Sëmundja celiake, e cila njihet shpesh herë si intolerancë ndaj glutenit, nuk është vetëm kaq. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, ka analizuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv këtë sëmundje të fshehtë, e cila mund të trondisë gjithë organizmin tonë.
“Sëmundja celiake, njihet si intolerancë ndaj glutenit, një proteinë që gjendet në grurë, elb dhe thekër, por nuk është vetëm intolerancë. Faktikisht edhe pse kanë të njëjtat simptoma si fryrje, parehati, gazra, ndjesi e rëndë, sëmundja celiak ka të bëjë me një sistem imunitar që gabon mes ushqimeve, imunitetit dhe zorrëve, sistemi imunitar e lexon si kërcënim ndaj trupit. Sëmundja e celiakës është një sëmundje autoimune, e fshehtë ku shpesh herë simptomat nuk dallohen”, u shpreh Joka.
Sipas Jokës konsumimi i glutenit shkakton një përgjigje imune në zorrën e hollë. Me kalimin e kohës, ky reagim e dëmton atë dhe pengon më pas procesin e disa lëndëve ushqyese.
“Sëmundja duhet parë në barrierën intensinale, toleranca biologjike. Kur zorrra e hollë dëmtohet, dëmtohet porta midis njeriut dhe ushqimit, prishen sistemet e mbrojtjes të organizmit, inflamacioni kronik e bën mukozën më të ndjeshme. Nuk duhet minumizuar si sëmundje”, u shpreh ai.
Ja si të kuptoni shenjat e sëmundjes celiake
Dhimbje barku dhe fryrje e vazhdueshme, gjatë gjithë kohës kur ushqehesh me gluten
Gazra të shumta dhe tretje të çrregullt, mikrobioma është çrregulluar, kjo ndodh kur konsumohet gluten
Diare dhe kapsllëk
Të përzjera, një shije metali në gojë ose lodhje
Humbje peshe, anemi e theksuar, mungesë vitamine B, D, mungesë hekuri, dobësi muskulare
Dhimbje barku ose bark i fryrë i vazhdueshëm
Rritje e ngadaltë ose peshë e ulët, fëmija ha, por nuk shton peshë ose rritet ngadalë
Ndryshimi i humorit, nervozizëm, mungesë fokusimi
Dhëmbë të zinj te fëmijët ose smalt i dëmtuar, pasi sëmundjet e zorrëve lenë shenja tek dhëmbët
Vonesa në zhvillim, pubertet i vonuar, ardhje e mestruacioneve me vonesë
Sipas natyropatit Joka, heqja e glutenit është e domosdoshme në këto raste, por ai këshillon se diagnoza nuk bëhet nga shenjat, por duhen bërë analizat e gjakut sidomos antitrupat. Duhen bërë edhe testet gjenetike dhe testi i mikrobiomës intensinale si dhe endoskopia. Sëmundja celiake veç zorrës mund të prekë edhe organe të tjera.
“Është një sëmundje që ecën hap pas hapi. Kur zorra e hollë dëmtohet, trupi humbet aftësinë për të marrë lëndët ushqyese që i duhen, e nëse ndodh kjo atëherë preket gjaku dhe më pas kjo do reflektohet tek truri, mëlçia, organet e tjera. Fillojnë problemet me kockat, rritet niveli i ankthit, aritmisë, depresionit, fillojnë problemet me shtatzaninë, infertilitetin. Mos e neglizhoni, zorra është qendra që ushehen sistemet tona, ndaj e kemi quajtur truri i dytë!”, u shpreh Joka.
Dieta pa gluten, utopi?!
Sipas nutricionistit Joka, gluteni nuk është vetëm tek buka, makaronat, picat, pra tek brumrat, por gjendet dhe tek salcat, tek pana, ëmbëlsirat, çokollatat, mishi i përpunuar, madje edhe tek medikamentet në disa suplemente. Gjendet tek pastat e dhëmbëve si dhe në disa produkte kozmetikë. Joka shpjegon se ndonjëherë është e pamundur ta evitosh plotësisht, por ai sygjeron produkte të cilat kanë sa më pak gluten.
“Evitoni miellin e bardhë dhe të rafinuar, pasi ka përmbajtje më të lartë të glutenit, më pas vijnë makaronat, thekra dhe elbi. Tek tërshëra ka më pak gluten. Ndërsa drithrat që nuk kanë gluten janë orizi, quinoa, amaranthi, misri dhe meli”.
Joka shpjegoi gjithashtu se edhe buka që reklamohet dhe shitet si pa gluten, nuk është e shëndetshme, pasi ka shumë adetivë. Nutricionisti këshillon fruta, perime bishtajoret, patatet, quinoa, etj, pra ushqehuni me karbohidrate të mira.
Komente












