Federata Shqiptare e Futbollit ka akorduar 3 milionë euro si fond solidaritetit dhe mbështetje për 22 klubet e Superligës dhe Kategorisë së Parë. Për shkak të shpenzimeve më të larta të garës, klubet e Superligës do përfitojnë më shumë.
Secila nga 10 klubet e elitës së vendit do marrin nga 180 mijë euro në llogari, ndërsa për çdo klub të Kategorisë së Parë, llogaria do shtohet me nga 100 mijë euro.
Shpërndarja e fondit do të realizohet në dy faza, në përputhje me fazat sportive të kampionateve. Faza e dytë e sezonit 2025-26 dhe faza e parë e sezonit 2026-27. Ndarja bazohet vetëm në kategorinë ku luan klubi, jo në renditjen sportive dhe bëhet në mënyrë të barabartë brenda secilës kategori.
Klubet e Superligës përfitojnë një shumë më të lartë krahasuar me ato të Kategorisë së Parë, në përpjesëtim me kostot më të larta sportive dhe organizative në këtë nivel.
Fondet do të lëvrohen në dy këste, ku pjesa e parë do të shpërndahet në fillim të vitit 2026 për të mbështetur likuiditetin dhe planifikimin e klubeve për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa kësti i dytë pas përfundimit të sezonit 2025-26 dhe përcaktimit të strukturës së kampionateve për sezonin 2026-27.
Shpërndarja e e këtij fondi për klubet do të nisë zyrtarisht në janar 2026.
Komente








