Frrok Çupi: 9 ditët e pulë-herrit

Frrok Çupi: 9 ditët e pulë-herrit

Sot hyri shtatori, muaji i makthit dhe i frikës. Ata që janë gati për në ferr, me siguri e kanë bërë mendjen valë, si detin e verës, dhe kishin qetësuar veten: “Ohu!, deri në shtator…, kushedi kur vjen ai muaj i dreqit”. Por ja që erdhi, duhen vetëm nëntë ditë deri në kulmin e asaj të tmerrshmes. Janë 9 ditë të dridhurash, 9 ditë frike dhe çmendurie. Në të folmen e Shqipërisë së Mesme, njeriut që prek fundin, i thonë ‘ të hynë të dridhurat e pulë-herrit’.

Sot nisi dita e parë, shtator 2021.

Deri mbrëmë liderët e pushtetit të vjetër, fshehurazi, kanë mbledhur një dorë plaçka dhe janë bërë gati për ‘te vendi’. Prokurori i SPAK pardje ka deklaruar se shtatori do të jetë muaji i hapjes së dosjeve të shumta. Këta, fajtorët, nuk u kanë treguar familjarëve se kanë mbledhur nga një boçe teshash; po të tregonin- do të zhvleftësoheshin edhe para tyre. Para partive të tyre janë zhvleftësuar fare. Ilir Metën e braktisën të gjithë, edhe Luan Rama iku nga partia. Doktor Berishës nuk i pranuan as dhëndrin në kryesinë e Partisë; në kryesi kanë mbledhur disa ‘aguridhe’ që as e njohin ‘kryetarin legjendar. Berisha ‘nuk u dorëzua’ para Amerikës, por po dorëzohet para këtyre tipave. Këta do ta ndjekin me gurë po e panë në selinë blu.

Kështu nisi dita e parë e të dridhurave.

Ditën tjetër, me siguri, Berisha do të vazhdojë të sulmojë ‘afganët’, si njerëz të Sorosit. Ardhja e afganeve është kundërshtuar nga entourage i Berishës. Pse e bëri këtë ‘mareshali’, siç e quan avokat Ngjela? Doktori e di se me këtë nuk ndryshon asgjë në politikat amerikano-shqiptarë për sigurimin e viktimave të talibanëve, megjithatë e bën  me një qëllim tjetër: Duke sulmuar Amerikën, Berisha çekon sa ushtarë ka rreth e rrotull. Kësaj here mbeti me pako njerëz.

Përpjekja e Marshallit për ta kthyer ushtrinë e tij nga ushtri politike në ushtri tribale, thuajse si talibane, dështoi; ideja ishte vetëm utopi. Në PD dhe në rrethinat e saj, doktori kishte një ushtri qorre, që vrisnin cilindo pa pyetur sa fëmijë kishte viktima. Edhe tani brenda opozitarëve në PD është përhapur frika se ‘mund të bëhet ndonjë aksident!’. Terrori që ka ushtruar marshalli në radhët e ‘demokratëve’ dhe në radhët e popullit, si zor se shlyhet. Edhe në Kosovë, që nga vitet ‘97 ai ka pasur ushtrinë e vet, me të cilën luftoi edhe Vlorën. Albin Kurtin e ftoi në betejë kundër shtetit shqiptar, jo si i të njëjtës ideologji, por si i të njëjtit fis. Deri dje kishte shpresa; por me sa duket edhe Kurti ka kuptuar ku është hendeku. Berisha e kishte projektuar luftën nga jashtë sistemit kundër ushtrisë qeveritare, po e dogji Afganistani. Tani ushtria 30 vjeçare i është kthyer në makth dhe po ‘tund bishtin’.

Po kalojnë ditët drejt një fundi…

… Pas tre a katër ditësh do të jetë afruar data 9. Atë ditë, Doktori ‘do të lahet e rruhet’- sipas një thënieje të ministrit Teta në vitin ’98 dhe do të niset për në Parlament. Aty nuk do ta ndalojë njeri, por as do ta përshëndesin ushtarakisht. Do të hyjë në sallë; as Luli nuk do t’i flasë, vetëm Tritani me të cilin ndanë paratë e ‘Shqiponjës’. Nuk do të hapë as seancën si deputeti më i moshuar; as këtë atribut nuk do t’ ia lënë. Zonja Bozdo, bash për këtë qëllim nuk dha dorëheqjen.

Por a ka një aleancë të nëndheshme me maxhorancën për ta pranuar Berishën në Parlament? Kjo hije dyshimi luhatet deri në drithërima, sa andej këndej, dhe e bën doktorin më të paqëndrueshëm. Aleanca duket se është kjo: Berishës t’i falet ardhja në Parlament me këtë shpërblim:  që të shërbejë si figurë e frikshme në ‘kopshtin e lulelakrave’. Doktori do ta polarizojë politikën, me qëllim që të bëhet i domosdoshëm për tryezë bisedimesh… Ku ta dish, edhe mund të ndodhë.

Nga njëra dilemë në tjetrën për 9 ditë:

Po Amerika pse nuk po kërkon më që Berisha të mos hyjë në Parlament?!

Kjo e tremb më shumë doktorin. Duket se Amerika ia ka vënë vizën edhe si i korruptuar, edhe si minues i demokracisë, edhe si dhunues i të Drejtës. Berisha e di sa e rrezikshme është kjo, ai është komunist i egër dhe e di mirë se kur lideri harrohet sikur nuk ekziston, e ka punën keq. Nga Shtëpia e Bardhë vijnë zëra se mbi bazë të një urdhri ekzekutiv të Presidentit do të sekuestrohen gjithë pasuritë e atyre që janë shpallur ‘non- grata’.

Vjen data 9: ‘Të hyj a të mos hyj?’

Dilemat makbethiane godasin zemrën e doktorit kardiak. Para se të vendosë, doktori do të shikojë situatën: A shquhen forca policore aty rreth Parlamentit? Po civilë që bëjnë rol të dyfishtë, a vërtiten aty rrotull? Ata që rrinë te trotuari para selisë së Parlamentit, a kanë pranga nëpër duar?… Çfarë tmerri; ky është makthi vdekës, që në Tiranë e quajnë ‘ta dredhës bishtin si pulë-herr’ për 9 ditë.

Çfarë janë ‘9 Ditët’?

‘Nëntë ditët’ janë shënuar në kalendarin e njerëzimit sipas përkatësisë etnike. Ne shqiptarët e shënojmë kësaj here, kur po kërkojmë që në ditën e nëntë të shtatorit të fitojmë Drejtësinë. Ndërsa për popuj të tjerë, si hebrenjtë, është periudha në të cilat mbahet zi për fatkeqësitë e popullit. ‘Nëntë ditët’ arrijnë një kreshendo në agjërimin e Tisha B’av, një ditë që kalohet pothuajse tërësisht në zi për të kujtuar vajtjet e panumërta, kryqëzatat, dëbimet dhe holokaustet që kanë goditur kombin gjatë shekujve.

Ne, shqiptarët, e kemi si ditën e dridhjeve të ‘pulë- herrit’: Pas luftës civile të ’97, pas piramidave financiare, pas Gërdecit, pas vrasjes qeveritare të 21 janarit 2011; pas korrupsionit të famijes së ‘ mareshallit’; pas rrënimit të besimit në Drejtësi dhe Demokraci… 9 Ditët!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tek: 01/09/2021 16:13

    Ky Cupi ja heq breket krejt ketij Berish qenit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës