënkupton të pranosh para vetes ose të tjerëve se ke bërë një zgjedhje të gabuar në fillim. Një shembull i thjeshtë: Dikush ka paguar 100 euro për një koncert, por kur vjen dita e koncertit është i sëmurë dhe mezi qëndron në këmbë. Ai mendon: Do të shkoj, se i kam paguar 100 euro. Por 100 eurot tashmë janë të humbura. Pyetja racionale është: A ia vlen të vuaj edhe dy orë për një biletë që tashmë është paguar? Prandaj ndryshimi i strategjisë nuk do të thotë tradhti ndaj qëllimit. Mund të jetë pikërisht mënyra për ta shpëtuar qëllimin nga një rrugë që ka ngecur. Kostot e humbura kanë një ves të çuditshëm: sa më shumë të kemi humbur, aq më shumë na bindin se duhet të vazhdojmë të humbasim. Është një lloj mulliri politik ku rrotat lëvizin, po nuk del asnjë thes me miell. Pse biem në këtë kurth? Sepse kostot e humbura nuk janë vetëm para. Ato janë edhe kohë jete, sakrifica emocionale, besimi që kemi investuar, imazhi që kemi krijuar për veten, frika se mos dukemi sikur kemi dështuar. Shpesh nuk kemi frikë vetëm të humbasim atë që kemi. E keqja më e madhe është se kemi frikë të pranojmë që kemi investuar shumë në diçka që nuk po na jep më atë që prisnim.
Pa kapërcyer egon dhe “gabimin e kostove të humbura”, flamingot rrezikojnë të mbeten vetëm një histori e bukur: Aq shumë u investua për të mos pranuar se rruga ishte gabim, sa në fund mbetet vetëm historia e investimit.






Komente
Komento