TIRANË - Prej 28 marsit të këtij viti administrata e parlamentit i ka ndërprerë rrogën e deputetit, Mark Frrokut i cili ndodhet në masën e sigurisë të "arrestit me burg" për akuzat e drejtësisë belge per vrasje. Ishte vetë deputeti kristian demokrat Mark Frroku i cili shfaqi pakënaqësinë e tij ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Lartë këtë të enjte.

Ndërprerjen e pagës, Frroku nuk e ka përjetuar mirë ku në një moment sinqeriteti dhe me batutë ndaj gazetarëve kur trupi gjykues ishte tërhequr për vendim u shpreh “aman kjo politika, edhe lekët na i mori dhe në burg na futi”.

Avokati Saimir Visha tha se ndërprerja e rrogës së deputetit nga ana e Parlamentit është një veprim antikushtetues, pasi Mark Frroku nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë, por është person nën hetim.
 
Avokati Visha tha se do të interesohet përse është marrë ky vendim, vetëm dy ditë pasi arrestimit të Frrokut.
 
Deputeti Mark Frroku u arrestua më 26 mars të këtij viti së bashku me Tom Doshin me akuzën se inskenuan historinë e atentatit që do i bëhej Doshit me urdhër të Ilir Metës. Por tashmë ai ndodhet në qeli për akuzat që vijnë nga drejtësia belge se në vitin 1999 ka vrarë shqiptarin Aleksandër Kurti në Bruksel.
 
Në Gjykatën e Lartë u mbajt seanca për të shqyrtuar kërkesën e deputetit Frroku për të lënë qelinë ditën e enjte dhe të jetë i pranishëm në seancën plenare. Trupa gjykuese vendosi të shprehet me një vendim për këtë kërkesë ditën e hënë.
 
Redaksia Online
(Gre/Shqiptarja.com)