Frrok Çupi: Gazi i zi i Degës po gjurmon turizmin

Frrok Çupi: Gazi i zi i Degës po gjurmon turizmin

Nuk ka si të bësh krahasim tjetër me këta që po e ndjekin plazhin cep më cep për ta gjetur diku keq…. Po e kapën bosh do të thërrasin: ‘ja ku është, e pamë bosh’,  pastaj hareja ngrihet në qiell:

‘Ju thamë se ka dështuar turizmi, kemi fakte!’. Mund të bëhej edhe një krahasim tjetër, që populli e ka bërë para se të shpikej makina ‘Gaz sovjetik’ e Degës. Krahasimi ishte me delen e me dhinë…, se si dhia një herë kishte parë delen… Një herë e gjejnë plazhin bosh, dhe fluturojnë video, zëra, shkrime, histeria, parulla, meme…, të gjitha sikur ‘zbuluan Moskën!’. Kjo historia e ‘Gazit’ ka një lidhje më të afërt. Para pak ditësh, një miku im avokat që tani e quaj edhe letrar, publikonte një tregim. E dija ngjarjen reale, vetë ma kishte treguar. Kishte ndodhur bash me Gazin e Degës. Ky atëherë ishte ‘thmi’, siç i thonë fëmijës në Mirditë; por i është ngulitur skena që ka parë. Familja e tij ishte e deklasuar, disa të studiuar në Perëndim e disa të pakënaqur. Njëri nga burrat e familjes, sa dilte nga burgu, e merrnin prapë. Akti i tij, që i ishte kthyer në tik, është aq ironik sa ironia e Sokratit: Mbante gjithnjë pranë vetes një bohçe me dy plaçka, gati për në burg. Sa shikonte makinë që ngrinte pluhur rrugës së fshatit, ai merrte bohçen dhe i dilte para. Nuk donte t’i trishtonte të tjerët…

Por atë ditë të ardhurit me makinë nuk ‘ishin ata të Degës’.

-Kush je ti?, e pyeten

-Ai pra, ai që kërkoni për në burg,- u përgjigj.

Të ardhurit u hallakatën. ‘Kemi ardhur për kontroll higjienë- thanë- A keni tualete në shtëpinë tuaj?’

Tjetri la bohçen dhe u priu nga njëqind metra rrugë për atje ku i kishin vënë emrin ‘tualeti’.

Këta që kërkojnë nëpër gjire deti, nëpër rrëza mali, nëpër shpella piratësh, nëpër plazhe me çmime luksi…, këta kërkojnë ‘të keqen’. Në këtë pikë bashkohen me psikozën e ‘Gazit të  Degës’  dhe paranojën e fshatarit nga Perlati. ‘Gazi’ quhej një veturë 4×4, prodhim sovjetik, dhe thuhej ‘i Degës’, sepse gjurmonte njerëz të pakënaqur, me biografi armiqësore, në prag të burgut… Çështja është se cila quhet ‘armiqësorja’ në këtë kohë ku jetojmë, ose e keqja që gjurmohet ‘me këmbë të kalit’, siç thuhet diku në Shkodër? E keqja është ‘e gëzueshme’ për ndjekësit e saj. Nëse nuk gjenden turistë në plazh, atëherë kjo është e gëzueshme (!) .

Kësaj vere, në vendin tonë, ka plasur një garë e madhe mes politikanësh, gazetarësh, shërbëtorësh të politikave të largëta, kosovarë të Albin Kurtit…, kush e kush të kapë pamjen më të keqe. Si të ishte atëherë që makina në Perlat të mos gjente tualetet, dhe atëherë kjo do të ishte ‘prova’ e të keqes. Edhe pse Shqipëria është kthyer në një zbulim fantastik për botën e turizmit, nga zero është ngjitur në qiell; kjo akoma më keq i nxit për ta pikturuar ‘keq’. Edhe pse këtë verë në vendin tonë ka gati dyfish numër turistësh se sa vjet, kjo nuk vlen për ‘provën e të keqes’. Në gjithë kurmin e këtij lloji njeriu rri aparati ku fokusohet e keqja e vendit. Kërkohet e keqja;  edhe kur nuk është, kërkohet. Kërkohej tualeti në fshat atëherë… Po pse vallë e duan ‘të keq’ e të ‘pa shpresë’ vendin e tyre, kombin e tyre, domethënë veten? Pyetja nuk ka përgjigje. Sikur vetëm të kuptohej pyetja, mund ta quaje sa gjysmën e përgjigjes. Shkrimtari ynë Ismail Kadare thotë se “kombet sulmohen…  sulmohen dhe vdesin’. Kombet sulmohen nga shumë drejtime, por sidomos nga vetvetja”, thotë ai.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore