“Me anë të kësaj shkrese dëshiroj t’ju bëj me dije se heq dorë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për të lënë të lirë dhe pa ndikime, veprimet e organeve ligjzbatuese, të procedojmë për hetimin dhe procedimin e veprave penale për të cilat unë jam akuzuar dhe po hetohem”, - thuhet në letrën e dorëheqjes së Frrokut.
Këshilli i Mandateve kishte dërguar çështjen për mandatin e Frrokut për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, por me këtë akt dorëheqje Kushtetueses nuk i duhet të marrë një vendim.
Në letrën e tij Mark Frroku argumenton se motivi i kësaj dorëheqje lidhet me procesin gjyqësor në shtetin e Belgjikës ku akoma nuk është marrë një vendim përfundimtar prej 17 vitesh, për akuzën se ka vrarë një shqiptar në vitin 1999-ën.
Por vendimin e tij për dorëheqje Mark Frroku e lidh edhe me çështjen e shumëdebatuar politikisht që është dekriminalizimi. Sipas tij, me këtë rast kërkohej të bëhej kurban një deputet dhe siç shkruan Mark Frroku: "më ra mua si pjesë duke mos qenë pjesë e politikës së vjetër 25 vjeçare”.
Por Mark Frroku i cilëson sulmet ndaj tij si politike nga Partia Demokratike - pasi siç shkruan ai - këto sulme kanë ardhur në momentin që ai u shkëput nga kjo forcë politike për të cilën shpesh herë ka qenë sponsorizues.
“I gjithë kalvari i vuajtjeve të familjes sime, është politike, që daton që në kohën e divorcit me partinë-shtet, Partinë Demokratike. Kur ishim pjesë e tyre dhe sponsorizues të saj, nuk isha i inkriminuar. Tani në adresën time hidhen një lumë akuzash të pa vërteta, dhe këtë do ta provojë koha shumë shpejt”-thuhet në shkresën e Frrokut.
(Letra e doreheqjes)
Kreu i Partisë Kristian Demokrate kërkon të bëjë me dije opinionin publik se me ortakun e tij në biznese i ka paguar shtetit taksa dhe tatime 12 milionë euro ndërsa sot Prokuroria e Përgjithshme e akuzon se nuk justifikon 2 milionë dollar pasuri.
Por për ironi të fatit në listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës Mark Frroku pasohet nga i vëllai i tij Arben Frroku për të cilin Gjykata e Apelit ka dhënë vendim të formës së prerë për dënim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të Kombinatit Dritan Lamaj.
(Mark Frroku dhe vëllai tij Arben Frroku)
Duke iu referuar kësaj situate ka shumë gjasa që karrigen e Mark frrokut në parlamentin e Shqipërisë ta zërë kandidatja e tretë në listën e Partise Kristian Demokrate Mirela Ferracaku. PKD perfaqesohej ne Kuvend vetem me kryetarin Mark Frroku dhe eshte pjese e koalicionit te majte qeverises.
(Lista shumeemerore e kandidateve per deputete te PKD-se ne zgjedhjet e 23 qershorit 2013)
Në fund të aktit të dorëheqjes Mark Frroku siguron banorët e zonës së Pukës ku është votuar se do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre.
Me lënien e mandatit të deputetit, Mark Frroku zhvishet nga ndjekja penale që Prokuroria e Përgjithshme po bën ndaj tij për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Bruksel dhe pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Hetimi ndaj deputetit të dorëhequr do të vijojë nga Prokuroria e Tiranës, pasi në ditët në vijim pritet që Prokuroria e Përgjithshme do shpallë moskompetencën për dosjen, për shkak se Frroku nuk i ka më atributet dhe cilësitë e deputetit. Nisur nga kjo situatë kalimi i dosjes do shkojë në Shkallën e Parë, ku dhe Frroku nëpërmjet mbrojtësve të tij do kërkojë lirimin me tij nga qelia e burgut. Deputeti është arrestuar që prej muajit Prill të këtij viti dhe ka tentuar disa herë të ndryshojë masën e sigurisë “arrest me burg” por është refuzuar nga Gjykata me Lartë.
Ndaj Frrokut ka nisur dhe procesi gjyqësor në Belgjikë. Në dayën 19 tetor Gjykata e shkallës së parë në Belgjik vendosi të shtyjë seancën e gjykimit pas kërkesës që bëri deputeti shqiptar i cili kërkoi të ishte prezent në proces.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)